Pas vënies së eksplozivit në banesën e tij, ka folur Fetah Mataj, i cili është liruar nga burgu pas një dënimi prej 10 vitesh.
Mataj njihet si mbështetës i Partisë Socialiste, ndërsa në një prononcim për “Durrës Lajm”, ai ka thënë se dyshon që pas këtij akti fshihen njerëzit e Lefter Kokës.
“Ata që e hodhën dhe e bënë këtë janë lepurushë, sepse po të shohin burra më kishin dalë përballë e ma thoshin në sy se çfarë kanë. Unë nuk kam konflikt me asnjë person. Në Durrës e gjithandej lëviz vetëm, nuk kam frikë askënd. Nuk kam konflikt me dikë, nëse ndonjë ka me mua të vijë e të më thotë, çfarë ka. Dyshoj që ma kanë bërë njerëzit e Lefter Kokës. Kam një mesazh për ta: Në Durrës do të jem, aty më gjejnë, kushdo që ka diçka, edhe policisë këtë i thashë”, tha 35-vjeçari.
Gjithashtu, Mataj tha se po flinte gjumë kur ndodhi shpërthimi i fuqishëm, që tronditi banorët e lagjes:
“Isha vetëm me gruan në shtëpi, po flinim gjumë. Dëgjuam shpërthimin, u ngritëm, por lepurushët ishin larguar nëpër natë pa gjurmë”.