Historia e parë në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, te “E diela shqiptare”, ka sjellë në studio një baba të vuajtur, jeta e vështirë e të cilit i lexohet në portret. Kjo është historia e Halimit, babait i cili si çdo prind, nuk reshti kurrë së sakrifikuari për fëmijët e tij.
Në studio ai ka thirrur të birin, Flamurin, i cili është viktimë e vesit të bixhozit dhe alkoolit. Pavarësisht këmbënguljeve të shumta të Halimit, Flamuri i ka mëshuar edhe më shumë veseve të tij, duke lënë pas dore gruan, fëmijët dhe babain i cili shpreson dhe këmbëngul që jeta e të birit të marrë një rrjedhë tjetër, duke ia bërë publikisht këtë kërkesë.
Ardit Gjebrea: Të cilin e ke thirrur sot këtu.
Halimi: E martova, për një shkak sepse filloi të merrej me lojra fati me alkool. Linte punën, ikte. Mua nuk më pëlqente sepse isha përpjekur t’i rrisja ndryshe. E shikoja që nuk ishte në rrugë të mbarë, i flisja, herë më kuptonte, herë s’më kuptonte, herë bënte sikur s’dëgjonte, herë ulte kokën…
Filloi edhe alkoolin, punonte një muaj të tërë pastaj e merrte paratë, i fuste atje, pas 24 orësh bëhej i gjallë.
Ardit Gjebrea: Ku i fuste paratë?
Halimi: Në loto. Luante bixhoz, filloi edhe alkoolin, ishin të dyja ato që unë urreja më tepër. Ka shpenzuar në loto rreth 35 milion lek që për mua janë shumë, jashtëzakonisht shumë. Për punëtor është një punëtor që s’ka shok, po ashtu edhe specialist. Nuk arrija ta shkëpusja dot nga ai ves, herë me të mirë, herë me të keq…
Nuk donte t’ia dinte as për nuse as për fëmijë, se u bë edhe me një fëmijë pas një viti.
Ardit Gjebrea: Sa fëmijë ka Flamuri?
Halimi: Tani ka tre fëmijë, dy vajza, një djalë.
Ardit Gjebrea: Bashkëshortja i ka folur?
Halimi: Jashtëzakonisht i flet, madje që të jem i sinqertë, në korrik të vitit 2012, u shkëput nga nusja, u ndanë gjashtë muaj. Kisha shkuar në fshat, për të vjelë qershitë që kisha mbjellë vetë, vij në shtëpi marr vesh që janë ndarë.
Siç tregon edhe babai i tij, edhe sot e kësaj dite situata është po e njëjtë. Flamuri është ende viktimë e vesit të bixhozit dhe alkoolit, ndërkohë që ka lënë pas dore të shoqen dhe fëmijët. Halimi ka ardhur në studion e së dielës shqiptare t’i kërkuar që të heqë dorë nga veset e tij dhe të kujdeset për fëmijën e vogël që e ka edhe të sëmurë me sindromën down.
Mesazhi në studio:
Flamur, sido që kanë shkuar gjërat deri më tani, do t’ia lëmë së shkuarës. Sot nga ty unë kërkoj që të shkëputesh në mënyrë kategorike, nga lojrat një, nga alkooli së dyti, dhe të bësh letrat e Kempit për djalin e sëmurë. Asgjë nuk të kërkon babi tjetër, puno, jeto për vete.
Flamuri: Unë po mundohem shumë të siguroj letrat për djalin por e kam shumë të vështirë. Sa për alkoolin dhe bixhozin, si gjithë të tjerët, nuk është se e teproj…
Ardit Gjebrea: Kur është njeriu beqar, ndodhin gjëra dhe ikin me beqarinë, dhe në momentin që martohesh, ka një përgjegjësi njeriu, ndaj bashkëshortes, pastaj bëhesh me fëmije dhe disa gjëra duhet të ndryshojnë apo jo? Fillojmë nga gruaja që meriton kujdesin dhe gjithë dashurinë. Ato para që t’i bën i bën me gjak, por babait nuk i mbushen kot sytë me lot. Ai një ditë nuk do jetë më se ky është ligji i jetës, kështu do ta mbash mend…?
Pas ndërhyrjes edhe të moderatorit Ardit Gjebrea, duket se Flamuri u ndërgjegjësua për përgjegjësitë dhe situatën e familjes së tij. Ai premtoi se nuk do të konsumonte më alkool, do të braktiste vesin e bixhozit dhe do të kthente sytë nga bashkëshortja e tij dhe fëmijët të cilët kanë aq shumë nevojë për presencën dhe rolin e babait në shtëpi./tvklan.al