Deputeti i LSI-së, i cili ka dorëzuar mandatin e tij, Përparim Spahiu, ka sulmuar kreun e Policisë së Shtetit Ardi Veliun, i cili shpërndau një letër ku kërkonte ndjesë lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës.
Në një postim në Facebook, Spahiu shkruan se Veliu duhet t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve që i helmoi me gaz serb si dhe të arrestojë Ramën që shkeli ligjin kur i bëri thirrje Policisë se Shtetit të dilte në fushatë.
“T’i bëjë këto dhe do t’i pranohet ndjesa!”, përfundon Spahiu.
Postimi i plotë:
Ardi Veliu duhet ti kërkoje ndjesë shqiptarëve protestues që i helmoi me gaz Serb, i cili teknikisht përdoret kundër terroristëve dhe jo popullsisë civile.
Policia e Ardi Veliut është më politikja që nga viti ‘91. Edhe atëherë në emër të ndjesës ndaj disave, goditej populli protestues.
Fundja ka një mënyrë që ti pranohet ndjesa: të hedhë gaz lotsjellës te antimitingjet politike që bën Edi Rama me njerëz që mbledh me pahir! Edhe ata e shkelin ligjin dhe shumë rëndë madje!
Të arrsetojë edhe Edi Ramën që shkeli ligjin kur i bëri thirrje policisë së shtetit të dilte në fushatë!
Ti bëje këto dhe do ti pranohet ndjesa!