Amerikanët kanë dërguar mjete të blinduara në vijën kufitare mes Sirisë dhe Turqisë, në një demonstrim force për të dekurajuar përleshjet mes forcave turke dhe kryengritësve kurdë të Sirisë.
Kjo masë u ndërmor në një kohë, kur presidenti turk Recep Taip Erdogan, ka kërcënuar të kryejë operacione të reja kundër luftëtarëve kurdë në Irak dhe Siri, duke paralajmëruar Shtetet e Bashkuara t’i japin fund mbështetjes për grupe të tilla.
Amerika mbështet nga ajri dhe në forma të tjera, operacionet e forcave kurde, që luftojnë kundër Shtetit Islamik.
Turqia i konsideron forcat kurde të Sirisë si një grup i lidhur me kryengritjen kurde në Turqi dhe gjatë ditëve të fundit i ka sulmuar nga ajri.
Për këtë arsye, forcat amerikane janë angazhuar në patrullimin e vijës kufitare, në këtë zonë të tensionuar mes Sirisë dhe Turqisë.