Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga Kombinati ka sulmuar ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili një pjesë të mirë të jetës së vetë e ka kaluar pikërisht në këtë lagje.
Sipas Bashës, Tahiri është një trafikant që u bë ministër i Brendshëm dhe kriminalizoi vendin, ai e cilësoi atë si të vetmen arritje të Edi Ramës gjatë këtyre viteve.
“Ja ku jemi në Kombinat nën hijen e një trafikanti që na u bë ministër i Brendshëm. Saimir Tahiri është emblema e dështimit dhe kriminalizimit total të Shqipërisë, e vetmja arritje e Edi Ramës. Ja tek jemi në Kombinatin e papunë të zhytur në papunësi, në gjedje të rënduar ekonomike, me qindra familjarë pa ndihmë ekonomike, me fermerët e zonës përreth të braktisur”
Sakaq, Basha u shpreh se pasi PD-ja ka dërguar disa zyrtarë për ndjekje penale, por sipas tij, ajo do të çojë edhe dhjetra të tjerë nëse do të ketë abuzime dhe shkelje ligji.
“Do çojmë dhjetra zyrtarë për ndjekje penale. Detyruam republikën e vjetër që të firmos kapitullimin e saj. Detyruam republikën e vjetër të nënshkruajë në 18 maj fundin e saj”, pohoi ai.
Mes të tjerash, Basha tha se takimi në Kombinat, ishte takimi i fundit i hapjes së fushatës, duke e cilësuar këtë zonë si “qershia mbi tortë”.