Policia italiane ka sekuestruar një tjetër gomone me kanabis që vinte nga Shqipëria. Mediat italiane njoftojnë se gomonia me 352 kg kanabis u bllokua nga rojet bregdetare të Barit. Ndërsa në pranga ka rënë skafisti shqiptar.
Ai është një 41-vjeçar nga Shqipëria, ndërsa identiteti i tij nuk bëhet i ditur. Gomonia në ujërat ndërkombëtare u ndalua pas dyshimeve se mund të trafikonte kanabis. Pas bllokimit iu gjetën 222 pako me lënë narkotike, e cila nëse do të hidhej në treg do të kapte vlerën e 3 milionë eurove.
Në video mund të shikoni momentit kur u bllokua gomonia dhe mënyra si e kishin fshehur kanabisin. Pak ditë më parë u bllokua në Brindisi një tjetër gomone me 500 kg kanabis. Nga fillimi i këtij viti janë bllokuar 17 gomone nga pala italiane me rreth 17 ton kanabis, ndërsa janë arrestuar mbi 40 skafistë.