Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvendin e Shqipërisë, i ka dhënë mandatin e deputetit, Pandeli Majkos, i cili zëvendëson Alqi Bllakon. Ky i fundit u prangos nga SPAK, sa i takon çështjes së inceneratorëve. Pasi shqyrtuan vendimin e KQZ-së për dhënien e mandatit të deputetit, dhe pas verifikimit, e kaloi atë për votim në seancën plenare të pasdites së sotme.
Njoftimi i Kuvendit:
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin shqyrtoi vendimin e KQZ-së për dhënien e mandatit të deputetit, z. Pandeli Sotir Majko.
Nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, njëkohësisht Kryetare e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin të Kuvendit të Shqipërisë, sot u zhvillua mbledhja e këtij Këshilli.
Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin shqyrtoi vendimin nr. 140, datë 04.04.2022, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit kandidatit të listës shumemërore të Partisë Socialiste të Shqipërisë, qarku Tiranë z. Pandeli Sotir Majko” dhe pasi verifikoi mandatin e deputetit z. Majko, ia kaloi seancës plenare të datës 11 prill 2022.