Marrëveshja e 18 majit midis kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha duket se shkon përtej 25 qershorit.
Kryeministri Rama e ka lënë të hapur bashkëpunimin me kreun e ardhshëm të opozitës nëse do të fitojë zgjedhjet parlamentare. Ky bashkëpunim mendohet të përfshijë edhe ndryshimet kushtetuese dhe ato në Kodin Zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.
Këto ndryshime parashikojnë ndryshime rrënjësore sa i përket mënyrës së garës në zgjedhjet parlamentare.
Zgjedhjet e 25 qershorit do të zhvillohen sipas sistemit proporcional-rajonal, sipas ndryshimeve që iu bënë Kodit Zgjedhor në vitin 2008, me marrëveshjen Berisha-Rama, i reflektuar me ndryshime të vogla, pas çdo procesi zgjedhor.
Në rastin e këtij sistemi zgjedhor, krerët e partive politike zgjedhin listat e kandidatëve për çdo qark në të gjithë vendin. Pra, është lideri i partisë ai që vendos mbi potencialin politik të çdo kandidati dhe jo elektorati. Ky i fundit voton vetëm për partinë politike dhe jo kandidatin për deputet i cili pretendon të përfaqësojë qytetarët në Parlament.
Nëse përgjatë fushatës elektorale dhe procesit zgjedhor të këtij viti, kandidatët do të garojnë përmes listave të mbyllura, të përzgjedhura nga krerët e partive politike, ndryshimet e reja do të sjellin një tablo tjetër të skenës politikës; kandidatëve për deputetë do t’u duhet të garojnë përballë dhe direkt me zgjedhësit e tyre.
Për t’u realizuar kjo do të kërkohen ndryshime të thella kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor. Një pretim të tillë e bëri edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në hapje të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit pasditen e së shtunës.
“Ju thashë që mbrëmë mora një vendim të vështirë. Vendimin e ekipit me të cilin Republika e Re do të përfaqësohet. Ekipi më përfaqësues, më i denjë, me programin e shpresave të vërteta të shqiptarëve. Por, ju premtoj se kjo është hera e fundit që një kryetar partie vendos listën e deputetëve, sepse, herën tjetër, listën e deputetëve do ta vendosë vetëm qytetari shqiptar. Reformë totale kushtetuese. Shqiptarët do të zgjedhin drejtpërdrejtë përfaqësuesin e tyre në Parlament që do t’i kërkojë llogari një qeverie të përgjegjshme, një kryeministri të përgjegjshëm. Ju do ta keni Shqipërinë në dorë ndaj, le ta marrim Shqipërinë në dorë. Me 25 qershor, merreni Shqipërinë në dorë. Le të ndërtojmë së bashku Republikën e Re. Të ndërtojmë së bashku republikën tuaj për një ekonomi të fortë, për një të nesërme të sigurt për çdo shqiptar”, u shpreh Basha.
Ndryshimet kushtetuese dhe ato në Kodin Zgjedhor, si dhe një bashkëpunim me front të gjerë midis Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, do të përbënte një goditje të madhe për partitë e vogla.
Ekzistenca politike e këtyre të fundit ka filluar të rrezikohet që para zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, ku krerë të këtyre forcave iu bashkëngjitën listës së Partisë Demokratike për të siguruar të paktën një vend në Parlamentin e ardhshëm. Pas zgjedhjet të 25 qershorit, në rast bashkëqeverisje PD-PS, partitë e vogla do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të operojnë në skenën politike