Instituti i Statistikave ka bërë publike disa të dhëna, që tregojnë se numri i institucioneve spitalore ashtu dhe i shtretërve në dispozicion të të sëmurëve është më i ulët se në fillim të viteve 2000. Në vitin 2015 Shqipëria kishte 41 institucione spitalore, të cilat së bashku kishin një kapacitet prej 8752 shtretër.
Të dhënat tregojnë se në vitin 2000, në gjithë vendin kishte 51 institucione spitalore dhe 10,162 shtretër. Pra numri i shtretërve në dispozicion të të sëmurëve në 2015-n ishte 14% më i ulët sesa 15 vjet më parë. Më e keqja është se kjo ka ndodhur në një kohë që numri i të sëmurëve është shtuar. Sipas INSTAT, në vitin 2000 kishte rreth 257 mijë të shtruar, ndërsa në 2015-n kishte 276 mijë, pra rreth 4% më shumë.
Ulja e numrit të shtretërve në një kohë që ka pasur më shumë të sëmurë, ka bërë që të reduktohet koha e qëndrimit të një të sëmuri në spital. Në vitin 2000, mesatarja e ditëve të qëndrimi të të sëmurit në spital ishte 7.1, ndërsa në 2015-n, ra në 5.6.
Qendrat shëndetësore gjithashtu kanë pasur një tendencë të ngjashme, rënia e numrit të të cilave ka filluar pas vitit 2004. Në 2004-n kishte 688 qendra shëndetësore, ndërsa në 2016-n numëroheshin 418 të tilla. Teksa numri i vizitave është shtuar në 3.3 milionë në 2015-n, nga 2.4 milionë në 2004, qendrat shëndetësore kanë qenë shumë të zëna me pacientët.
Shpenzimet e ulëta në shëndetësi
Shqipëria renditet e fundit ndër 43 vende europiane për sasinë e fondeve që akordon për shëndetësinë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). Sipas agregateve fiskale të publikuara nga FMN për periudhën 2012-2015 shihet se shpenzimet e Shqipërisë në drejtim të shëndetit janë vetëm 2.8% e PBB-së, teksa mesatarja e europiane për këtë tregues ishte 6%.
Shqipëria shpenzon më pak se çdo vend i rajonit për shëndetin e popullatës së saj. Bosnja akordon 6.9% të fondeve në raport me PBB për shërbimet publike të shëndetësisë, Kroacia 6.4%, Maqedonia 4.3%, Mali i Zi 4% dhe Serbia 6.1 %.