Aktori dhe regjisori i famshëm britanik Sër Entoni Kuajl, e luajti rolin e tij më të famshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai nuk ishte i pranishëm në ekranin e madh, por po punonte për Ekzekutivin e Operacioneve Speciale (SOE), të vendosur edhe në Shqipëri.
Faqja në internet e Raportit të Forcave të Operacioneve Speciale (SOFREP), shpjegon se si Uinston Çërçill e themeloi SOE-n, misionet e të cilës ishin tepër të rrezikshme.
Mënyra e operimit të organizatës “ishte të kryente spiunazh, sabotim dhe zbulim në Evropën e pushtuar kundër fuqive të Boshtit, dhe të ndihmonte lëvizjet lokale të rezistencës.
Kështu në pragun e Vitit të Ri 1943, Kuajl zbarkoi në Shqipëri për të bërë detyrën e tij. Ai kishte qenë pjesë e ushtrisë britanike prej disa vitesh, duke e braktisur karrierën e tij teatrore e cila kishte nisur në vitin 1935.
Në një nekrologji të vitit 1989, gazeta “The Neë York Times”, thekson se ai ishte ”një nga aktorët e parë që u bë pjesë e Ushtrisë Britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke shërbyer në Artilerinë Mbretërore gjatë viteve 1939-1945, dhe duke u ngjitur deri në gradën e majorit”.
Nëse aftësitë e tij të aktrimit i vlejtën apo jo gjatë misionit të tij, kjo nuk është e qartë. Por ai mund të ketë pasur nevojë për to gjatë kohës së kaluar në Shqipëri. Ylli i skenës po vepronte tani në një atmosferë të tensionuar dhe të ngarkuar politikisht, ku diplomacia dhe rreziku duket se ecnin dorë për dore.
SOF News, e vë theksin tek ndërveprimi midis SOE, në të cilin ai shërbeu si major, dhe OSS (Zyrës së Shërbimeve Strategjike). Ashtu siç ndodh në shumë vende të Evropës Lindore gjatë Luftës së Dytë Botërore, lëvizjet më të organizuara dhe më të suksesshme të rezistencës kishin tendencë të kishin një “aromë komuniste”, dhe Shqipëria nuk bënte përjashtim.
Prandaj SOE dhe OSS u vendosën në Shqipëri, me dëshirën për të bashkëpunuar me partizanët komunistë. Kjo natyrshëm çoi në disa fërkime midis dy grupeve, për sa i përket besnikërisë dhe mbi atë se kush kishte të drejtë të bashkëpunonte me kë.
Kuajl kaloi pak më shumë se 3 muaj në Shqipëri. Thuhet se ai u sëmur nga malarja dhe verdhëza. Nuk ka nevojë të shtohet se koha e kaluar në Shqipëri nuk ishte një periudhë e lumtur për të. Siç raporton SOFREP: “Ai e përshkruante gëzimin e tij të madh kur u largua nga Shqipëria: Unë hipa në pjesën e pasme të atij kamionit, duke qarë nga gëzimi!”.
Po çfarë po ndodhte në mendjen e Kuajl gjatë asaj periudhe dramatike? Ai zgjodhi t’i paraqesë përvojat e tij në një formë të trilluar nëpër libra. Romani i tij autobiografik i vitit 1945 “Tetë orë larg Anglisë” flet edhe për një hero si majori Xhon Overton, që dërgohet me mision në Shqipëri.
SOFREP shkruan:”Libri përshkruan dilemat me të cilat përballen operativët britanikë të Ekzekutivit të Operacioneve Speciale, në lidhje me marrëdhënien e tyre me popullatat e pushtuara”- ndërsa u jep lexuesve një panoramë të “sfidave me të cilat ata përballen në përpjekje për të përmbushur misionin e tyre, dhe duke ruajtur në të njëjtën kohë simpatinë e popullatës lokale”.
Dy vjet më vonë ai botoi librin “Në një natë të tillë”, një histori tjetër me temë nga Lufta e Dytë Botërore. Më vonë Kuajl vonë u shfaq në filma më temën e luftës si “Beteja e River Pleit” (1956), dhe “Operacioni Krosbou” (1965).
Roli i Kuajlit si majori Roi Frenklin i Forcave Speciale në filmin “The Guns of Navarone” (1961), duhet t’i ketë kujtuar sërish kohën e kaluar në radhët e SOE. Pas luftës, Kuajl luajti në disa nga filmat më të famshëm të së gjitha kohërave.
Kështu ai luajti rolin e kolonelit Brajton tek filmi “Lorenci i Arabisë” (1962). Dy vjet më vonë, luajti rolin e Verulusit në filmin “Rënia e Perandorisë Romake”. Ai arriti të luante në 2 filma me protagonist Sherlok Holsmin, duke u shfaqur si Xhek Rrjepësi “Një studim në terror” (1965) dhe “Vrasje me dekret” (1979).
Një nga rolet e tij më të paharruara ishte ai i Tomas Uolsej në filmin “Ana e Njëmijë Ditëve” të vitit 1969, përballë Riçard Bartonit në rolin e Henrit VIII. Lufta e Dytë Botërore nuk e “braktisi” kurrë, me filmat e tjerë “Para se të vijë dimri” (1969) dhe “Shqiponja u ul” (1976). Sër Entoni Kuajl ndërroi jetë nga një tumor në mëlçi në moshën 76-vjeçare.
Burimi i lajmit: https://www.thevintagenews.com/2020/09/17/anthony-quayle/
Përshtatur nga TIRANA TODAY