Banorët e fshatit Panaja në Vlorë kanë dalë në protestë pasi rrezikojnë të mbeten pa ujë të pijshëm, për shkak të heqjes së një prej pompave kryesore që furnizon një pjesë të fshatit.
Kështu, rreth 60 familje rrezikojnë të mbeten pa ujë, teksa është menduar që pompa të vihet në fshatin Kërkovë. Një ndërhyrje e tillë ka gjetur kundërshtimin e banorëve të këtij fshati, ndërsa ndërhyrja që pritet të kryhet sipas banorëve të dy fshatrave rrezikon të lërë pa ujë banorë të të dyja këtyre zonave.
Banorët kanë protestuar para Njësisë Administrative Qendër në Vlorë, ku kanë kërkuar që situata të qëndrojë në kushtet aktuale si në fshatin Panaja, ashtu dhe në fshatin Kërkovë.
Ndërkohë, Administratorja e Njësisë Administrative Qendër, Margarita Koço ka theksuar se ndërhyrja nuk bëhet për të dëmtuar banorët, por thjesht për të përmirësuar situatën e furnizimit me ujë të pijshëm në të dy fshatrat, një investim që ka nisur prej gati një viti.