Update/Ndaj të “fortit” të Shkodrës, Safet Bajri Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën “arest me burg”. E ndërsa dje në Shkodër u njoh për masën e sigurisë në lidhje me dënimin në Belgjikë, sot te Krimet e Rënda, ai është njohur me këtë masë për pistoletën pa leje që iu bllokua gjatë operacionit të premten në mbrëmje.
Përpos tij para gjykatës sot do të dalin edhe anëtarët e tjerë të bandës. Nuk dihet ende ora se kur do të zhvillohet seanca në ngarkim të Safet Rustemit (Bajri).
Video/Nën masa të rrepta sigurie, Safet Rustemi sillet në Tiranë
Safet Bajri ka mbërritur në Gjykatën e Krimeve të Rënda nën masa të ashpra sigurie. Në këtë gjykatë, së bashku me anëtarë të tjerë të bandës “Bajri”, të arrestuar gjatë aksionit policor “Oaz”, ai do të njihet me masën e sigurisë. Ai vjen në Tiranës, pas vendimit “arrest me burg pa afat”, të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër, për llogari të shtetit belg.
Video/Nën masa të rrepta sigurie, merret vendimi për Safet Rustemin
Safet Bajri (Rustemi), është njohur me masën e sigurisë “arrest me burg pa afat”, në Gjykatën e Shkallës së Parë Shkodër, paraditen e sotme.Safet Bajri është një prej antarëve të grupit ‘Bajri’, që u godit të shtunën.
Gjykata ka vendosur të lërë në burg Bajrin në seancën e rivlerësimit të masës së sigurisë për akuzat në Belgjikë. Safet Bajri akuzohet për trafik droge e prostitucion nga autoritetet belge. Për këto akuza ai është dënuar nga Apeli në Bruksel me 22 vite burgim.
Pas marrjes së masës së sigurisë për akuzat nga Belgjika, Safet Bajri do të vijë në Tiranë për një tjetër seancë tek Krimet e Rënda.
Blindohet Gjykata e Shkodrës, mbërrin i ‘forti’ Safet Rustemi
Ka mbërritur në gjykatën e Shkodrës, i forti i grupit Bajri, Safet Rustemi (Bajri). Ai do të njihet me akuzat e shtetit belg. Ai është shoqëruar drejt organit të akuzës nën masa të rrepta sigurie.
Ndërsa nga sa shikohet në videon e siguruar nga Report Tv, Gjykata e Shkodrës është e blinduar nga forca të shumta sigurie. Shqiptari është i dënuar në Belgjikë me 22 vite burg në mungesë për përfshirje në organizata kriminale, shfrytëzim prostitucioni dhe disa vepra të tjera penale. Pas arrestimit të tij në Shqipëri, ministri i Drejtësisë belge Koen Geens është shprehur se do të kërkojë nga autoritetet shqiptare që Bajri të vuajë në Shqipëri dënimin.
Sot gjykohet klani “Bajri”, të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të fortët e Shkodrës
Gjykata e Krimeve të Rënda do të konfirmojë sot në orën 14:00 masat e sigurisë, të dhëna në mungesë për 9 anëtarët e grupit “Bajri”, që u arrestuan gjatë operacionit “Oaz” në Tiranë, Shkodër e Roterdam të Holandës.
Njoftimet u bënë dje nga Gjykata në Drejtorinë e Policisë e komisariatet ku po mbahen të arrestuarit, si dhe në burgun e “Shën Kollit”, në Lezhë, ku ndodhen 3 pjesëtarët e tjerë të grupit, të cilët u arrestuan në fillim të shtatorit në Shkodër.
Kreu i këtij grupi, Enver Bajri, i cili konsiderohet si personi më i rrezikshëm, jo vetëm nga Policia shqiptare, por edhe ajo belge, po kërkohet aktualisht në tri shtete
Të arrestuarit:
1. Behar Brajoviq (Bajri) arrestuar në Roterdam, Holandë;
2. Samet Halluni, i arrestuar në Roterdam, Holandë;
3. Ilir Rustemi, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
4. Emrah Plaku, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
5. Astmer Bilali, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
6. Armir Grimaj, arrestuar në Shkodër;
7. Safet Rustemi (Bajri), i arrestuar në Tiranë;
8. Fabiol Rexhepi, i arrestuar në Shkodër;
9. Ismet Idrizi, i arrestuar në Shkodër;
10. Denis Brajoviq, i arrestuar në Tiranë;
11. Klaudio Hoxhalliu, i arrestuar në Tiranë.
Në kërkim u shpallën 2 anëtarë të këtij grupi kriminal, për të cilët Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg”, për shtetasit:
E.B., 45 vjeç, dhe N.H., 34 vjeç.
Akuzat ndaj grupit “Bajri”: Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë: “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i llotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Përkrahje e autorit të krimit”, ‘Moskallëzim krimi”, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, vepra penale këto të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Si vepra të rënda kriminale, të dokumentuar deri tani janë 2 vrasje të ndodhura në Shkodër, ngjarje e ndodhur në 7 shkurt 2001, ku u vra shtetasi A.T., dhe ngjarje e datës 20 qershor 2002, ku u vra shtetasja F.H., 15 vjeçe.
Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar edhe është provuar në javët e fundit, se anëtarë të këtij grupi kriminal kanë kanosur dhe shtrënguar disa shtetas për dhënie shumash të konsiderueshme parash.
Ky grup është i dyshuar dhe po hetohet intensivisht për disa nga ngjarjet e fundit të ndodhura në Shkodër.
Grupi “Bajri”, në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dyshohet se trafikonin lëndë të forta narkotike në shtete europiane dhe më pas paratë e përfituara nga ky aktivitet investoheshin brenda vendit.
Hetimet: Veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, deri në goditjen e plotë të gjithë grupit kriminal “Bajri” kanë zgjatur mbi 6 muaj.
Janë kryer dhjetëra orë përgjime, mijëra informacione të shkëmbyera me partnerët, janë analizuar mijëra faqe të dhëna, si edhe janë kryer veprime pro-aktve në terren, përmes kontrollit nga ajri (dron) dhe vëzhgimit intensiv.
Oficerë të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me oficerë të kontaktit të vendeve të përfshira në operacion, kanë kryer veprime në terren për evidentimin, lokalizimin dhe ndalimin e shtetasve anëtarë të grupit, që vepronin jashtë Shqipërisë, e kryesisht në Holandë.
Operacioni policor për arrestimin e personave të mësipërm është zhvilluar njëkohësisht në Tiranë, Shkodër dhe në Roterdam, Holandë dhe zgjati nga mesdita e së premtes dhe deri në orët e para të ditës së shtune.
Ndërhyrja operacionale është koordinuar mes grupeve të posaçme hetimore, në të dy shtetet duke shkëmbyer informacion intensiv.
Gjithashtu u ngritën dhe operuan në 2 vendet, grupe të përbashkëta operacionale, të mbështetura nga forcat speciale të Policisë së Shtetit dhe atyre holandeze.
Gjatë ditëve të operacionit për identifikimin dhe arrestimin e disa prej personave të mësipërm janë shkëmbyer me dhjetëra informacione, jo vetëm mes Policisë së këtyre 2 shteteve, por edhe autoriteteve ligj zbatuese që asistojnë Prokurorinë dhe Policinë, në Gjermani, Kroaci etj.
Gjatë ndërhyrjes së Policisë, tre prej anëtarëve të këtij grupi iu gjetën në trup 3 armë zjarri pistoletë, ndërsa në banesë lëndë narkotike kanabis sativa.
Policia në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka sekuestruar 1 resort-hotel në Velipojë dhe 1 lokal në Shkodër në pronësi të tyre, pasi dyshohen se janë produkt i ardhur nga aktivitet kriminal.
Gjithashtu janë sekuestruar edhe 3 automjete e një numër i konsiderueshëm celularësh.
Policia e Shtetit dhe Prokuroria sigurojnë qytetarët e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë se do të vazhdojmë të jemi të angazhuar për të garantuar qetësi, rend e siguri për ta duke goditur me ashpërsinë e forcës së ligjit çdo individ të përfshirë në aktivitet kriminal.
Operacioni “Forca e Ligjit” vazhdon.