Partia Demokratike ka reaguar menjëherë në lidhje me akuzat e Veliajt, se Basha ka ndërtuar një kat shtesë gjatë kohës që ka qenë në krye të Bashkisë së Tiranës. PD thekson se kreu demokrat, nuk ka ndërtuar asnjë kat shtesë, dhe apartamentin e ka blerë në vitin 2003.
Në deklaratën e PD-së citohet se propaganda e Edi Ramës dhe Erion Veliajt ka rihedhur në treg akuzat e vjetra dhe bajate se Basha ka ndërtuar një kat shtesë.
Po sipas kësaj force, këto sulme bëhen për të mbuluar superskandalin e Unazës së Re, dhe superskandalin e devijimit të Lumit të Lanës, për t’i hapur rrugë pastrimit të parave nëpërmjet trafikantit ndërkombëtar të drogës.
“Të tërbuar nga zbulimi i pazareve miliona euroshe tek Unaza e Re, propaganda e Edi Ramës dhe Erion Veliajt po rihedh në treg akuzat e vjetra dhe bajate, se Lulzim Basha ka ndërtuar një kat shtesë në kohën kur ishte kryetar Bashkie.
Për apartamentin e blerë që në vitin 2003, kohë përpara se të hynte në politikë, faktet janë këto:
- Lulzim Basha nuk ka ndërtuar asnjë kat shtesë.
- Para firmosjes së lejes së ndërtimit, Lulzim Basha ka marrë nga ILDKP aprovimin me shkresë zyrtare, se nuk është në konflikt interesi.
- Leja e ndërtimit skadoi pa u përdorur kurrë.
Vala e sulmeve me shpifje të shëmtuara dhe akuza të vjetra, bëhet për të mbuluar superskandalin e Unazës së Re, dhe superskandalin e devijimit të Lumit të Lanës, për t’i hapur rrugë pastrimit të parave nëpërmjet trafikantit ndërkombëtar të drogës, Edmond Bego.
Çifti më i korruptuar i politikanëve në Europë, Edi Rama dhe Erion Veliaj, kanë firmat e tyre në ndryshimin e Planit Urbanistik për të devijuar Lumin e Lanës në favor të krimit të organizuar.
Kohës së përdorimit të kryeqytetit si lavatriçe e pastrimit të parave të pista, po i vjen fundi!”, përfundon reagimi.