Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani shkruan se plakja e popullsisë dhe emigracioni janë pasojë e papunësisë.
Në një status në Facebook, Manjani shprehet se sot në Shqipëri janë rreth 80 mijë të rinj, të cilët presin për një vend pune. Ai thotë se ky “stok” është krijuar në gjithë vitet e liberalizimit të arsimit, ndërsa shton së as ligji i ri nuk e zgjidhi dot cilësinë, por thjesht konfirmoi sasinë.
Postimi i plotë i Manjanit:
Që të rinjtë të orientohen…
—————-
Politika që kemi bërë deri më sot me Rininë dhe arsimimin e saj (nuk po fus edukimin këtu, se nuk dal dot) ka prodhuar kaos. Një kaos që ka vrarë shpresën dhe ka thelluar ndarjen sociale!
Shoqëria u përça në çdo qelizë të saj e për pasojë sundohet (nuk qeveriset) kollaj! Përçarja erdhi jo shumë nga pluri-partizmi sesa nga shkatërrimi i disa brezave nga sistemi arsimor. Ky sistem prodhoi diploma pa profesione!
Për të kuptuar situatën ku jemi duhet të mbajmë mirë në konsideratë këto pak shifra të marra në mënyrë konservatore nga INSTAT.
1. Sektori publik dhe privat i 8 viteve të fundit mesatarish në çdo vit krijon 4000 vende pune. Këtu futen vende që krijon rritja ekonomike dhe plotesim vendesh vakant.
2. Nga shkollat e larta (publike e private) mesatarisht diplomohen rreth 8 000 të rinj! Pra sikur vendet e reja të punës që krijojen çdo vit të plotësohen nga këto të rinj, mbesin rreth 4 000 pa punë!
3. Fakt është se sot Shqipëria ka një stok prej rreth 80 000 të rinjsh që janë me diplomë dhe që presin një punë. Ky stok është krijuar në gjithë vitet e liberalizimit të arsimit. As ligji i ri nuk e zgjidhi dot cilësinë, thjesht konfirmoi sasinë. Rreth 30 000 u pranuan ne universitete vitin e fundit.
Pra, mjaftojnë këto shifra për të kuptuar se ku jemi! Kaos, pa shpresë dhe llafe politike kot!
Këtu e ka origjinën edhe emigracioni dhe plakja e popullsisë.
Meqë do fillojë fushata, sfida është se cila parti ka një plan pë këto shifra? Si do ti përmirësojë ato!
Përtej shifrave janë jetë të rinjsh, janë shpresa, janë vetë Shqipëria!
P.S. Nuk kam përfshirë këtu ata të rinj që janë diplomuar jashtë shteti…