Tirana zyrtare dënoi sot aktet e mbrëmshme terroriste në Londër, të përsëritura vetëm dy javë pas atij në Manchester Arena.
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, përmes një statusi në rrjetin social “facebook”, ka shprehur ngushëllime për sulmin terrorist në Londër dhe solidaritet me autoritetet britanike.
“Jemi të gjithë të shokuar nga sulmet terroriste të përsëritura në kryeqytetet e Evropës. Londrës i’u desh të përballej mbrëmë me një tjetër sulm barbar. Ngushëllimet tona popullit britanik. Shqipëria do të vijojë të mbështesë Mbretërinë e Bashkuar në luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, shkruan Bushati.
Të paktën shtatë persona humbën jetën dhe 48 të tjerë u plagosën pas një atentati të dyfishtë gjatë natës së kaluar në qendër të Londrës.