“Ne nuk i shohim SHBA-të si armike,” tha Presidenti rus Vladimir Putin në Moskë, në një nga takimet e tij tradicionale televizive me qytetarët në emisionin “Linja direkte”.
Pa bashkëpunim konstruktiv me Uashingtonin nuk është e mundur asnjë zgjidhje në konfliktin në Siri, tha p.sh. Putini. Rusia dhe SHBA-ja mund të bashkëpunojnë në fushën e kontrollit të armëve, tha Putini më tej.
Në të njëjtën kohë, shefi i Kremlinit kritikoi gjatë këtij emisioni televiziv disa orësh qëndrimin anti rus të medieve amerikane, të cilat siç tha ai, raportojnë për Rusinë në mënyrë gjithnjë e më armiqësore , raporton DW.
Gjatë këtij emisioni Putin ka folur edhe për hetimin e hapur tashmë në Uashinngton për një ndikim të mundshëm të Moskës në zgjedhjet presidenciale.
Me nota humori e ironie, ai i ofroi ish-drejtorit të FBI-së James Comey, azil në Rusi.
Sjellja e Comey-t në aferën me Rusinë nuk ndryshon nga ajo e Edward Snowden-it, tha ai. “Në këtë rast ai nuk është kreu i FBI-së, por një mbrojtës i të drejtave të njeriut”.
Shërbimet sekrete amerikane janë të bindura se Moska është përpjekur në mënyrë aktive që të ndikonte në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në favor të Donald Trumpit. Kremlini dhe Trump e mohojnë këtë. Trump shkarkoi nga detyra Comeyn pasi ky i fundit kishte nisur të shqyrtonte kontaktet e mundshme me autoritetet ruse.