Kryeministri Edi Rama, duke folur nga Kamza, zona më e madhe ku janë të përqendruar banorë të ardhur pas viteve ’90, sidomos nga veriu i vendit, foli me gjuhën e unitetit, duke bërë thirrje që vëllazëria prej shqiptari të prevalojë mbi përkatësitë partiake.
“Sa më shumë t’i ndajnë njerëzit aq më shumë do mund të fusin dorë në tepsinë e pushtetit. Shqiptarët, përpara se t’i falen një partie apo një kryetari partie, përpara se të ngrenë flamurin e një partie, i falen Flamurit kuq e zi dhe shqiponjës dy krenare”, nënvizoi Rama.
Thirrjen e tij për të votuar socialistët me 25 qershor, Rama ua drejtoi kryesisht demokratëve dhe idhtarëve të ish-liderit, Sali Berisha
“Atyre që janë demokratë dhe thonë që e kanë Salën në zemër, u them mbajeni PD dhe Salën në zemër, vërjani foton në dhomën e pritjes, po deshët edhe të Lulit në dhomën e gjumit të fëmijëve, se do të flenë si qengja, por në 25 qershor, thirrini mendjes për Shqipërinë që duam të gjithë së bashku, jo për më shumë pushtet për PS-në por për më shumë fuqi të përbashkët për ta bërë këtë vend shtet me punë dhe mirëqenie”, apeloi Rama nga Kamza.