Sizmologu Rrapo Ormeni, duke folur në një lidhje telefonike për “News 24”, tha se që prej pasdites së djeshme janë regjistruar 297 goditje. Lëkundjet kanë qenë të njëpasnjëshme, duke theksuar faktin se nga ora 12:00 e natës janë regjistruar 87 goditje, por me magnituda të vogla. Ai ka qetësuar qytetarët nëse do të ketë një tjetër lëkundje të fortë, por pas-goditjet do të vazhdojnë.
Ishte një natë e qetë, apo problematike?
Ka qenë një natë me më pak lëkundje se dje. E vetmja lëkundje e fortë ishte ajo 4.9 ballë. Që prej pasdites së djeshme, janë regjistruar 297 goditje. Nga ora 12 e natës janë regjistruar 87 goditje, por me magnituda të vogla.
E kemi kaluar rrezikun?
Themi që goditja kryesore ka kaluar, goditje pas goditjeve do të kemi, por nuk do të jenë të rrezikshme.
Sa kohë vazhdojnë këto pas-goditjet?
Vazhdojnë me ditë dhe me javë, por në rënie. Madhësia e tyre vjen vetëm duke u zvogëluar.