Xhihadistët sulmuan një bazë ushtarake amerikane në pjesën jugore të rajonit Shabelle, në Somali. Përgjegjësinë për sulmin e mori grupi “Al Shabab”, të cilët përdorën një veturë bombë për ta shkatërruar portën hyrëse dhe më pas i futën luftëtarët brenda bazës. Zyrtarët ushtarakë thanë se militantët u detyruan të largohen.
Kjo bazë, e cila ndodhet rreth 100 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Mogadishu, është vendqëndrim i forcave speciale amerikane dhe somaleze dhe paqeruajtësve ugandas. Zyrtarët somalezë kanë thënë se ky grup i ka shpeshtuar sulmet në Mogadishu si shenjë hakmarrjeje ndaj sulmeve ajrore.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, grupi “Al Shabab” e kontrollon një pjesë të madhe të territorit të Somalisë dhe ka aftësi të kryejë sulme të profilit të lartë përmes shfrytëzimit të sulmuesve vetëvrasës, mjeteve shpërthyese, mortajave dhe armëve të vogla, raportoi “BBC”.