Kryeministri, njëherësh presidenti i zgjedhur i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas takimit dhe darkës së mbrëmshme në Bruksel të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor me Federica Mogherinin, u tha medieve se pati një dakordësi të plotë për marrëdhënie normale në rajon.
I pyetur nga gazetarët për zhvillimet e fundit në Maqedoni, ku Zoran Zaev pritet të konstituohet si kryeministër, Vuçiç ka shfaqur interes vetëm për një pikë në axhendën politike të tij, si kryetar i ekzekutivit maqedonas, qëndrimin ndaj anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.
“Ato që u thanë dje janë sinjale të mira dhe se është nevojshme t’u besojmë. “Ne jemi popuj e vende mike dhe ashtu do të mbesim. Për ne është me rëndësi ajo që ka thënë ai për votimin rreth anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në UNESCO”, i ka kujtuar Vuçiç Zaevit.
Dy vite më parë Zoran Zaev e cilësoi të gabuar përkrahjen e Maqedonisë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO ku pati deklaruar se vendi i tij do të jetë kundër këtij anëtarësimi, kur Kosova të përsërisë kërkesë.
Kujtojmë që dy vite më parë 92 shtete votuan pro Kosovës anëtare me të drejta të plota në UNESCO, ndërsa 50 kundër. Kosovës i duheshin vetëm edhe 3 vota që të jetë pjesë e UNESCO-së, mirëpo lobimi që bënë Serbia dhe Rusia, i bindi një sërë shtetesh të mos e votonin.