Pas mbledhjes së zhvilluar nga ambasadorët Lu, Vlahutin dhe Borchardt me krerët e partive të vogla, ka reaguar zyrtarisht Partia Demokratike.
Kjo e fundit, në një deklaratë për mediet, shprehet se Vlahutin po shtrembëron të vërtetën, teksa thotë se PD-ja nuk pranoi të martën propozimet e ndërmjetësuesve europianë.
Sipas saj, PD paraqiti një kundër-propozim me 3 pika:
1. Ofertën që kryeministri i qeverisë teknike të propozohej nga mazhoranca aktuale.
2. Të eksplorohej nëse zgjedhjet me votim elektronik, biometrik dhe numërimi elektronik do të mund të realizoheshin brenda tetorit. Nëse kjo do të rezultonte teknikisht e pamundur, të punohej për identifikimin biometrik të votuesve dhe numërimin elektronik të votës.
3. Menjëherë pas formimit të qeverisë teknike, opozita do të kontribuonte në parlament për zbatimin e plotë të procesit të Vetingut dhe reformës në drejtësi.
Më poshtë deklarata e PD-së:
Partia Demokratike u informua sot nga aleatët opozitarë për qëndrimin e sotëm të ambasadores së BE në Tiranë, Romana Vlahutin, sikur Partia Demokratike gjatë pranisë së ndërmjetësuesve europianë në Tiranë ditën e martë, nuk pranoi propozimet e tyre dhe se nuk paraqiti kundërpropozime apo ofertë tjetër.
Partia Demokratike konstaton me keqardhje të thellë se ky është një shtrembërim total i të vërtetës, dhe fshehje e fakteve.
Pas paraqitjes të propozimit për zëvendësimin e 4 ministrave të qeverisë Rama me persona teknikë dhe shtyrjen e zgjedhjeve për datën 16 korrik, Partia Demokratike në emër të Opozitës së Bashkuar paraqiti një kundër-propozim me 3 pika, me qëllim arritjen e një kompromisi mes palëve:
Ofertën që kryeministri i qeverisë teknike të propozohej nga mazhoranca aktuale.
Përsa i përket datës së zgjedhjeve, oferta e PD ishte që të eksplorohej nëse zgjedhjet me votim elektronik, biometrik dhe numërimi elektronik do të mund të realizoheshin brenda tetorit. Nëse kjo do të rezultonte teknikisht e pamundur, të punohej për identifikimin biometrik të votuesve dhe numërimin elektronik të votës.
Partia Demokratike rikonfirmoi qendrimin e bërë publik prej 10 javësh se menjëherë pas formimit të qeverisë teknike, opozita do të kontribuonte në parlament për zbatimin e plotë të procesit të Vetingut dhe reformës në drejtësi.
Pas paraqitjes së kësaj oferte për kompromis, Partia Demokratike u informua se Edi Rama e refuzoi këtë ofertë, duke çuar në përfundimin pa sukses të përpjekjes për ndërmjetësim.
Partia Demokratike shpreh shqetësimin e thellë për dezinformimin e partive të vogla parlamentare nga ana e ambasadores Vlahutin dhe thekson se qëndrime të tilla qartazi të njëanshme dhe dezinformuese nuk i shërbejnë aspak zgjidhjes së krizës, por përkundrazi ndihmojnë në thellimin e saj.