Lulzim Basha ka folur sot në “Çadrën e Lirisë”, ku ka akuzuar Ramën për të gjitha premtimet e pambajtura.
Basha u shpreh se kryeministri kishte mundësi t’i mbante premtimet e dhëna, por nuk u përpoq t’i mbante ato.
Gjithashtu, kreu i PD-së shpërndau disa “çmime Oscar” për qeverinë Rama, ndërsa tha se ky i fundit i trembet ndëshkimit popullor në zgjedhje.
FJALA E BASHËS:
“Edi Rama rriti faturat e energjisë për më shumë se 70% të shqiptarëve. 100 milionë euro të shqiptarëve që nuk shkojnë për shëndetin e tyre, por shkojnë në xhepat e Vilma Nushit, mori dhe koncesionin e laboratorëve. Spitalet janë në ditët e tyre më të këqija. Kush e merr Oscarin për arsimin shqiptar? Për rritjen e tarifave për çdo student shqiptar. Kush e merr Oscarin për degjenerimin e sistemin arsimor në një rrjet motelesh për pushtetarët e degjeneruar.
Kush e merr çmimin që për tre vite e gjysmë e ktheu Shqipërinë në anëtare të NATO-s? Territorin dhe kufijtë i kontrollojnë bandat kriminale, infrastruktura e krimit është më e përgatitur se policia.
Kush e meriton Oscarin për katandisjen e fshatit shqiptar me bagëtitë e sëmura që nuk marrin asnjë asistencë, me kanalet vaditëse që nuk u ndërtuan kurrë… Sot është dita e çmimeve Oscar për bandën në pushtet, për kupolën politike të Republikës së Vjetër, e cila në 4 vite mendoi vetëm për pasurimin e vet dhe nuk mendoi asnjë orë për fatet tuaja, për mirëqenien tuaj.
Emigracioni krahasueshëm vetëm me Sirinë, ku ndodh një luftë, por këtu ndodh lufta që krimi i organizuar i ka shpallur popullit të tyre, duke e shkatërruar ekonominë me çmimet e larta, duke e shkatërruar shëndetësinë me koncesionet korruptive. Këta i kanë shpallur luftë shqiptarëve, kanë varrosur shtetin, kanë ndërtuar shtetin kriminal. Projekti i tyre i fundit, vula me të cilën duan të varrosin Shqipërinë është asgjësimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kanë shpallur zgjedhje moniste, sepse refuzojnë vendimin që ne bashkë e morëm, për të drejtën e patjetërsueshme të qytetarëve shqiptarë.
Edi Rama e di fare mirë se përse e bëri këtë, sepse i trembet gjykimit popullor me votë sepse nuk ka asnjë përgjigje për pyetjet më të thjeshta: ku i ke 300 mijë vende të reja pune? Ku e ke shëndetësinë falas? Ku e ke heqjen e TVSH-së për ushqime te shportës? Ku e ke uljen e çmimit të energjisë elektrike me 6%? Ku i ke subvencionet për fermerët? Ku i ke legalizimet falas? Ka kaq shumë gënjeshtra, ja ku janë premtimet e Edi Ramës.
Edi Rama nuk mbajti asnjë premtim, jo se nuk ishte i zoti t’i mbante, por nuk u përpoq kurrë t’i mbante ato.”/ TIRANA TODAY