Denis MacShane “The Indipendent”/Pas Trump në Amerikë dhe Macron në Francë, tanimë është radha e votuesve britanikë të çudisin veten dhe botën me rezultatin e zgjedhjeve të fundit, që ishte i pa mendueshëm disa javë më parë. Vitin e kaluar, David Cameron besonte se plebishiti i tij cinik mbi Evropën, nuk do të humbej. Këtë vit, Theresa May besonte zgjedhjet e saj të parakohshme oportuniste, do të rezultonte në një disfatë edhe më të thellë për Laburistët.
Asnjëherë më parë dy kryeministra britanikë, nuk kanë treguar një mungesë të tillë gjykimi në vetëm 12 muaj. Theresa May ka pësuar një humbje poshtëruese, pas më pak se një viti në detyrë. Dyzetetetë për qind e votuesve britanikë, të cilët i thanë po qëndrimit në Evropë një vit më parë, u ngritën dhe i thanë Partisë Konservatore se ata nuk mund të shpërfillen.
Larg nga largimi prej BE-së, Britania duket më kontinentale se kurrë më parë, si kombi që nuk ka qeveri të qëndrueshme, një parlament shumëpartiak që mund të përballet sërish me zgjedhje të reja. Mej thotë se ajo do të vazhdojë të qëndrojë si kryeministre, por është dobësuar masivisht ndërsa ka humbur shumicën e saj në Dhomën e Komunëve.
Vendimi i saj për të përqafuar ideologjinë anti-evropiane të UKIP-it, dhe vendosur në kabinetin qeverisës demagogët e saj populistët anti-BE, si Sekretari i Jashtëm, Boris Johnson, ka dështuar.
Shumica e sondazheve, tregojnë se populli britanik nuk e mbështet largimin nga tregu i përbashkët i BE-së dhe unioni doganor, dhe se do të ruajë të drejtën për të jetuar, punuar dhe dalë në pension në vendet të tjera evropiane, që janë tashmë shtëpia e mbi 2 milionë britanikëve.
E megjithatë May zgjodhi një Brexit të linjës së ashpër, por ajo nuk ka më shumicën në Dhomën e Komunëve për këtë politikë. Britania gjendet e mbërthyer mes vendimit të votuesve në plebishitin e vitit të shkuar për t’i thënë jo Evropës, dhe vendimit të zgjedhësve për t’i thënë jo një Brexit-i të ashpër.
Jeremy Corbyn, udhëheqësi i Partisë Laburiste, shpëtoi nderin e vet dhe përqendrimi i tij në çështje të brendshme si masat shtrënguese, shkurtimet në shërbimet publike si kujdesi shëndetësor dhe policia, pati jehonë. Mej dhe shtypi pro-Brexit në Britani, u përpoqën ta portretizojnë Corbyn si një mik të terroristëve, një ekstremist të krahut të majtë, dhe madje edhe si dikush që kishte takuar dikur Janis Varufakis.
Por votuesit panë një njeri të moshuar me mjekër të bardhë, që fliste mbi padrejtësisë dhe pabarazisë në vend dhe jashtë vendit, dhe në veçanti votuesit e rinj e pëlqyen mesazhin dhe i dhanë Corbyn mbështetjen e tyre. Por, udhëheqësi laburist shtoi vetëm 31 deputetë këtë herë, dhe është ende shumë larg arritjes së një shumice në Dhomën e Komunëve.
Në Londër, ku shumë kandidatë laburistë sfiduan mbështetjen e Corbyn ndaj largimit nga tregu i e përbashkët evropian, vendosjen e kontrolleve mbi emigracionin brenda BE-së, si dhe bënë fushatë për të qëndruar në BE, Partia Laburiste pati një rezultat shumë të mirë.
Humbësit e zgjedhjeve ishin nacionalistët anglezë dhe ata skocezë. Vota e UKIP u zhduk dhe Liberal Demokratët pro- evropianë fituan vendet e konservatorëve në Londër, edhe pse ish-udhëheqësi i partisë, Nik Kleg, u mund nga konservatorët në Shefilld.
Në Skoci, nacionalizmi skocez pësoi goditje të forta, teksa Partia Nacionaliste Skoceze u rendit pas konservatorëve, laburistëve dhe liberaldemokratëve. Lideri i partisë në Dhomën e Komunëve dhe ish-lideri nacionalist skocez, Alesk Salmond, u mundën që të dy, teksa votuesit skocezë hodhën poshtë thirrjet për pavarësi dhe ndarje nga pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar.
Të gjitha supozimet rreth politikës britanike, u dëshmuan të jenë të rreme. Mej qe një kryeministre aksidentale që arriti në “Dowing Street” pas plebishitit Brexit, sepse të gjithë deputetët kryesore konservatorë anti-BE që pritej të pasonin në detyrë David Cameron, dhanë dorëheqjen pasi i ngulën njëri-tjetrin thikat, dhe në fund mbeti vetëm ministrja më e vjetër konservatore, pasi kolegët e saj shkatërruan njëri-tjetrin.
Ajo s’kishte asnjë program të qartë për qeverisjen. Mej mbajti një fjalim të fuqishëm pro Evropës në prill të vitit 2016, por më pas miratoi politikën e UKIP-it ndaj Evropës. Ajo refuzoi t’i shpjegojë publikut, se cilat qenë kostot dhe pasojat e një Brexit të ashpër. Në këmbim, publiku nuk pranoi ta mbështesë, kur ajo i kërkoi një mandat personal në zgjedhjet e përgjithshme të së enjtes, pasi e panë atë si oportuniste dhe cinike.
Supozimi se majtizmi i Corbyn do të shkatërronte Laburistët, rezultoi të jetë i rremë. Supozimi se shtypi kryesor britanik, me sulmet e tij të përditshme të rreme propagandistike ndaj BE fliste në favor të Britanisë, ishte gjithashtu i rremë. Që nga viti 2014, Britania ka pasur dy referendume të mëdha – për pavarësinë e Skocisë dhe Brexit – dhe dy zgjedhje të përgjithshme.
Por, asgjë nuk është vendosur përfundimisht. Konservatorët kundër Evropës shpresonin t’u bashkoheshin me dhjetëra kandidatë pro-Brexit, por ndodhi e kundërta. Një shumicë e qartë e deputetëve britanikë, duan që Britania të qëndrojë sa më plotësisht në Evropë që është e mundur.
Kauza e Evropës humbi në referendumin britanik të qershorit 2016, por fitoi në zgjedhjet e qershorit 2017. Kur zonja May u takua me Trump, si udhëheqësja e parë evropiane që shkoi për të nderuar presidentin e ri të SHBA-së, ajo u pa duke mbajtur dorën e tij. Tani mikja më e mirë e Trump në Evropë është “plagosur” për vdekje. Ashtu si në Holandë, Austri dhe Francë, Evropa ka dalë fituese edhe në zgjedhjet britanike.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce
Shënim: Denis MacShane ka qenë ish-ministër i Mbretërisë së Bashkuar për Evropën, dhe ka shkruar tre libra mbi Brexit.