Ndonëse nuk dihet nëse vërtetë është një plan, apo u tha ashtu në fjalë e sipër, po kreu i Bashkisë se Tiranës, duket se e ka një ide se si duhet të jetë Galeria Kombëtare e Arteve.
Ne një nga takimet me artistet teksa vlonte debati për Teatrin Kombëtar, e pasi ishte kthyer nga Barcelona ku Sheshi “Skënderbe” u çmua si hapësira më e mirë publike, Veliaj ka bërë ketë deklaratë për Galerinë Kombëtare të Arteve.
“Muzeu kontemporan i Barcelonës ku ne morëm çmimin kishte qenë pjesë e një debati shumë të madh, për të prishur diçka të vjetër e për të ngritur një muze, që atëherë kaloi me debate por që sot është një ikonë, që përdoret si standard për çfarë duhet të jetë një muze kombëtar. Por kur të vijë radha që të diskutojmë një debat të ngjashëm për Galerinë do të jem i gatshëm edhe ta shohim” – tha Veliaj.
Ndërsa një ditë më parë avokatja e artistëve Mirela Jorgo përpos çështjes së shembjes së Teatrit, ka bërë një deklaratë të fortë, ku është shprehur se është përmbytur i gjithë bodrumi i Bashkisë së Tiranës. Të njëjtin fat që pati Biblioteka Kombëtare, të njëjtin fat ka pasur edhe bodrumi i Bashkisë, ku sipas saj janë përmbytur të gjithë dokumente që tregojnë origjinën e pronësisë, shkruan Tirana Today.
Lidhur me këtë skandal, pas atij të përmbytjes së Bibliotekës, avokatja i ka kërkuar kreut të Bashkisë së Tiranës që të mbajë përgjegjësi ligjore.
“Po shikoj që kauza po shitet. Kauza është e popullit, kauza është e shqiptarëve, Teatri është i shqiptarëve, gjithçka është e shqiptarëve. E dini ju që është përmbytur bodrumi i Bashkisë. Dini gjë apo jo? E dini apo jo që është përmbytur i gjithë bodrumi? Janë përmbytur e gjithë origjina e pronës. Po të shkoni tek bashkia që të kërkoni dokumente të trungut familjarë, nuk do t’i gjeni. Nuk janë. Kam marrë vesh që do të ketë protestë para Bibliotekës. Jooo! Protesta të bëhet para Bashkisë, dhe jo ditën e shtunë kur është pushim. Ditë të hënë dhe të martë duhet t’i shkohet Lali Erit atje. Para bashkisë duhet të mbahet protestë natë e ditë. Kjo për t’i thënë Lali Erit që të mbajë përgjegjësi para drejtësisë. Çfarë po bëhet me Bibliotekën, me arshivat, me Teatrin me gjithçka. Pas shembjes së Teatrit, e kanë radhën Teatri Metropol, Galeria e Arteve. Këtu nuk ka shtetet! Këtu nuk ka gjyqe, këtu nuk ka gjykata, këtu ka rënë shteti nën gjithçka. O njerëz, o milet, kuptojeni: Ka rënë shteti! Gjithçka e kemi ne në dorë. Forcën e pushtetit e ndajmë ne. Nëse ne heshtim, ka me iu vënë flaka këtij vendi, mbajeni mend dhe vathë në vesh!”, tha avokatja Mirela Jorgo./TIRANA TODAY/