Kreu i Shtetit, Ilir Meta, ka publikuar në faqen zyrtare të Presidencës përgjigjet mbi 72 pyetjet që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese i drejtuan atij gjatë shqyrtimit të vendimit të Kuvendit për shkarkimin.
“Pas shqyrtimit të përmbajtjes së të gjithë pyetjeve, rezultoi se disa prej tyre në dukje përmbajnë elementë të paragjykimit të çështjes dhe mund të jenë të ndikuara nga perceptimi propagandistik”, thuhet në përgjigjen e Metës drejtuar “Kushtetueses”.
Presidenti Ilir Meta ka publikuar përgjigjet e pyetjeve drejtuar nga Gjykata Kushtetuese dhe nga Kuvendi. Meta ka bazuar argumentin e tij te shkelja procedurale me shkresat, duke e cilësuar si një manipulim, gjithashtu ngriti pretendimin se nuk iu dha mundësia të mbrohet përpara Komisionit Hetimor.
Një pretendim tjetër është se sipas nenit 27, pika 5, të Rregullores së Kuvendit, përcaktimi i rendit të ditës nuk mund të bëhet më vonë se 48 orë përpara zhvillimit të seancës së planifikuar. Po ashtu, ngritja e Komisionit Hetimor nuk ka qenë e përfshirë në rendin e ditës të caktuar nga Kryetari i Kuvendit, që do të thotë se është shkelur neni 31 i Rregullores, që përcakton procedurën që ndiqet për ndryshimin e rendit të ditës të seancës plenare. Këtë pretendim e mbështesni në faktin se në dosjen përkatëse që përfshin diskutimet dhe vendimmarrjen e Kuvendit të seancës së datës 7 maj nuk është shqyrtuar një kërkesë e tillë? Jepni shpjegime më të qarta për këtë pretendim.
Përgjigje: Kuvendi mbart detyrimin që të informojë publikun e gjerë. Për këtë arsye, gjithë aktet mbi veprimtarinë e tij parlamentare duhet t`i publikojë në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni. Në këtë faqe, për çdo seancë plenare, publikohet jo vetëm çdo akt i depozituar, por deri në aktet e brendshme, duke filluar që nga urdhri i Kryetarit të Kuvendit për përcaktimin e rendit të ditës së seancave plenare, vetë rendi i ditës, përmbajtja e projekt akteve dhe veprimtaria e komisioneve respektive.
Siç dhe kemi parashtruar në qëndrimet dhe pretendimet e Presidentit të Republikës, depozituar përmes shkresës nr. 2143 prot., datë 1 korrik 2021, (faqe 106 – 111)1, nga praktika parlamentare e publikuar online, rezulton i botuar dhe Urdhri nr. 19, datë 6.5.2021, i Kryetarit të Kuvendit, lidhur me seancën plenare të datës 7 maj 2021.
Lidhur me këtë proces konstatohen dhe dy shkelje të tjera, pasi në rendin e ditës nuk ishin përfshirë projektvendimi për ngritjen e Komisionit Hetimor, dhe nga ana tjetër rendi i ditës për thirrjen e Seancës Plenare nuk është publikuar 2-ditë përpara datës së caktuar për seancë, siç kërkon Rregullorja e Kuvendit. Në shtojcën 1, (pika 10), dhe në dokumentacionin që i kemi depozituar Gjykatës Kushtetuese që në datën 1 korrik 2021, evidentohet Urdhri nr. 19, datë 6.5.2021 i Kryetarit të Kuvendit, me nr. 1110 prot., datë 6.5.2021 “Për mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare, datë 07.05.2021, ora 10.00”, si dhe bashkëlidhur rendi i Ditës i Seancës Plenare Publike për aktet që shqyrtohen nga Kuvendi në këtë seancë, nxjerrë nga faqja e Kuvendit.
Kuvendi i Shqipërisë, deri më sot nuk e ka kundërshtuar këtë pretendim të Presidentit të Republikës, lidhur me këtë shkelje. Gjithashtu, provat tepër të qarta për këtë shkelje, janë depozituar që prej datës 1 korrik 2021. Megjithatë, pasi Kuvendi u njoh në datën 3.02.2022 me pyetjet që Gjykata Kushtetuese i drejtoi Presidentit, menjëherë në mënyrë të habitshme, të pakërkuar nga asnjë prej palëve dhe as nga vetë Gjykata në seancë, u vetë aktivizua dhe me shkresën nr. 1368/15 prot., datë 4.2.2022 (një ditë pas seancës gjyqësore publike) depozitoi në Gjykatën Kushtetuese, prova shtesë ku përfshihet kopje e njehsuar e: – Urdhrit të Kryetarit të Kuvendit nr.19, datë 05.05.2021, me Nr. 1110 prot., datë 06.5.2021, si dhe bashkëlidhur tij Rendi i Ditës së Seancës Plenare të datës 7 maj 2021.
Gjykata Kushtetuese, duhet të marrë seriozisht vërtetësinë e kësaj prove, pasi në krahasim nga dy dokumentet, pra atë që është publikuar në faqen zyrtare të internetit në maj 2021, jo thjesht në format PDF elektronik, por i skanuar në formën e tij të nënshkruar dhe vulosur rregullisht nga Kryetari i Kuvendit, me atë që depozitohet sot si provë shkresore. Mes këtyre dy versioneve rezultojnë qartë disa ndërhyrje që ngrenë dyshime të forta për manipulim të këtij dokumenti, me qëllim rrëzimin e pretendimeve të faktuara të Presidentit të Republikës për shkeljet procedurale që ka kryer Kuvendi i Shqipërisë gjatë gjithë procesit të ndërmarrë për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Jemi thellësisht të tronditur se si mundet organi i Kuvendit të Shqipërisë, apo administrata e tij, që në përmbushje të një qëllimi të pastër politik, për të mbrojtur para Gjykatës shkeljet që ka kryer në mënyrë flagrante, arrin të manipulojë dhe përmbajtjen e akteve të veta. Konkretisht, dallimet që janë tepër të qarta e të dukshme, po i citojmë:
1) Ka ndryshime të dukshme në datën e urdhrit nr. 19, të Kryetarit të Kuvendit. Në praktikën e publikuar online në maj 2021, urdhri nr. 19 i Kryetarit të Kuvendit, mban datën 06.05.2021, ndërkohë që në praktikën që në mënyrë të pa kërkuar është depozituar nga Kuvendi në datën 4.2.2022, Urdhri nr. 19, i Kryetarit mban datën dy data: mban datën 05.05.2021, në krah të numërtimit të Urdhrit, dhe mban datën 6.05.2021, në krye të tij. Pra, lehtësisht konstatohet: -një ndërhyrje tek data e urdhrit, në raport me aktin e publikuar online; -një datë e ndryshme brenda të njëjtit akt, në versionin e përcjellë si kopje e njehsuar pranë Gjykatës Kushtetuese.
2) Ka ndryshime të dukshme sa i takon pikës 20, të Urdhrit nr. 19, të Kryetarit të Kuvendit ku përcaktohet se çfarë do të shqyrtohesh në datën 7 maj 2021, lidhur me çështjen e shkarkimit të Presidentit, duke ndryshuar përmbajtja e rendit të ditës.
Konkretisht, në Urdhrin nr. 19, datë 06.05.2021, publikuar në faqen e Kuvendit të Shqipërisë pika 20 ka këtë përmbajtje:
– “Projektvendim “Për miratimin e raportit dhe propozimit të komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për ngritjen e një komisioni hetimor, bazuar në kërkesën e një grupi deputetësh për shkarkimin nga detyra e Presidentit të Republikës”.
Ndërkohë që, në Urdhrin nr. 19, datë 05.05.2021 (?!), të paraqitur si provë shtesë nga Kuvendi me shkresën nr. 1368/15 prot., datë 04.02.2022, përcjellë pranë Presidentit nga Gjykata Kushtetuese, pika 20 e këtij urdhri ka këtë përmbajtje:
– “Projektvendim “Për raportin dhe propozimin e komisionit për Çështjet Ligjore,
Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për ngritjen ose mos ngritjen e një komisioni hetimor, për shkarkimin nga detyra e Presidentit të Republikës”.
Pra siç qartësisht është e dallueshme, në këtë urdhër që Kuvendi u kujtua t`ia dërgojë Gjykatës Kushtetuese në formë shkresore në datën 4.2.2022, pa iu kërkuar, është hequr fjala “miratim”, fjala “raportit” është zëvendësuar me fjalën “raportin”, fjala “propozimit” është ndryshuar me fjalën “propozimin”, lidhëza “të”, është zëvendësuar me lidhëzën “e”, pas fjalës “ngritjen”, është shtuar fjala “ose mos ngritjen”, dhe togfjalëshi “bazuar në kërkesën e një grupi deputetësh”, është hequr fare.
Ndërkohë që, nëse e krahasojmë përmbajtjen e Urdhrit nr. 19, datë 05.05.2021, që Kuvendi, i ka paraqitur si provë shtesë Gjykatës Kushtetuese, në datën 04.02.2022, rezulton se vet përmbajtja e urdhrit, siç evidentuam më sipër, nuk përputhet as me rendin e ditës që në formë shkresore e shoqëron atë në praktikën e depozituar në Gjykatë.
Kjo pasi në Rendin e ditës, edhe në variantin që Urdhri i printuar dhe përcjellë shkresërisht i njehsuar nga Kuvendi, citon se: “Në mbështetje të Urdhrit nr. 19, datë 06.05.2021 të Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, rendi ditës është si më poshtë vijon:
“20. “Projektvendim “Për miratimin e raportit dhe propozimit të komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për ngritjen e një komisioni hetimor, bazuar në kërkesën e një grupi deputetësh për shkarkimin nga detyra e Presidentit të Republikës”.
Pra edhe brenda të njëjtës praktikë shkresore që Kuvendi i paraqet gjykatës në datë 04.2.2022, në cilësinë e provës, ka harruar të përputhë praktikën shoqëruese, që e nxjerr zbuluar për ndërhyrjet që ka bërë në akt, kur:
– as vetë data e urdhrit që referohet në rendin e ditës bashkëlidhur nuk përputhet me datën që mban urdhri në kopjen shkresore që ka sjellë Kuvendi, (në rend dite nuk referohet data 5, por data 6 maj 2021);
– ashtu si kundër nuk përputhet as përmbajtja e pikës 20 të urdhrit me pikën 20 të rendit të ditës, në dokumentin shkresor që e shoqëron atë. Ky është veprimi më i rëndë, i Kuvendit, që i dëshpëruar dhe i gjetur në paligjshmëri, tenton deri aty, sa të manipulojë provat që janë bërë publike prej 8 muajsh.
Për më tepër, i duhet rikujtuar Gjykatës Kushtetuese se, Komisioni për çështjet ligjore u mblodh dhe miratoi Raportin që ia përcolli Seancës Plenare, në datën 6 maj 2021. Ndaj nuk ka se si Kryetari i Kuvendit, me urdhër të hartuar që në datën 5, për caktimin e rendit të ditës, të dinte se si do të procedonte Komisioni për çështjet ligjore. Ky fakt është tregues i qartë se versioni i saktë i Urdhrit të Kryetarit të Kuvendit, mban datën 6 maj 2021 dhe është ai i publikuar në faqen zyrtare të Internetit të Kuvendit, me firmë dhe vulë.
Ndërkohë që kopja e përcjellë pranë Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi në datën 4.02.2022, është qartazi e manipuluar, për të mbuluar shkeljet procedurale që ka kryer Kuvendi duke mos respektuar afatin 2 ditor të bërjes publike të Rendit të Ditës e normalisht edhe të dokumenteve që do të shqyrtoheshin në Seancën Plenare.
Kryetari i Kuvendit, jo vetëm që nuk kishte mundësi të dinte vendimmarrjen e Komisionit për çështjet ligjore, e për pasojë që në datën 5 maj 2021, të arrinte të përcaktonte rendin e ditës, por edhe në eventualitetin e një përcaktimi të koordinuar për shkak të situatës së diktuar politikisht, urdhri merr fuqi juridike në datën që protokollohet e që është data 6 maj 2021, datë kjo që nuk ka respektuar afatin 2 ditor që dikton Rregullorja e Kuvendit.
A mendoni se nëse do paraqiteshit në seancën dëgjimore dhe do të paraqisnit argumente në kundërshtim me argumentet e Komisionit Hetimor, Kuvendi do të kishte marrë një vendim të ndryshëm?
Përgjigje: Vendimmarrja e Kuvendit ishte e parapërgatitur, paravendosur, dhe diktuar
politikisht. Prova për këtë është refuzimi i kërkesës dhe të drejtës së Presidentit të Republikës për tu dëgjuar në Komisionin për çështjet ligjore. Pra, mazhoranca e Partisë-Shtet në revanshin për të uzurpuar edhe institucionin e Kreut të Shtetit, refuzoi kërkesën e Presidentit për t`u dëgjuar, pasi ishte shumë e qartë se, kjo do të dërrmonte publikisht të gjithë farsën e parapërgatitur. Për më shumë, referojuni materialit të depozituar që prej datës 1 korrik 2021.