Me kalimin e orëve, policia po bën të mundur zbardhjen e detajeve të reja në lidhje me ekzekutimin e çiftit në Shkodër. Uniformat blu janë të mendimit se mjeti është vjedhur në Kosovë. Burimet konfirmojnë se mjeti rezulton i vjedhur në muajin shkurt të këtij viti në Kosovë, ndërsa targat janë vjedhur në Tiranë.
Po ashtu dyshohet se ka edhe disa pjesë të tjera të vjedhura, të cilat janë montuar, për ta përdorur më pas në atë krim të rëndë. Mendohet se vrasja e Boris Bërcanës dhe Silvana Ndocit është kryer nga vrasës profesionistë dhe pista kryesore vijon të mbetet ajo e ndonjë konflikti të mundshëm, ose larje hesapesh. Ndërkohë, pamjet filmike të sekuestruara në të gjitha subjektet e mundshme janë dërguar në Tiranë, për një ekspertizë më të detajuar.
Nga zbardhja e pamjeve del se autori i krimit makabër, pasi ka kryer vrasjen, ka hipur në mjetin e tij dhe i vetëm është larguar me shpejtësi. Ende është e paqartë nëse ka qenë me apo pa maskë, sepse disa ekspertë mendojnë se autori ka vepruar i pamaskuar dhe një pjesë tjetër kanë dyshime se ka pasur diçka në fytyrë, raporton “Panorama”. Kjo paqartësi vjen për shkak se nga pamjet filmike të kamerave, nuk mund të shihet aq mirë. E sigurtë është se autori ka pasur një kapele në kokë, ndërsa është një trup relativisht i gjatë.