Partia Demokratike ka reaguar lidhur me vetëvrasjen e shoferit të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Deputeti Ervin Salianji, pyet se kush do të hetojë për zbardhjen me plumb pas koke të shoferit të ministrit të Brendshëm?
“Për shkak të rrethanave ministri është në rrethin e parë të personave që duhet të hetohet. Kush do ta hetojë atë, vartësit do hetojnë eprorin?! Shumë rastësi bëjnë një ligjësi. Nga lidhja me mafian tek informacionet konfidenciale gjithçka e bën të tmerrshme këtë histori. Ndoshta, por kush do të hetojë të vërtetën! Besimi i shqiptarëve tek drejtësia kalon për këto momente dhe nuk është e rastit që ka humbur plotësisht”, shprehet Salianji.
Salianji shton se “realiteti i shqiptarëve i ka kaluar imagjinatën e serialeve të famshme të “Games of Thrones” apo “House of Cards”.
Sipas tij jeta e qytetarëve shpjegohet vetëm me skenarë filmash, ka kaluar çdo imagjinatë realiteti.
31-vjeçari Shkëlzen Qordja, u gjet i pajetë rreth orës 09:30 të mëngjesit të kësaj të shtune, në garnizonin e Gardës së Republikës.
Ai u gjet i pajetë brenda garazhit, të caktuar për mjetet e Ministrisë së Brendshme, ndërkohë që gardisti është me detyrë funksionale shofer i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Trupi i pajetë u konstatua nga punonjës të Gardës, ku nga aty u lajmërua dhe policia. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës është duke punuar për të qartësuar shkaqet e ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave. Nga hetimet e para mendohet se viktima mund t’i ketë dhënë fund jetës, për shkak të pistoletës së gjetur pranë trupit të tij, ndërkohë që pritet në vijim, për të zbuluar gjithë të vërtetën.