Nga Emma Anderson “Politico”/Evropianët mezi gjetën kohë javët e fundit, për të marrë frymë nga një vit i madh zgjedhor. Por s’do të kalojë edhe shumë kohë, përpara se shumica e kontinentit të përfshihet sërish nga ethet elektorale në vitin 2018.
Disa nga “vatrat” më të nxehta politike të Evropës, do të jenë aktive. Vladimir Putin i Rusisë dhe Viktor Orban i Hungarisë, po kërkojnë të rizgjidhen në postet e tyre, ndërsa Silvio Berluskoni në Itali po bën fushatë për të rikthyer partinë e tij në pushtet. Le të shohim shkurtimisht, se cilat janë proceset zgjedhore, që do të kenë ndikim në Evropë gjatë këtij viti që sapo ka filluar.
Zgjedhjet presidenciale çeke të 12-13 janarit
Milosh Zeman, politikan provokator dhe politikisht jokorrekt, shpreson të fitojë një mandat tjetër, pasi u bë presidenti i parë çek që u zgjodh drejtpërsëdrejti nga populli në vitin 2013.
Nëse Zeman ia del, dhe populisti tjetër Andrej Babis arrin të formojë një qeveri të qëndrueshme si kryeministër, ka të ngjarë të jetë edhe më e vështirë për Komisionin Evropian, të detyrojë Pragën të rreshtohet në të njëjtën linjë me Brukselin për çështje të tilla si emigracioni dhe kontrolli i armëve.
Ndërsa Zeman mund të fitojë lehtësisht raundin e parë, ai mund të përballet me një balotazh të ndërlikuar, nëse nuk ia del të fitojë menjëherë shumicën. Raundi i dytë, do të mbahet në datat 26-27 janar. Sfidanti më i vështirë i Zeman është Jiri Drahos, ish-presidenti i Akademisë Çeke të Shkencave.
Zgjedhjet parlamentare italiane të 4 marsit
Italia do të zgjedhë anëtarët e rinj në të dyja dhomat e parlamentit në marsin e këtij viti, kur do të jetë hera e parë që do të zbatohet edhe një ligj i ri elektoral i diskutueshëm. Ligji, që favorizon koalicionet mbi partitë e veçanta, u kundërshtua ashpër nga Lëvizja populiste Pesë Yjet, e cila refuzon të hyjë në aleanca me partitë tradicionale.
Partia anti-parisë politike, pretendon se ligji është projektuar për të zbehur shanset e saj për t’u ngjitur në pushtet. Sondazhet tregojnë se Lëvizja Prsë Yjet, mund të rezultojë si partia më e madhe në vend, ndërsa Partia Demokratike në pushtet po humbet përditë terren në batakun e luftës politike.
Por ekspertët elektoralë paralajmërojnë se nëse sondazhet janë të sakta, sistemi i ri nuk do të jetë në gjendje të prodhojë një fitues të qartë, duke nënkuptuar që do të nevojiten bisedime politike të stilit të vjetër, për të shmangur një krizë politike.
Ish-kryeministri Silvio Berluskoni, është rikthyer të drejtojë në këto zgjedhje forcën e tij politike të qendrës së djathtë, Forza Italia. Berlusconi shpreson të shpallet përfundimisht i pafajshëm nga akuzat për evazion fiskal, në mënyrë që të mund të emërohet sërish kryeministër, por po kërkon gjithashtu edhe kandidatë alternativë, nëse ai nuk ia del.
Zgjedhjet presidenciale ruse të 18 marsit
Vladimir Putin po kërkon një mandat tjetër si president. Ai ndodhet në pushtet prej gati 18 vjetësh, qoftë si president apo kryeministër. Me një popullaritet që e tejkalon 80 përqindëshin, Putin nuk përballet me shumë konkurrencë. Ai është në rrugën e duhur për t’u bërë udhëheqësi më i gjatë në pushtet në Rusi, që nga koha e diktatorit sovjetik Josif Stalin.
Rivali i tij kryesor politik, Alexei Navalny, është i ndaluar të garojë për shkak të një dënimi për shpërdorim fondesh, të cilin Navalny e ka quajtur një lëvizje politike për të penguar atë që ta sfidojë Putinin.
Navalny i ka bërë thirrje mbështetësve të tij të bojkotojnë zgjedhjet.
Një sfidante tjetër është Ksenia Sobchak, një socialiste me lidhje të ngushta me Putinin, kandidatura e të cilës shkaktoi akuza të ashpra ndaj Kremlinit nga ana e opozitës.
Zgjedhjet parlamentare hungareze të pranverës së këtij viti
Data e saktë e zgjedhjeve duhet ende të caktohet, por një gjë është tashmë e qartë: Partia populiste Fidesz e kryeministrit Viktor Orban, ruan një avantazh të madh mbi rivalët e saj.
Ajo shpreson të rifitojë shumicën prej dy të tretat e vendeve në parlament, e nevojshme për të ndërmarrë ndryshime kushtetuese, pasi e humbi të ashtuquajturën “super-shumicë” në zgjedhjet e vitit 2015.
Për të arritur synimin e tij, Orban ka bërë fushatë edhe jashtë kufijve të vendit, tek qytetarët hungarezë në vendet fqinje. Partia e ekstremit të djathtë, Jobbik, është rivalja më e madhe e Fidesz, dhe disa të majtë që dëshirojnë të rrëzojnë me çdo kusht Orbanin, janë duke tejkaluar dallimet ideologjike për të bashkëpunuar me Jobbik.
Vetë Jobbik po punon për të distancuar veten nga e kaluara e saj ekstreme, ndërsa zgjedhjet janë pranë. Por kërcënimi për gjobitjen me 2 milionë euro nga Zyra e Auditimit të Shtetit, mund të dëmtojë shanset e kësaj partie. Zyra tha se Jobbik ka marrë financiare të paligjshme në fushatat e shkuara zgjedhore.
Ndonëse nuk po garon për ndonjë post, një figurë me ndikim në këto zgjedhje është miliarderi hungarezo-amerikan George Soros. Orban dhe Soros qenë dikur aleatë, por më pas u bënë armiq të egër me njëri-tjetrin. Soros e akuzon Orban se është një autokrat i rrezikshëm. Orban e akuzoi së fundmi Sorosin, se po përpiqet ta rrëzojë nga pushteti me anë të metodave jo-demokratike.
Zgjedhjet lokale polake të fundit të vitit 2018
Gati një vit përpara zhvillimit të zgjedhjeve lokale, partia qeverisëse Ligj dhe Drejtësi (PiS), ndërmori një reformë të diskutueshme të ligjit zgjedhor, në lidhje me dhomën e ulët të parlamentit, për të cilin opozita thotë se është hartuar për të ndihmuar shtimin e shanseve zgjedhore të PiS.
Ndërkohë, kjo e fundit pretendon se reformat do ta bëjnë sistemin më transparent. Ndryshimet në ligjin zgjedhor, janë në mesin e një numri propozimesh të PiS, tejet të kritikuara kohët e fundit nga BE, duke përfshirë reformat në sistemin gjyqësor. Ato e çuan Komisionin Evropian të nxisë procesin e Nenit 7, që mund të çojë në pezullimin e të drejtave së votës së Polonisë në BE.
Zgjedhjet parlamentare suedeze të 9 shtatorit
Kryeministri socialdemokrat, Stefan Löfven, shpreson të fitojë një mandat tjetër, dhe sondazhet tregojnë se partia e tij kryeson. Por partnerët e tij të Partisë së Gjelbër, rrezikojnë të mos kapin pragun prej 4 për qind për të hyrë në Riksdag (parlament). Në këtë skenar, socialdemokratët mund të kenë nevojë për një partner të ri, në një kohë që aleanca e qendrës së djathtë, e udhëhequr nga konservatorët e moderuar, mund të ketë shansin për të qeverisur.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce