Sikundër ishte njoftuar më herët, kanë nisur zyrtarisht procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve do të përcaktohet dhe agjenda për raundet e votimit në Kuvend. Në Konferencën e Kryetarëve janë të pranishëm kryetarët e grupeve parlamentare. PD ka kërkuar që mbledhja të transmetohet LIVE për mediat, dhe kjo kërkesë është miratuar.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, ka kërkuar afate të reja për procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Ai deklaroi në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, që procesi duhet të jetë në shërbim të publikut, ndaj theksoi se data 10 maj duhet të jetë dita kur të nisë procesi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe jo raundi i parë i votimit.
“Së pari përfaqësues të opozitës marrin pjesë në këtë proces, duke qenë ky si një detyrim Kushtetues dhe ndaj shqiptarëve. Një detyrim që nuk duhet t’i shmangemi. Ne mund të kemi divergjencat tona, por zgjedhja e Presidentit është një proces për të cilin duhet të përballemi.
Në mos gaboj, propozimi juaj është që data e sotme të konsiderohet si nisja e procesit dhe data 10 të jetë raundi i parë i votimit. Nuk jam dakord dhe dua t’ju vë në dijeni përse. Vetë procesi duhet të jetë në shërbim të publikut. Është një proces që zhvillohet brenda Parlamentit, por duhet të jetë produkt që duhet t’i shërbejë publikut. Ne duhet të bëjmë zgjedhje që publiku të jetë informuar.
Sugjeroj që si datë i startimit të procesit të fillimit të jetë data 10. Raundi i parë duhet të jetë 7 ditë nga ai moment. Duhet ta krijojmë si traditë që Konferenca e Kryetarëve pavarësisht propozimeve, duhet ta përcaktojë në mënyrë të përbashkët këtë datë duke respektuar afatet.
Afati më i hershëm është 24 Maj, ndërsa Kushtetuta thotë që procesi duhet të nisë të paktën në këtë datë për sa kohë afati i përfundimit të mandatit të presidentit është 24 Korriku”, tha Alibeaj.
“Sot teksa jemi politikisht të ftohtë dhe në start të këtij procesi, le t’i themi që sot. Biem dakord që distanca kohore midis raundeve të jetë 7 ditë. Këto ishin dy sugjerimet që unë kam me rendin e ditës”, u shpreh Alibeaj.
Po kështu, edhe kryetari i grupit parlamentar “Aleanca për Ndryshim”, Fatmir Mediu ishte kundër datës 10 Maj të propozuar nga Partia Socialiste për raundin e parë të votimit.
Ai theksoi se është e nevojshme që të bëhen të gjitha diskutimet e nevojshme, dhe të mos shkohet me ngut në raundin e parë, kjo edhe për arsyen se deri më tani nuk ka një emër të propozuar si kandidat.
“Nëse shkojmë në datën 10 Maj, pyetja është e thjeshtë. Kush është kandidati për President”, pyeti Mediu gjatë mbledhjes.