Në vitin 1964, në kulmin e Luftës së Ftohtë, një mësues afrikan me emrin Eduard Makuka Nkoloso, shpalli nisjen e programit hapësinor të Zambias, me një duzinë astronautësh adoleshentë, ose siç u quajtën ndryshe “afronautë”. Nkoloso, tha se ishte frymëzuar nga fluturimi i tij i parë me avion.
Kur piloti nuk pranoi të ndalonte avionin, në mënyrë ai që të mund të dilte dhe shëtiste nëpër re, Nkoloso e ndau mendjen të bëhej pjesë e garës hapësinore. Ai kishte ëndrra të mëdha. Synonte që përmes një “sistemi ndezës” të frymëzuar nga katapultat që përdoreshin nga ushtritë e lashta, të dërgonte në Hënë një anije kozmike të prodhuar prej alumini dhe bakri, “Ciklopi I”, që do të kishte në bord 10 “afronautë”.
“Pasardhësit tanë, shkencëtarët zezakë, do të vazhdojnë të eksplorojnë pafundësinë e qiellit derisa të kontrollojmë të gjithë hapësirën e jashtme”- shprehej ai. Një ish-protektorati britanik i Rodezisë Veriore, Republika e Zambias, është një vend i varfër në Afrikën Jug-qendrore. Popullsia është e përqendruar kryesisht rreth kryeqytetit Lusaka në jug.
Zambia shpalli pavarësinë nga Britania më 24 tetor 1964, dhe presidenti i parë ishte Kenet Kaunda. Eduard Nkoloso lindi më 1919, në pjesën veriore të Rodosisë Veriore. Nkoloso e kishte njohur Kaundën që kur ishte i ri. Nkoloso donte të bëhej prift, por u dërgua bashkë me forcat e regjimentit rodezian në Luftën e Dytë Botërore.
Pas luftës, u bë përkthyes për qeverinë e Rodezisë së Veriut. Ai hapi edhe një shkollë të re, që u mbyll shpejt nga autoritetet britanike. Si ish-ushtarët e tjerë zezakë në mbarë botën, Nkoloso kishte zbuluar se lufta për llogari të burrave të bardhë, nuk i garantoi një jetë më të mirë në shtëpi.
“Ne jemi tërësisht të harruar- shkroi ai në emër të ish-ushtarakëve afrikanë, në një letër drejtuar redaktorit të “The Northern News”. Nkoloso dha mësim në shkollat e mesme në mbarë vendin, duke mësuar latinisht, shkencat dhe matematikë. Ai iu bashkua lëvizjes së rezistencës, për shkak të së cilës u arrestua, dhe u burgos në vitet 1956-1957.
Pas lirimit të tij, u emërua zyrtar i sigurisë i Partisë së Bashkuar të Pavarësisë Kombëtare. Në vitin 1964, pasi mori pjesë në Konventën Kushtetuese, Nkoloso, themelues në vitin 1960 i Akademisë Kombëtare të Shkencës, Kërkimit Hapësinor dhe Filozofisë në Zambia, u përpoq të bindte qeverinë e tij që të hartonte një program kombëtar hapësinor, në përpjekje për të dërguar në Hënë të parin astronaut afrikan ose “afronaut ”, term i shpikur nga vetë mësuesi i shkencës.
Më pas 12 afronautë dhe 10 mace në planetin Mars. Në një editorial në një gazetë, Nkoloso pretendoi se kishte studiuar Marsin me teleskopët që mbante në “selinë e tij sekrete” jashtë Lusakas. Ai pretendonte se planeti i kuq ishte i populluar nga vendasit primitivë.
Në atë kohë, popullsia e Zambias ishte 3.5 milionë banorë, nga ku gati 1500 njerëz kishin mbaruar shkollën e mesme, dhe më pak se 100 ishin diplomuar në universitet. Nkoloso ngriti një strukturë stërvitore 10 kilometra larg kryeqytetit, ku vullnetarët e veshur me pantallona të gjera dhe helmeta të ushtrisë britanike, hipnin mbi fuçi nafte 200-litroshe, dhe lëshoheshin poshtë një kodre, duke u rrotulluar mbi një terren të ashpër.
Shkretëtira e Kalaharit, u dha mundësi të praktikonin “uljet në Hënë”. Godfrej Muango, asokohe 21-vjeç, ishte ngarkuar me misionin e uljes në Hënë. Mata Muamba, 16-vjeçe, do të nisej për në plantin Mars. Qeni i Nkolosos, Ciklopi, do të ndiqte gjurmët e qenit të famshëm rus, Laika.
Vetë Nkoloso mbante veshur një helmetë luftarake dhe një uniformë ushtarake ngjyrë kaki. Afronautët e tij vishnin ndonjëherë xhaketa satin me ngjyrë të gjelbër, dhe pantallona të verdha. “Disa njerëz mendojnë se unë jam i çmendur. Por jam unë ai që do të qesh ditën, kur të vendos flamurin e Zambias në Hënë”- tha Nkoloso për një reporter të agjencisë amerikane “Associated Press”.
Nkoloso pretendonte se vendi i tij jo vetëm që do të mundte amerikanët dhe sovjetikët në garën se kush do të shkelte i pari në Hënë, por se do ta bënte këtë brenda një viti. Ai tha se synimet e programit të tij hapësinor, ishte ngritja e një ministrie kristiane për marsianët “primitivë”. Ai shpresonte që Zambia të bëhej “kontrolluesja e Qiellit të Shtatë të Hapësirës Ndëryjore”. Gazetat vendase raportonin ndërkohë për shuma të mëdha parash, duke filluar nga 20 milionë në 2 miliardë dollarë, që Nkoloso kërkoi nga Izraeli, Rusia, SHBA-ja dhe Republika e Bashkuar Arabe.
Në fakt askush nuk pa më shumë sesa një ”pirg letrash nga dashamirës të huaj, që përmbanin shumë këshilla, por asnjë shumë monetare, përveç 10 rupive të dërguara nga një nxënës indian, i apasionuar pas hapësirës”. Në një tjetër editorial për një gazetë vendase, Nkoloso tha se i kishte kërkuar UNESCO-s një grant prej 7 milionë sterlinash për programin e tij hapësinor, dhe se si i kishte udhëzuar misionarët që të mos ua impononin me forcë Krishterimin banorëve të Marsit, në rast se këta nuk e donin.
Nga ana tjetër, ai këmbëngulte të ruante sekretet e tij. “Nuk mund t’i besohet askujt për një projekt të këtyre përmasave. Disa nga idetë tona, janë shumë të përparuara në krahasim me ato të amerikanëve dhe rusëve. Dhe unë do të lejoj askënd të shohë projektet e mia mbi raketat”.
Nkoloso e kishte një “plan”, se si të arrinte në hapësirën e jashtme. Raketa, me emrin “D-Kalu 1”, do të kishte përmasa 3 me 2 metra. Data e planifikuar për lëshimin e saj ishte 24 tetor 1964, Dita e Pavarësisë së Zambias. Për fatin e keq të Eduard Nkolosos dhe afronautëve, fondet nga UNESCO nuk erdhën kurrë.
Për më tepër, një prej afronautëve, 17-vjeçarja Mata Muamba kishte mbetur shtatzënë, dhe nuk lejohej të dilte nga shtëpia nga prindërit e saj. Që atëherë, “programi hapësinor” mbeti në vend. Nkoloso tha më vonë se programi dështoi për shkak të mungesës së fondeve.
Sipas tij, raketa ishte sabotuar “nga elementë të huaj”. Vetë qeveria e Zambias u distancua nga projekti i Nkolosos. Mësuesi garoi pa sukses për bashkinë e Lusakas. Ai u emërua nga presidenti Kaunda në Qendrën Nacionalçlirimtare, një lëvizje rajonale për liri.
Nkoloso doli në pension në vitin 1972. Me kalimin e viteve, ai nisi të quhej “një i çmendur i padëmshëm” dhe një “idiot i Zambias”. Eduard Makuka Nkoloso vdiq më 4 Mars 1989, dhe u varros me nderime presidenciale. Ish-presidenti i Zambis, Kenet Kaunda, deklaroi në një intervistë në vitin 2016, se programi hapësinor se “nuk ishte një gjë reale… ishte më shumë diçka argëtuese”./ TIRANA TODAY