Ylli serb i Lazios, Sergej Milinkovic-Savic pavarësisht ofertave të shumta që kishte në merkaton e verës vendosi në fund që të qëndronte në Serie A. Sipas agjentit të tij kanë qenë drejtuesit e klubit bardhekaltër që kanë refuzuar ofertat e ardhura në drejtim të futbollistit dhe e kanë bindur atë që të qëndrojë, pavarësisht se ai në një vend tjetër mund të përfitonte 8 milionë euro në sezon.
Në një intervistë të dhënë për “La Gazzetta dello Sport”, agjenti i lojtarit, Mateja Kezman, ka treguar disa prapaskena mjaft interesante që bindën serbin të qëndronte tek Lazio, po ashtu edhe për rolin e Igli Tares e presidentit Lottiti. Drejtuesit e klubit lacial në javët e ardhshme do t’i rinovojnë kontratën, teksa mesfushori serb do të përfitojë një pagë të majme.
“Shumë skuadra të mëdha e kanë kërkuar Sergej. I kemi paraqitur edhe Lazios dy oferta shumë interesante. Ai mund të fitojë shumë më tepër në vende të tjera. Fjala vjen, në Francë i ofruan 8 milionë euro në vit.
Por, në fund ne e pranuam vendimin e klubit të mos e shitur. Lazio i ka hedhur poshtë të gjitha propozimet dhe ne kurrë nuk kemi shtyrë për transferimin, sepse ai është mirë në Romë”. Ndërkohë, arsyeja pse Sergei Milinkovic-Savic ka zgjedhur të qëndrojë te Lazio është e qartë. “Tare na shpjegoi se bardhekaltërit duan të luajnë në Ligën e Kampionëve dhe Milinkovic është një lojtar kyç për ta arritur këtë qëllim. Në fakt, ky është edhe qëllimi i tij.
Ai qëndroi, sepse dëshiron t’i japë Lazios pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve. Dhe pastaj ai është vetëm 23 vjeç, dhe me Inzaghi është duke u përmirësuar dita-ditës. Një vit tjetër te bardhekaltrit do ta bëjë atë më të mirë. Nëse paguani 70-80 milionë euro për një portier, Sergej nuk mund të ketë vlerë më pak se 100 milionë euro. Ai është një nga lojtarët më të fortë në Europë, në rolin e tij, dhe ka hapësirë të madhe për përmirësim”, ka përfunduar Mateja Kezman.