Shumë vetëvrasje në Shqipëri kanë mbetur mister, kjo për shkak të dinamikës së ngjarjes. Shumë raste të bujshme janë trajtuar në media, e më pas, diçka ka çaluar për ta çuar deri në fund këtë mision.
“Tirana Today” po sjell në fokus disa nga rastet që kanë bërë jehonë ndër vite, që nga rasti i Ish-kryeministrit Mehmet Shehu, vetëvrasjes së policit në Fier, apo e polices në Durrës e cila vrau veten me armën e shërbimit.
Një tjetër rast po aq i bujshëm është edhe i oficerit të SHISH-it, i cili u gjet i djegur në makinën e tij, e ndërsa Policia e Durrësit dha versionin zyrtar se Isa Çopa është vetëvrarë.
Të fshehtat që Mehmet Shehu mori në varr: Ish-kryeministri më jetëgjatë i Shqipërisë, Mehmet Shehu, është një nga figurat më potenciale të sistemit diktatorial në Shqipëri, pasi drejtoi vendin për afro 30 vjet si kryeministër. Ai u gjet i vdekur në dhomën e tij, më 18 dhjetor të vitit 1981.Vetëvrasje apo vrasje është ajo e Mehmet Shehut? Sa i takon të dhënave rezulton se ishte një vetëvrasje, por që motivet kanë mangësi në sqarimin e tyre. Letra që atij iu gjet në dhomën e tij, është një fakt ku dëshmon se Mehmeti do ti jepte fund jetës.
Deri më tani është thënë që fejesa e djalit të tij me një vajzë e cila vinte nga një familje jo e denjë politikisht, ishte arsyeja kryesore e vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Në një mbledhje të datës 17 dhjetor të vitit 1981, Mehmeti ishte kritikuar rëndë nga shokët e Byrosë.
Enver Hoxha ishte ai i pari që iu kundërvu njeriut më të afërt të tij, për një periudhë thuajse tridhjetë-vjeçare. Ai kritikohej për shkelje të vijës së partisë dhe se veprimet e tij të kohëve të fundit ishin të nxituara dhe duhej që t’i bëhej patjetër vërejtje. Të gjithë në atë mbledhje kishin qenë kundër tij.
Sipas byroistëve të asaj kohe, Mehmeti po bënte pazarllëk me imperialistët dhe kishte zbutur luftën e klasave. Një tezë tjetër është dhe një ekzekutim eventual i tipit mafioz, që jo rrallëherë e kishte praktikuar Enver Hoxha.
Kjo ka më pak të dhëna, siç është veshja e kryeministrit me rrobat e shtëpisë. Po ashtu, në favor të ekzekutimit të tij është dhe autokritika e tij që do të lexonte të nesërmen në Byronë Politike.Kush është Agim Daka, i cili vrau veten me armën e komisar Artan Cukut? Momenti më i rëndë i Artan Cukut në Policinë e Shtetit ka qenë një ngjarje e ndodhur në vitin 2005. Në mars të atij viti shtetasi Agim Daka, 25 vjeç, nga Shkodra, vrau veten me armën e Artan Cukut.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur brenda në zyrat e Policisë së Shtetit në Tiranë, ku viktima u shoqërua pasi ngjante shumë me të vëllanë, Bujar Daka, i cili ishte arratisur nga Policia e Shkodrës.
Viktima Agim Daka, teksa po merrej në pyetje në zyrën e shefit të Krimeve të Komisariatit nr.4, Artan Cuku, arriti t’i merrte armën këtij të fundit. I ndaluari që po merrej në pyetje qëlloi veten me armën e shefit të Krimeve të Policisë dhe mbeti i vrarë në vend.
Kjo ngjarje ishte një incident i rëndë për Artan Cukun, i cili u pezullua nga detyra për disa javë, derisa hetimi e nxori të pastër nga kjo ngjarje.
Artan Cuku ishte marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e ndodhur në zyrën e tij me 25-vjeçarin nga Shkodra. Shefi i Krimeve të Komisariatit nr.4 në atë kohë ka thënë se viktima qëndroi vetëm 5 minuta në zyrën e tij.
Cuku ka shpjeguar se as vetë nuk e kishte kuptuar se si i ndaluari kishte marrë armën e tij dhe kishte qëlluar veten në kokë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Artan Cuku ka thënë në dëshminë e tij se i ndaluari ia mori armën në një moment kur ai kishte hequr xhaketën në zyrë, por të afërmit e 25-vjeçarit akuzuan se Agim Daka ishte dhunuar fizikisht e psikologjikisht për të treguar informacione në lidhje me vendndodhjen e vëllait të tij.Oficeri i SHISH u dogj në makinë, po hetonte pronat e gjyqtarit Konomi: Në vitin 2011 i gjet i djegur në makinën e tij oficeri i Shërbimit Informativ Shtetëror në Durrës prej 11 vitesh, Isa Çopa.
Trupi i pajetë i 49-vjeçarit u gjet në plazhin e Currilave. Shefi i Kundërzbulimit, i martuar dhe baba i një djali 17-vjeçar, Isa Çopa, u nxorr i karbonizuar nga sedilja e pasme e automjetit tip “Opel Corsa”, ndërsa familja kishte denoncuar në polici zhdukjen e tij, disa orë më parë. Policia e Durrësit dha versionin zyrtar se Isa Çopa është vetëvrarë.
Përpos deklaratës zyrtare, burime pranë Policisë së Durrësit kanë zbuluar fakte të tjera që i çuan të “vulosin” për versionin e vetëvrasjes. Sipas tyre, viktima ka zgjedhur benzinën për vetëvrasje, pasi mendohet se në makinë ka pasur edhe disa dokumente të rëndësishme të punës, për të cilat duket se ka menduar asgjësimin e sigurt me zjarr, ashtu si veten.
“Kohët e fundit është shfaqur në gjendje jo të mirë mendore, dhe ishte i fiksuar sikur do ta hiqnin nga puna, edhe pse nuk ishte paralajmëruar kurrë. Këtë fobi viktima ia kishte shfaqur disa miqve të tij, ndërsa u ka thënë se kërkon të sigurojë diku edhe dokumentet më me rëndësi të punës që disponon”, bënin të ditur në atë kohë burimet policore.
Sa i përket armës dhe plumbit të gjetur, ata sqarojnë: “Arma është e tij dhe vërtet është gjetur e shkrehur, por plumbi nuk ka depërtuar te viktima. Duke iu referuar ekspertëve tanë, arma është shkrepur si pasojë e nxehtësisë dhe plumbi ka kaluar direkt në tavanin e makinës dhe jo te viktima.
Trupi i të ndjerit është gjetur i karbonizuar, por dukej qartë që kishte qenë në kurriz dhe një dorë e kishte mbajtur në pjesën e poshtme të kokës. Pra, një vdekje “e qetë, me vetëdije”. Ndërkaq, xhami i majtë i makinës është gjetur si gjysmë i hapur dhe për këtë ekspertët mendojnë se ka shërbyer për t’i vënë flakën makinës.
Të gjitha këto, mungesa e konflikteve me familjarë apo me persona të tretë, si edhe mesazhi i lamtumirës drejtuar djalit të vetëm, na çuan drejt version zyrtar se Isa Çopa është vetëvrarë”.
Por ndryshe mendojnë familjarët, pasi oficeri i SHISH-it po hetonte pronat e gjyqtarit Konomi. I ndjeri po hetonte vrasjen e gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi. 49-vjeçari Isa Çopa, me detyrë nëndrejtor i degës së SHISH-it në Durrës, veç të tjerave, ishte ngarkuar me mbledhjen e informacioneve për dosjen “Konomi”.Vetëvrasja e polices në Durrës: Në vitin 2017, policija 23-vjeçare Paranxhela Shahini i dha fund jetës në njërën prej dhomave të banesës së saj në Katund Sukth.
E reja është vetëqëlluar në katin e dytë të banesës, ndërsa motivi i kësaj ngjarjeje mbetet ende enigmë për grupin e hetimit. Familjarët nuk kanë dhënë asnjë shkak të mundshëm që efektivja e policisë të ndërmerrte këtë akt të rëndë.
Nga kqyrja e vendit dhe të dhënave të tjera të siguruara në sajë të veprimeve procedurale, është përjashtuar pista e vrasjes. Policia përjashton faktin që mund të kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale, pasi e reja kishte vendosur tytën e pistoletës në bark, ç’ka do të thotë se kemi të bëjmë me vetëvrasje të pastër, për arsye që mbeten ende enigmë.
Sipas Policisë, akti i rëndë s’ka të bëjë me detyrën që e reja ushtronte. Gjithashtu, nuk rezulton që ajo të ketë pasur presion apo kërcënim nga persona të tjerë.
Gjendja familjare e polices mësohet të ketë qenë e qëndrueshme dhe përjashtohet pista se ajo mund të jetë shtyrë drejt këtij akti për arsye ekonomike.Polici vrau veten. Frikë nga Vettingu? Në muajin prill të këtij viti u përcoll për në banesën e fundit efektivi i policisë Kastriot Fafaj, i cili i dha fund jetës duke u vetëvrarë në ambientet e komisariatit të Policisë, pasi mbylli shërbimin.
Policia e Fierit zyrtarisht ende nuk ka një shkak për vetëvrasjen e 46-vjeçarit, e ndërsa kanë thënë se viktima ishte stresuar për shkak të dokumentave të vettingut.
Efektivi Kastriot Fafaj mësohet se është vetëqëlluar me puthitje në gjoks, në zemër dhe per kete arsye nuk eshte degjuar zhurma e të shtënës. Fafaj ka shërbyer për rreth 20 vjet në trupën e policisë së Shtetit dhe la pas dy fëmijë.
Misteret e vdekjes së shoferit të Xhafajt: Shoferi i Ministrit të Brendshëm, Shkëlzen Qordja, u gjet mëngjesin e së shtunës pa shenja jete nga kolegët e tij, brenda një garazhi tek Garda e Republikës.
Ai e mbante armën në dorë dhe e kishte kthyer automatikun për të qëlluar me breshëri, por është vetëqëlluar me vetëm një plumb, ndërkohë që dy plumbat e tjerë kanë përfunduar te xhami i makinës.
Mister mbeten shkaqet për se u vetvra Shkëlzen Qordja. Deri më tani Garda e Republikës dhe familja e 31-vjeçarit nuk janë në gjendje të japin një arsye që çoi në vetvrasjen e shoferit të Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Sipas mjekëve mjeko-ligjorë, Qordja ka qenë për minuta të tëra ende me shenja jete, por kur kanë mbërritur kolegët e tij dhe më pas mjekët, ai kishte ndërruar jetë.
Viktima Shkëlzen Qordja, 31 vjeç, ishte pranuar në Gardë që prej marsit të vitit 2017, ndërsa prej disa vitesh shërbente si shofer i Fatmir Xhafajt. Trupi i pajetë i gardistit u gjet rreth orës 09:30 të mëngjesit të së shtunës nga efektivët e Gardës.
TIRANA TODAY