Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ka kallëzuar penalisht kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu për “Shpërdorim Detyre”.
Në një njoftim për shtyp thuhet se, kryebashkiaku i Kamzës është bërë pengesë për prishjen e 89 objekteve pa leje për të cilët kishte vendim prishjeje.
“Në ushtrim të kompetencave ligjore, gjatë kontrollit në IKMT-në e Kamzës janë gjetur një sërë shkeljesh që lidhen me mosveprimet e kreut të bashkisë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
IKMT ngre dyshime se mosprishja e banesave është përdorur si mjet presioni apo favorizim personash me qëllim përfitimi elektoral.
Por menjëherë ka reaguar kryebashkiakun e Kamzës, Xhelal Mziu duke i quajtur akuzat ndaj ti si hakmarrje e pastër politike e qeverisë për humbjen dërrmuese që pësoi Rama.
Mziu tha se qeveria lejoi ndërtimet pa leje në këmbim të votës. Në Tiranë, Durrës etj. është ndërtuar pa leje jo vetëm shtëpi, por edhe vila, pallate, madje në prona publike dhe me paratë e krimit, korrupsionit, drogës. Ai shtoi se fluksi i ndërtimeve pa leje dhe i klientelës me flamujt e qeverisë qendrore vazhdoi në gjithë Shqipërinë, në këmbim të votës.
Njoftimi nga IKMT: Nuk ekzekutoi 89 vendime për prishje objektesh
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka kallëzuar penalisht kryetarin e Bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu. Në ushtrim të detyrave dhe përgjegjësive ligjore, IKMT përgjatë një kontrolli të ushtruar në IMT e Kamzës ka vërejtur mosveprime nga ana e kryeinspektorit dhe inspektorëve të këtij institucioni, që përbëjnë kundërvajtje penale të parashikuara në ligj.
Nga 89 vendime për prishje objekti, mes të cilave vetëm 48 në periudhën maj-qershor të këtij viti, nuk është egzekutuar asnjë. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të kryeinspektorit drejtuar kryetarit të bashkisë si organi epror, për sigurimin e mjeteve për egzekutimin e këtyre vendimeve nga ana e kryebashkiakut nuk është ndërrmarrë asnjë veprim.
I çuditshëm është fakti se pjesa më e madhe e vendimeve për prishje objekti janë marrë në periudhën parazgjedhore, fakt që ngre dyshime të arsyeshme se janë përdorur si mjet presioni apo favorizim personash me qëllim përfitimi elektoral.
Për këto shkaqe, IKMT ka kërkuar nga prokuroria e Tiranës, fillimin e procedimit penal për Xhelal Mziun, kryetar I bashkisë Kamëz, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.
IKMT në ushtrim të funksioneve dhe detyrave ligjore të saj do të vijojë si përherë kontrollet e befta dhe periodike në të gjitha IMT e bashkive në Shqipëri, me qëllim verifikimin e zbatimit të vendimeve, dhe punës së kryer në shërbim të qytetarëve dhe territorit shqiptar.
Postimi i plotë i Xhelal Mziut
Kallëzimi i IKMT, bashkia Kamëz: Hakmarrje e pastër politike e qeverisë për humbjen dërrmuese që pësoi Rama
Qeveria lejoi ndërtimet pa leje në këmbim të votës. Në Tiranë, Durrës etj. është ndërtuar pa leje jo vetëm shtëpi, por edhe vila, pallate, madje në prona publike dhe me paratë e krimit, korrupsionit, drogës
Vazhdon seriali nr. 2 i hakmarrjes së qeverisë “Rama” (pas çdo palë zgjedhjesh), kur PS humb ndjeshëm në zgjedhje në Kamëz. I verbuar nga rezultati, Rama nuk u ndalet sulmeve politike ndaj Kamzës, Bashkisë dhe qytetarëve të saj.
Pas humbjes dërrmuese në Kamëz me plus 5 mijë vota, gjendet një “sebep” që qeveria të sulmojë sërish emrin e kryebashkiakut Xhelal Mziu, duke e kallëzuar atë në prokuroi.
Ky kallëzim është i paralajmëruar para zgjedhjeve parlamentare nga Kryeministri. Fluksi i ndërtimeve pa leje dhe i klientelës me flamujt e qeverisë qendrore vazhdoi në gjithë Shqipërinë, në këmbim të votës. Kjo ka ndodhur edhe në Kamëz, gjë të cilën e kam pohuar që është ndërtuar ilegalisht me flamujt e qeverisë. Por ndonëse në Kamëz është ndërtuar për mbijetesë për të futur kokën, në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe bashki të tjera, është ndërtuar dhe po ndërtohet pa leje, jo vetëm shtëpi, por edhe vila, pallate e madje edhe në prona publike me paratë e krimit, korrupsionit dhe drogës. Në këtë rast qeveria hesht, sepse këto ndërtime bëhen me bekimin dhe miratimin në heshtje të saj.
Bashkia Kamëz ka ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë për parandalimin apo penalizmin e çdo ndërtimi pa leje. Kallëzimi penal ndaj Bashkisë Kamëz nuk është gjë tjetër veçse një hakmarrje e pastër politike.