Nga Lauren Said-Moorhouse, “CNN”/Zgjedhjet italiane, janë një çështje gjithmonë e ndërlikuar, por votimi i së dielës, mund të jetë i ndërlikuar në një nivel të ri.
Partitë anti-parisë politike tradicionale po lulëzojnë, pasi italianët janë të zhgënjyer nga emigracioni në një shkallë të pashembullt vitet e fundit, dhe problemet e vazhdueshme ekonomike.
Kombinojeni këtë me një sistem elektoral të pasprovuar më parë, dhe një numër të madh të votuesish të pavendosur, dhe vëzhguesit thonë se rezultati mbetet tejet i paparashikueshëm.
Ç’po ndodh, dhe pse duhet të shqetësohemi?
Zgjedhjet e të dielës, do të mbikëqyren nga udhëheqësit evropianë, që i druhen çdo lloj destabiliteti mbi ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës. Lëvizja Pesë Yjet (M5S), populiste dhe anti-evropiane, ka të ngjarë të dalë si partia e vetme më e madhe, sipas sondazheve më të fundit.
Por një koalicion partish të qendrës së djathtë, të tubuara rreth ish-kryeministrit Silvio Berlusconi, mund të fitojë më shumë vende në parlament.
Ajo çka e ndërlikon më tej situatën, është fakti se rreth 40 për qind e votuesve mbeten të pavendosur.
Analistët parashikojnë se asnjë parti apo aleancë, nuk pritet të fitojë një shumicë të drejtpërdrejtë, gjë që do të thotë se Italia mund të zhytet në muajt e ardhshëm në ngërçe të mëtejshme politike, në kohën e një pasigurie financiare që po përjeton vendi.
Ndërsa ka pasur disa tregues të një rimëkëmbje ekonomike kohët e fundit, papunësia mbetet kokëfortësisht e lartë, sipas agjencisë statistikore të BE-së.
Dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, e përcakton borxhin qeveritar të Italisë në nivelin 120 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, krahasuar me 45 për qind në Gjermani, dhe 82 për qind në SHBA.
“Disa nga partitë kryesore, kanë pasur një qasje të dykuptimtë ndaj Bashkimit Evropian, gjatë kësaj legjislature. Disa prej tyre ishin hapur euroskeptike…
Kjo është arsyeja se përse shumë partnerë evropianë, kanë frikë nga perspektiva e një parlamenti italian të dominuar nga këto forca”- thotë Fabio Bordignon, politolog në Universitetin e Urbinos.
“Kjo pasiguri politike, paqëndrueshmëria e qeverisë aktuale, dhe perspektiva e zgjedhjeve të përsëritura, krijojnë kushtet për një “stuhie të përsosur”, e cila mund të dëmtojë njërën prej demokracive kryesore evropiane, dhe të destabilizojë më tej një aleancë të dobët kontinentale”.
Cilat janë partitë kryesore?
Në këto zgjedhjet garojnë më shumë se 20 parti, por sipas sondazheve më të fundit, votuesit italianë janë të ndarë kryesisht në tre kampe politike. Koalicioni i qendrës së majtë, i dominuar nga Partia Demokratike e Renzit, bashkë me disa parti të vogla, renditen me 27.4 për qind të preferencave të publikut në sondazhin e fundit parazgjedhor.
Lëvizja Pesë Yjet – e udhëhequr nga 31-vjeçari Luigi Di Maio – ka 28 përqind të preferencave. Kjo forcë politike, ka përjashtuar në të shkuarën hyrjen në koalicione me partitë e tjera. Një bllok i krahut të djathtë, i ndërtuar nga 4 herë kryeministri i vendit, Berlusconi, kryeson të njëjtin sondazh në rang koalicionesh me 36.8 për qind, dhe mund të përfundojë si grupimi më i madh në parlament.
Cilat janë çështjet kryesore?
Punësimi, ekonomia dhe siguria, mbeten shqetësimet kryesore të votuesve italianë, por një çështje e ka dominuar debatin parazgjedhor:emigracioni. Më shumë se 600 mijë njerëz kanë mbërritur nëpërmjet detit Mesdhe nga Afrika e Veriut që nga viti 2013, kur Italia zhvilloi zgjedhjet e fundit parlamentare, duke përfshirë 114.000 emigrantë vetëm në vitin 2017, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit në OKB, IOM.
Debati mbi emigracionin, ka shtuar tensionet racore përpara votimeve të së dielës. Partitë e krahut të djathtë, kanë promovuar një axhendë kundër emigracionit, me Lidhjen e Veriut, që mbështet dëbimet masive të emigrantëve, dhe është zotuar të vendosë “Italianët të parët”. Berlusconi, ka paralajmëruar se numri i emigrantëve në Itali ka shkaktuar një “alarm serioz social”, teksa është zotuar të deportojë më shumë se 600.000 emigrantë pa leje qëndrimi.
Kush do të fitojë?
Me një sistem të ri zgjedhor të paprovuar më herët, dhe një bllok votuesish të pavendosur, shumë vëzhgues besojnë se Italia po shkon drejt një parlamenti të ndërvarur. Analistët besojnë se ekzistojnë disa rezultate të mundshme, duke përfshirë një ”koalicion të madh” midis Partisë Demokratike, Forza Italia dhe aleatëve të tjerë të qendrës; një fitore të plotë të koalicionit të krahut të djathtë të Berlusconit; apo një skenar të tretë të një qeverie populiste të M5S dhe Lidhjes së Veriut.
Megjithatë sipas tyre, të gjitha këto opsione, nuk kanë gjasa të marrin vende të mjaftueshme, për të formuar një koalicion qeverisës të suksesshëm.
Ndaj rezultati më i mundshëm, është se asnjë shumicë parlamentare e qëndrueshme nuk do të ekzistojë pas 4 marsit.
Në këtë rast, ka gjasa që qeveria Gentiloni të vazhdojë të qëndrojë në detyrë, me funksione të reduktuara, ndërsa partitë të hyjnë në negociata të gjata për të ndërtuar një “qeveri teknike” me përfaqësimin e të gjitha palëve, për të ndërmarrë një sërë reformash specifike, ose për të thirrur mbajtjen e zgjedhjeve të reja të përgjithshme.
PËRSHTATI TIRANA TODAY