Kryeministri Rama ka shpërthyer pakënaqësitë sot ndaj Policisë së Shtetit, ndërsa ka cekur rastin e Sarandës, ndërtimet pa leje, dhunën ndaj grave etj. Tejet i revoltuar ndaj mos parandalimit të krimit, ai ia faturon fajin uniformave blu, duke lëshuar një lum kritikash. Në takimin me strukturat e Policisë së Shtetit, Rama ngriti shqetësimin për ndërtimet pa leje, zaptimin e territoreve dhe mos ndëshkueshmërinë e tyre. Me tone të ashpra, ai deklaroi se Policia e Shtetit shkon dhe arreston persona në fshatra të thellë të Shqipërisë për një avlli ose vendosjen e një gardhi, ndërkohë që persona të tjerë betonizojnë bregdetin apo zona të tjera përpara syve të këtyre strukturave. Kreu i qeverisë pohoi po kështu se policia është selektive dhe e përfshirë në korrupsion, duke lejuar ndërtimet pa leje.
Kryeministri u ka lënë një afat 100-ditor drejtuesve të policisë, që të gjejnë dhe të çojnë para drejtësisë të gjithë të infiltruarit brenda Policisë së Shtetit, të cilët bashkëpunojnë me krimin. I prerë në reagimin e tij, Rama deklaroi se në këto 100 ditë, çdo qark duhet të japë patjetër rezultat, për të dhënë shembujt e qartë se nuk ekziston pa ndëshkueshmëria në Policinë e Shtetit.
“Keni 100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit. Asnjë ditë më shumë, vetëm 100 ditë! Që qytetarët të marrin frymë shumë të plotësuar, duke e parë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër. Asnjë shkencë, asnjë shpikje, asnjë luftë me një të panjohur, thjesht dhe vetëm gjërat që i dini, që dini t’i bëni mirë, se ndaj jeni zgjedhur, gjërat që njerëzit duan si themelin e marrëdhënies me shtetin dhe policinë e tyre.
Kjo duhet bërë në respektin e vetes, të masës dërmuese të trupës që është korrekte dhe që nuk ka pse i paguan koston një pjesë që duhet zhdukur nga Policia e Shtetit dhe që duhet të shkojë para drejtësisë. Në çdo qark, në 100 ditë, duhen dhënë shembujt e qartë, që nuk ka polici pa ndëshkueshmëri. Ju nuk e keni fare problem t’i gjeni, t’i kapni për krahu e t’i çoni para drejtësisë. Ky është një objektiv i palëvizshëm. Në çdo qark, policë rrugorë, komisarë, shqiponja, skifterë, qakej, që rrinë si të infiltruar brenda trupit, duhet të shkojnë para drejtësisë”, u shpreh Rama.
Rama i ashpër me drejtuesit e policisë
Kreu i qeverisë u tregua i prerë me drejtuesit e policisë vendore, teksa ka thënë se krimi i ndërtimeve pa leje bëhet në sy të tyre. “Nga ana tjetër, në këtë vit që kemi hyrë, me një llogari të thjeshtë është viti i disatë që shohim me keqardhje që Policia e Shtetit dhe drejtuesit vendor akoma nuk e kanë përvetësuar plotësisht misionin e mbrojtjes së territorit në çdo aspekt. Ka qenë një problem i madh i gjithë administrimit dhe menaxhimit të shtetit për dekada, ndarja e policisë nga ky mision. Ne e kemi njehsuar këtë mision me Policinë e Shtetit. Në të gjitha aspektet e cënimit të pronës publike dhe mjedisit. Për cilën arsye në botë do të kemi akoma shfaqje sporadike të ndërtimeve pa leje. Korruptimi i Policisë së Shtetit. Bashkëpunimi në krim ndërkohë që në Parlament në muajt e fundit ka kaluar një tjetër paketë përforcuese e fuqisë së ligjit në raport me mbrojtjen e territorit. Kostot e ndërtimeve abuzive janë marramendëse për shtetin shqiptar, dhe qytetarët nuk duhet të paguajnë asnjë cent për ato kosto.
Parametrat e sigurisë rrugore dhe garantimi i pacënueshmërisë së territorit nga ndërtimet pa leje duhet të jetë prioritet i palëvizshëm për çdo drejtues i Policisë së Shtetit. Raportin me territorin duhet t’i ketë si dy anët e të njëjtës medalje të punës së përditshme. Janë çuar për ndjekje penale fshatarë në zona të humbura për një avlli, gardh, një mur. Ndërkohë janë toleruar veprimtari kriminale të ndërtimit pa leje në zonat turistike, në zonat e mbrojtura natyrore arkeologjike dhe kështu me radhë. Megjithëse në mënyrë të përsëritur e kam nënvizuar dhe me drejtuesit vendor të Policisë së Shtetit që është e turpshme, është e frikshme dhe e pagëlltitshme që strukturat e policisë në territor të shpenzojnë energji dhe kilometra e kohë për të shkuar dhe për të futur në telashe dhe ndjekje penale fshatarë që rregullojnë avllitë ndërkohë që përpara syve të tyre, dhe bashkëpunimin e tyre në korrupsion, hidhet beton në pjesët më të bukura të trupit të vendit tonë.
Janë puçra me qelb në trupin e një bukurie si Shqipëria. Çfarë bën Policia e Shtetit në këto kuadrate të ndara mes komisariateve, kthen sytë nga ana tjetër. Këtu nuk flitet për skena krimi ku në pak sekonda del një armë dhe ata që gjuajnë ikin me motor. Janë skena krimi me orë dhe netë të tëra. Është krim i përcaktuar si i tillë në Kodin Penal. Me dënime shumë të rënda dhe këto skena krimi, zhvillohen në sytë e policëve që kanë detyrimin ligjor të veprojnë menjëherë. Këtu emri është korrupsion, nuk ka tjetër”, tha Rama.
Rama: Ndërtimet pa leje në zona turistike, zhvillohen në sy të policëve
Teksa u ndal tek sezoni veror dhe shembja e ndërtimeve pa leje në vijën brengdetare, Rama tha se përgjegjësia për këtë është e Policisë së Shtetit. Sipas tij, është tejet problematike mos informimi permanent me ligjin, me normat, parimet ligjore që vepron Policia e Shtetit. Ai i mëshoi fort faktit se ligjin duhet ta njohë e zbatojë çdo punonjës policie, në çdo cep të territorit.
“Ajo që konsideroj problematike është mosnjohja dhe mos informimi permanent me ligjin, me normat, parimet ligjore që vepron Policia e Shtetit. Ligjin duhet ta njohë e zbatojë çdo punonjës policie, në çdo cep të territorit. Policia e Shtetit duhet të jetë një vatër dijeje, dijeje për praktikat e teknologjisë në inovacion. Dije për praktikat e mira deri tek sjellja. Që kjo vatër dije të funksionojë plotësisht duhet që edukimi në vazhdim, trajnimet, provimet brenda për brenda të jenë të pandërprera. Të gjithë kemi nevojë të mësojmë çdo ditë, sepse ka vend për të mësuar. Qëllimi i këtyre ndryshimeve në Policinë e Shtetit është i veçante.
Synimi i materializuar në personat, që sot drejtojnë falë besimit që kanë marrë nga Drejtori i Përgjithshëm është që njerëz me profesionalizëm, me integritet, rezultate, të marrin në dorë drejtimin e policisë në këtë fazë të re. Një fazë e re e planifikuar prej kohësh, e përshpejtuar nga ngjarjet e fundit që kërkon ngjitjen e mëtejshme në një nivel mesatar evropian, me shifra dhe standarde të Policisë së Shtetit. Nëse do të rendisja prioritetet me numra, do të thosha prioriteti nr 1 është raporti me qytetarin, që kërkon që patrullat e renditet, forcat “Shqiponja”, të hynë në një proces shkundjeje të fortë dhe lëvizje nga brenda, për të promovuar drejtues policie si ju vetë që keni marrë besim të ri, e për të garantuar që marrëdhënia me qytetarin të jetë A-ja dhe ZH-ja e vlerësimit për çdo punonjës policie.
Nuk duhen shumë, mjaftojnë shumë pak individë që flasin për çart për të degraduar imazhin e të gjithëve. Nuk janë të gjithë punonjësit që ndalojnë njerëzit në rrugë për lekë, janë shumë pak prej tyre, por janë mjaftueshëm për të degjeneruar imazhin e të gjithëve bashkë. Prioriteti 2 i policisë është kontrolli i plotë i territorit, në sensin e mbrojtjes së pronës publike dhe mjedisit. Nuk ushtrohen aktivitet i paligjshëm në trupin e Shqipërisë. Policia është gardiane e pacenueshmërisë së trupit të këtij vendi, që “Burrat e dheut e thërrisnin zonjë”. Këtë zonjë, duhet ta mbrojë Policia e Shtetit nga çdo cënim, puçër me qelb që ia nxjerrin në trup dhunuesit”.
Rama: Për rastin e Sarandës duheshin shkarkime
Rama u ndal tek rasti i Sarandës, ku gjatë një sulmi me armë mbeti i plagosur një turist dhe një biznesmen, duke theksuar se nuk duheshin kaluar me vërejtje por me përjashtim imediat dhe ndëshkim penal të zinxhirit drejtues.
“Rasti i Sarandës ishte alarmant. Ai rast duhet të çonte në ndëshkimin penal të të gjithë zinxhirit të komandës në Sarandë, dhe jo me masa ordinere. Përjashtim imediat dhe ndëshkim penal të personave përgjegjës. Kush e mban përgjegjësinë për sakatimin e njerëzve në lokal në 1 të natës, përveç atyre që e kanë lejuar?! Një sfidë ndaj ligjit dhe qytetarit të mirë. Në mes të qytetit. Unë nuk mund të hyj tek ata që fajësojnë Policinë e Shtetit se një i çmendur shkel gazin dhe sakaton njerëz të pafajshëm në rrugë, apo se dy palë futen në konflikt në 1 të natës“, tha Rama.
“Shpërfillen klithmat e grave”, Rama rikthen Komisariatin Dixhital
Projekti i Saimir Tahirit që rezultoi i suksesshëm gjatë drejtimit të tij si ministër, në raport me bashkëpunimin Polici-Komunitet, ka marrë vemendjen e kreut të qeverisë. Sipas Ramës, dhuna në familje është shpërfillur nga komisariatet. Rama kërkoi ndërhyrje emergjente për këtë fenomen.
“Prioriteti i fundit është vënia në përdorim me një standart tjetër dhe teknologji tjetër dhe me një protokoll më rigoroz i “Komisariatit Dixhital”. Komisariati Dixhital ka qenë një ndihmë e madhe dhe tani kemi mundësi ta çojmë në nivel tjetër dhe qytetari ta ketë në xhep dhe ai “sy” të jetë në dorën tuaj.
Te “Komisariati Dixhital” do të përmend një element shumë denoncues. Denoncimet për dhunën në familje. Është shumë shqetësuese që Policia e Shtetit ka një ndjeshmëri shumë të ulët ndaj këtij problemi.
Është shqetësues fakti që në komisariate shpërfillen klithmat e grave dhe vajzave që dhunohen. Shpërfillen totalisht vuajtjet dhe dhimbjet e patregueshme të atyre që mund të ishin gratë dhe motrat e secilit prej jush dhe nesh. Në këtë aspekt, duhet ndërtuar brenda sistemit një rrjet me persona përgjegjës.
Numrin e caktoni ju, që të merret me dhunën në familje dhe që çdo thirrje të trajtohet me maksimumin e respektit për ato gra dhe vajza që përfundojnë në tehun e sëpatës. S’ka mirëkuptim me burrat në këtë fushë. Policia s’mund të jetë kopje e gjykatave që marrin lekë nga abuzuesit dhe i lënë të lirë në sallë, duke i hedhur në fyt të vajzave e grave”.