Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve në Tiranë nuk është kontestuar vetëm nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ku kryetari Shpëtim Idrizi humbi mandatin për 38 vota, por edhe nga Partia Socialiste.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, kreu i KQZ-së, Klement Zguri tha se PS ka kontestuar tabelën përfundimtare të qarkut të Tiranës. Ndërkohë që KQZ-ja ka vendosur të shqyrtojë kërkesën e PDIU-së nesër paradite, ende nuk ka vendosur se kur do të shqyrtojë kërkesën e PS-së.
Mësohet se PS kërkon që të ri numërohen 10 kuti të qendrave të votimit ku PDIU ka pretendimet e saj se i mungojnë vota. Sipas PDIU-së në këto 10 kuti mungojnë nga 10 vota në secilën për Shpëtim Idrizin, ndërsa sipas pretendimeve të PS-së, mungojnë nga 3 vota.
Megjithatë këto nuk janë të vetmet kërkesa për rinumërim, edhe PD ka regjistruar një ankesë për Beratin ku kërkon rinumërim të votave në dy kuti votimi dhe dy të tjera të shpallen të pavlefshme.