Analisti i njohur, Mentor Nazarko ka komentuar zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, teksa më 13 qershor, do të zhvillohen votimet për zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj force politike.
I ftuar në rubrikën ”Opinion” në ”News 24”, Nazarko u shpreh se kryedemokrati Lulzim Basha është më i favorizuar në këto zgjedhje brenda partisë.
Por, sipas tij, futja në garë e Agron Shehaj do ta vendosë Bashën në një pozitë të vështirë. Nazarko tha se Shehaj nuk ka bërë jetë politike, teksa shtoi se ai është i pëlqyer në rrjetet sociale dhe ka sukses në biznes.
Mentor Nazarko: ”Basha është më i favorizuar, por hyrja në lojë e Shehajt e vë në pozitë të vështirë. Shehaj është outsider, nuk ka bërë një jetë politike, partiake, graduale, nga simpatizant i partisë, degën e Vlorës etj. Ai prej imazhit të tij, suksesit në biznes jashtë vendit, edhe i pëlqyeshëm në rrjetet sociale, shumë i rëndësishëm për shekullin që jetojmë, është kandidat problematik, pa hipoteza me qeverinë, s’ka pasur poste. E pasuron garën brenda PD, dhe në përfytyrimin tim një që mund Ramën pas Bashës, është një njeri i bërë vetë, që nuk ak hipoteka, reflekton energjinë e një brezi të ri, nuk asociohet me tranzicionin e tejzgjatur të Shqipërisë.”
Më 13 qershor, Partia Demokratike zhvillon zgjedhjet për kryetarin e ri. Përballë Lulzim Bashës, do të garojnë Edit Harxhi, Agron Shehaj dhe Fatbardh Kadilli.