Gazetari Erl Murati ka denoncuar faktin se babait të tij i kanë vjedhur tre kuti me libra, të cilat i ruante prej vitesh.
Ajo që të bie në sy në foton e postuar në Facebook nga ana e gazetarit, lidhet me faktin se grabitësit kanë lënë Kushtetetutën e Shqipërisë në fundit e kartonit.
Siç duket, vetëm Kushtetuta nuk u ka hyrë në punë. Kjo në morinë e librave, më konkretisht rreth 100 libra në tri gjuhë të ndryshme.
Statusi
Babait tim i kanë vjedhur 3 kuti me libra. Duhet t’i kenë futur në thasë të mëdhenj, për të mos rënë në sy gjatë ikjes, sepse kutitë bosh i kishin lënë aty. Me kot shënimi që kish lënë im atë: Lutemi mos prekni!
Mërzitja e tij, më mërziti dhe mua. Por, çdo “tragjedi” ka anën e vet groteske, e më bëri të vë buzën në gaz. Nga 80-100 libra në tri gjuhë, shqip, anglisht e rusisht, e vetmja vepër që hajdutët s’kishin begenisur ta vidhnin, por e kishin lënë aty sepse me siguri s’i duhej as dreqit, ishte Kushtetuta e Shqipërisë.