Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka reaguar në lidhje me vdekjen e 25-vjeçares, Rexhina Debrova në maternitetin e Elbasanit.
E ftuar në emisionin ‘Byro Politike’, Manastirliu e cilësoi një ngjarje shumë të rëndë, ndërsa tha se është ngritur një grup ekspertësh, të cilët do të verifikojnë praktikën që është ndjekur.
Pas daljes së këtyre ekspertizave, ministrja theksoi se do të përcaktohen edhe përgjegjësit, si dhe do të bëhen përmirësime të mëtejshëm në raport me shërbimin mjekësor në spital.
“Është një ngjarje shumë e dhimbshme. Si ministre e Shëndetësisë, si grua shpreh ngushëllime familjes për humbjen. Nuk është e lehtë të përballesh me ngjarje të tilla. Më beso që asnjë mjek nuk do donte që të përballej me ngjarje të tilla. Sapo jam informuar kam ngritur një grup ekspertësh për të verifikuar protokollin që është ndjekur në rastin në fjalë.
Grupi është duke punuar. Paralelisht është prokuroria e cila po heton. Presim të dalin edhe rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore në verifikimin që po bëhet në kuadër të hetimeve dhe do të marrim të gjithë vendimet e mëpasshme pas daljes së këtyre ekspertizave për të marrë dhe ngarkuar me përgjegjësi nëse do të ketë vend për përgjegjësi apo do të ketë vend për përmirësim të mëtejshëm në raport me shërbimin mjekësor në spital”, tha ministrja Ogerta Manastirliu.