Një deklaratë e fortë ka ardhur nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ku është shprehur se mes shtetit të tij dhe Kosovës duhet të ketë paqe. Po kështu ai ka kërkuar që të largohet një herë e mirë urrejtja 200-vjeçare mes dy vendeve. Vuçiç i është rikthyer edhe një herë një çështje mjaft të ndjeshme, ajo e kufijve.
“Të gjithë më pyesni për kufijtë, por unë po ju pyes juve, për cilin kufi po flisni? Ne themi se Kosova është Serbi, ndërsa ata thonë se Kosova është e pavarur.
Në këtë situatë, secili e vendos kufirin e vetë. Por, a na duhet kjo? Ne jemi të këtij vendi dhe duhet që bashkë të vendosim për një kufi, duke larguar kështu njëherë e përgjithmonë urrejtjet 200-vjeçare mes një serbi dhe një shqiptari.
Ne jetojmë këtu, dhe ne duhet të merremi vesh si duam të jetojmë, dhe jo dikujt tjetër t’i plotësojmë dëshirat”, është shprehur Vuçiç.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, kanë shpalosur së fundmi idenë për korrigjim të kufijve. Dy liderët pritet të takohen më 7 shtator në Bruksel, në kuadër të dialogut mes dy shteteve që ndërmjetësohet nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.