Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka reaguar lidhur me materialin e audio të publikuar pak më parë nga ana e PD-së, ku thuhej se vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj po bisedonte me një trafikant.
“Në këtë rast ose duhet të ndëshkohet i akuzuari, ose duhet të ndëshkohet akuzuesit e kësaj shfaqje me zë por pa figurë”- tha Balla
Sipas PS-së, Prokuroria duhet të nisë hetimet në lidhje me këtë video përgjim, ndërsa u shpreh se vëllai i ministrit Fatmir Xhafaj implikohet penalisht dhe vetë ky i fundit, moralisht.
“Në zbatim të ligjit, disponuesit e këtij materiali duhet që menjëherë të shkojnë të depozitojnë materialin në Prokurori. Prej këtij momenti, po ashtu Prokuroria nuk duhet tua lërë këtë çështje akuzatorëve, por duhet të fillojë hetimet, sepse jo vetëm ne por çdo shqiptar meriton të dijë të vërtetën për këtë pretendim.”
Balla tha se askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk e bën ligjin. “Për sa na takon ne presim me padurim të mësojmë të vërtetën me bindjen se ose duhet të ndëshkohet i akuzuari ose duhet të ndëshkohen akuzuesit.”
Më herët të hënën, Partia Demokratike akuzoi vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, se vazhdon të jetë në krye të një grupi trafikimi ndërkombëtar droge me qendër në Vlorë, edhe gjatë kohës që vëllai i tij është në qeveri.
Në një dalje të jashtëzakonshme për mediat, deputeti Ervin Salianji tha se vëllai i Xhafajt, Agron Xhafaj “nuk bën një jetë normale, ai është një nga bosët më të fuqishëm të trafikut të drogës në Shqipëri që drejton dhe koordinon një grup kriminal me qendër në Vlorë. PD publikon sot një material audio që vërteton se Agron Xhafaj e kryen aktivitetin kriminal të trafikimit edhe gjatë kohës që vëllai është ministër i Brendshëm.”