Carina, një mësuese yoge në Vjenë, nuk është e vaksinuar kundër Covid-19 dhe dëshiron të mbetet e tillë. Ajo tani është izolim, si rreth dy milionë austriakë të tjerë të pavaksinuar.
Ajo lejohet të largohet nga shtëpia e saj vetëm për arsye thelbësore si puna ose blerja për ushqim, dhe është e ndaluar të hyjë në kafene dhe restorante. Kështu e takova në një park të Vjenës, ku lejohet të bëjë stërvitje. “Sot në mëngjes isha duke ecur pranë disa kafeneve”, më tha ajo. “Është pak e çuditshme të shikosh brenda, dhe të dish se nuk mund të hysh. Kjo të bën të ndihesh vërtet i përjashtuar”.
“Unë jam një nga këta njerëz që janë bërë armik”, tha ajo. “Dhe kjo nuk qëndron mirë”.
“Unë nuk dua që njerëzit të sëmuren. Unë jam e kujdesshme. Unë testohem. Nuk jam në rrezik shumë të madh [nga Covid-19] dhe ndihem sikur është një vendim shumë personal. Unë i kuptoj njerëzit që vaksinohen, dhe kur njerëzit nuk duan të vaksinohen”.
Ka pasur demonstrata në disa pjesë të vendit, në shenjë proteste kundër bllokimit. Policia thotë se do të kryejë kontrolle të rastësishme tek njerëzit në vende publike, dhe do të gjobisë këdo që nuk mund të tregojë një certifikatë vaksinimi.
Rreth 65% e popullsisë së Austrisë është plotësisht e vaksinuar, një nga normat më të ulëta në Evropën Perëndimore. Vendi aktualisht po sheh shkallën më të lartë të infeksioneve ditore për Covid-19, që nga fillimi i pandemisë.
Kancelari Alexander Schallenberg thotë se qeveria u detyrua të vepronte, për shkak të rritjes së infeksioneve të reja.
Ai tha se shkalla e vaksinimit ishte e ulët, dhe “do të na mbante të bllokuar në një rreth vicioz, nga një bllokim në tjetrin”. Që nga shtrëngimi i masave, më shumë austriakë janë vaksinuar. Jashtë një qendre vaksinimi në Vjenë janë krijuar radhë të gjata. Disa vinin për injeksione përforcuese, të tjerë për injeksionet e tyre të para.
Burimi i lajmit: BBC. Përshtatur nga Tirana Today