Bota

1944: Aleatët zbarkojnë me sukses në Francë, Hitleri ishte në gjumë dhe askush nuk guxoi ta zgjonte

               Publikuar në : 17:53 - 08/06/19 S.N

Planifikimi për Operacionin “Overlord” nisi që në vitin 1943, nën drejtimin e gjeneralit amerikan Dwight D Eisenhower. Gjenerali britanik Bernard Montgomery, heroi i Ushtrisë së Tetë në Afrikën e Veriut, u ngarkua të drejtonte trupat tokësore. Në prag të zbarkimi në Francë, u organizuan rreth 3.200 misione zbulimi, për të fotografuar bazat kryesore ushtarake gjermane.

Normandia u zgjodh ndaj ngushticës në Pa dë Kale, pasi linjat mbrojtëse gjermane ishin më të lehta, dhe trupat aleate do të kishin më pak lumenj dhe kanale për të kaluar. D-Day ishte vendosur të ndodhte fillimisht më 5 qershor 1944, por u shty për 24 orë, për shkak të motit të keq.

Zbarkimi 75 vite më parë ishte masiv, sa që 4 për qind e rërës në plazhet e Normandisë ka ende sot në përbërje grimca metalike. Udhëheqësi nazist, Adolf Hitleri nuk u vu në dijeni që në fillim për zbarkimin e madh të aleatëve. Ai ndodhej prej disa ditësh në residencën e tij në Alpet e Bavarësisë, së bashku me Joseph Goebbels dhe disa hierarkë të tjerë nazistë. Pasi festuan deri vonë, Fyhreri shkoi të flejë në orën 3 të mëngjesit.

Vetëm 3 orë e gjysmë më vonë, në 6:30 të mëngjesit, nisi pushtimi aleat i Normandisë. Askush nuk guxoi që ta zgjonte Hitlerin nga gjumi. Hitleri u zgjua vetë në mesditë, dhe pas gati 6 orësh nga nisja e sulmit, ministri i Luftës e informoi për zbarkimin masiv të armikut në rajonin francez të Normandisë.

Por as në atë moment Hitleri nuk e mori seriozisht lajmin, dhe veproi shumë ngadalë për të autorizuar nisjen e përforcimeve. Ky gabim, u dëshmua të ishte fatal për fatin e operacionit dhe krejtësisht luftës. Ndërkaq, marshalli i famshëm gjerman, Erwin Rommel, ishte përgjegjës për mbrojtjen e Francës Veriore nga pushtimi i pritshëm i aleatëve. Më 6 qershor 1944, ai ndodhej në shtëpinë e tij në Gjermani, duke kremtuar 50-vjetorin e gruas së tij, pasi i ishte thënë se deti ishte tepër i trazuar për ndonjë zbarkim të mundshëm të Aleatëve.

Aleatët përdorën në total rreth 1.5 milionë trupa në atë zbarkim. E megjithatë, patën deri në momentet e fundit dyshime mbi suksesin e operacionit. Madje, Eisenhower kishte shkruar paraprakisht një deklaratë të zymtë, që do të publikohej në rast se zbarkimi do të dështonte. “Zbarkimet tona në zonën e Cherbourg-Havre, dështuan të arrijnë misionin, dhe unë tërhoqa trupat. Vendimi im për të sulmuar në këtë kohë dhe atë vend, ishte bazuar në informacionin më të mirë që patëm në dispozicion. Trupat ajrore, detare dhe tokësore, shfaqën gjithë atë trimëri dhe përkushtim në detyrë. Nëse ka dikush faj në këtë dështim, ai është vetëm i imi”- thuhej në deklaratën e shkurtër.

Dhe kjo frikë nuk ishte e pabazë. Veç fuqisë së madhe ushtarake që zotëronte armiku, ekzistonte një frikë e madhe për dekonspirimin e ditës, orës dhe vendeve të zbarkimit. Kështu, pak javë para zbarkimit, MI-5, shërbimi sekret britanik u alarmua, duke menduar se planet e tyre për pushtimin e Normandisë ishin zbuluar, kur për shkak të një rastësie të çuditshme, në shtyp u botua një fjalëkryq, përgjigjet e të cilit përmbanin të gjithë emrat e kodeve të operacionit D-Day.

Hetimet e imtësishme, zbuluan se bëhej fjalë për një rastësi, dhe nuk kishte asgjë të dyshimtë. Pavarësisht nga rezistenca e ashpër e gjermanëve, trupat kanadeze depërtuan më shumë në brendësi të territorit, sesa çdo njësi tjetër që zbarkoi atë ditë. Interesant është fakti, që një anije që i mbijetoi zbarkimit të D-Day, është ende sot në shërbim si një traget në SHBA.

Në një nga stërvitjet që i parapriu D-Day, me emrin e kodua “’Exercise Tiger”, vdiqën 946 ushtarë amerikanë, kur anijet e tyre u sulmuan nga disa nëndetëse gjermane.

Spanjolli Juan Pujol Garcia, i njohur shkurt si Garbo, ishte një agjent i dyfishtë britaniko-gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai fitoi Kryqin e Hekur të Hitlerit për informimin se D-Day do të ndodhte në Ngushticën e Doverit. Në fakt, ishte një diversion, për të shmangun vëmendjen nga Normandia. Për këtë shërbim të vyer, britanikët e dekoruan me medaljen më të artë të trimërisë.

Ditën e parë zbarkuan mbi 156.000 trupa në Normandi. Forcat ajrore gjermane nuk arritën të gjuanin asnjë avion aleat në ajër. Aleatët përdorën atë ditë mbi 1900 avionë, ndërsa gjermanët arritën të ngrenë në ajër më pak se 70. Pavarësisht planifikimeve të detajuara, vetëm 15 për qind e parashutistëve u ul në vendin e përcaktuar, natën e parë të pushtimit.

Trupat aleate u përballën me mbrojtjen e frikshme, si një nga pjesët e Murit të Atlantikut, të cilin Hitleri e ndërtoi përgjatë bregut, duke shfrytëzuar më shumë se 100.000 punëtorë. Komanda e Lartë e trupave aleate, mendonte se një ulje e suksesshme do të kushtonte 10.000 të vdekur dhe 30.000 të plagosur vetëm ditën e parë.

Fatmirësisht humbjet atë ditë ishin shumë më të pakta 4.572 të vrarë. Ndërkohë, gjermanët vlerësohen të kenë humbur në D-Day rreth 9.000 trupa. Viktima e parë britanike gjatë D-Day ishte lejtnanjti Den Brotheridge, i qëlluar në qafë pak pas parashutimit në Francë nga një avion në orën 00.16 pas mesnate.

Njësia e tij u ngarkua me pushtimin e urës Pegasi, një objektiv që u arrit. Përgatitja e operacionit, nuk la jashtë as detajet më të vogla. Kështu ushtarëve iu shpërndanë prezervativë, të cilët u përdorur kryesisht për grykat e armëve të tyre, për t’i mbajtur ato të thata gjatë zbarkimit në breg.

Udhëheqësit perëndimorë, ishin në tension dhe shumë nervozë në prag të operacionit. Mbrëmjen para zbarkimit, kryeministri britanik Winston Churchill, i tha gruas së tij: “A e kupton se kur të zgjohesh nesër në mëngjes, mund të jenë vrarë 20 mijë njerëz?”. Ndërkohë, në prag të betejës së madhe Eisenhoëer u tha trupave: “Ju do të filloni një kryqëzatë të madhe, ndaj së cilës jemi përgatitur për muaj të tërë. Sytë e të gjithë botës janë mbi ju!”.

Fotograf i famshëm, Robert Capa, kapi disa prej imazheve më të paharrueshme të asaj dite. Mjerisht, vetëm një pjesë e vogël e shkrepjeve mbijetuan, të tjerat u shkatërruan aksidentalisht nga një teknik i laboratorit. Pushtimi i Normandisë zgjati në total 77 ditë, deri kur forcat aleate kaluan lumin Senë në muajin gusht. Në total, aleatët patën rreth 200.000 viktima. Nga gjermanët nuk ka shifra të besueshme, por vlerësohet se rreth 200.000 ushtarë u vranë ose u plagosën, dhe rreth 200.000 të tjerë u kapën robër./ Tirana Today

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT