Nuk ka asnjë dyshim se kryeministri Rama është mjeshtër i fjalës, e po ashtu, gjestikulacionet e plotësojnë imazhin e një lideri që imponon qëndresë. Mëngjeset e tij janë të vrullshme, kaotike, me një agjendë të ngjeshur, e hera-herës na japin atë ndjesinë sikur ai u qëndron “gjërave mbi kokë”. Jo më kot ai është renditur në mesin e 10 liderëve me llogarinë më ndërvepruese në Facebook.
Renditja është bërë nga “Twiplomacy”, duke llogaritur numrin total të pëlqimeve, komenteve dhe shpërndarjeve që secili lider në botë merr në rrjetin social më të madh në glob. Ndonëse duket si një detaj jo me shumë rëndësi, aty fillon gjeneza e gjithçkaje, nga thirrjet për të shprehur shqetësimet haptazi, e më pas vijnë premtimet e pambajtura, e zhgënjimet e qytetarëve, të cilët kthejnë sytë nga qielli.
Pas trumbetimeve për fjalën e lirë dhe qarjen e halleve përmes celularit, ose përmes instancave më të larta, kryeministri ka rënë me “këmbët e tij në gropë”, pasi ia ka kthyer me një gjuhë të vrazhdë, e aspak etike një qytetari. Është dashur një sekuencë e shkurtër e transmetuar në emision “Stop” në “Tv Klan”, për të treguar anën tjetër të medaljes, atë një kryeministri që nuk ka nerva për të dëgjuar shqetësimet e një qytetari. Ai ia përplas në fytyrë, duke i thënë madje që mos ta përdorte më atë numër.
Ju kujtohet shprehja e famshme e Jozefina Topallit: “Kape mar për zhelesh, e qite përjashta”? Kjo është pak, duke e krahasur me gjuhën aspak të zgjedhur të kryeministrit, i cili e shan qytetarin pa u ndjerë në faj. Kuvendi shqiptar ofron një gamë të gjerë sharjesh, e për këtë nuk kemi si të ndihemi krenarë, por qeshim prej hallit.
Bëmat e tyre nuk kanë të ndalur me kaq, pasi shumë bujë bëri edhe “Suksese në jetë!”, nga Ilir Beqja.
Duket se kjo kastë politike, ia ka marë dorës për të thënë çdo sharje të mundshme, e bërë konkurencë me njëri-tjetrin, për të treguar se sa të fortë janë.
Biseda telefonike mes Ramës dhe Renaldos
Rama: Ore je në metro ti, apo s’je në metro
Renaldo: Heeee, faleminderit, kaq më mjafton
Rama: Kujt i thua heee, u onjsh në b*th, budalla. Mos e përdor më këtë numër telefoni.
Pyetja e cila na lind krejt natyrshëm është: Vallë çfarë kishte ndër mend Rama që nxori këto xhevahire nga goja?
Këtë ne ende nuk e dimë, e sigurisht na lën mjaft hapsirë për hamendësime, por edhe në këtë rast, Rama ka goditur sërish me perlën e radhës. /M.S
Tirana Today