Qytetarët grekë kanë shprehur dufin ndaj krimit makabër, ku bashkëshorti i mori jetën gruas së tij 20-vjeçare, pasi kjo e fundit kishte kërkuar ndarjen. Një përplasje e dhunshme mes tyre, ka sjellë edhe fundin fatal. Piloti Charalambos Anagnostopoulos, për rreth një muaj sajoi detaje të cilat ua vështirësuan punën hetuesve, e madje ngriti aludime se autorët që hynë në shtëpinë e tij për të grabitur e ku ‘mbytën’ gruan e tij, mund të ishin edhe shqiptarë.
Ai shkoi edhe më tej duke ngritur një skenë të një vrasësi gjakftohtë, duke i lënë të besonin familjarët e tij se ai nuk kishte gisht në këtë krim. Bashkëshorti 32-vjeçar i Caroline Krauts pranoi se është autor i vrasjes së 20-vjeçares, 7 orë pasi u mor në pyetje nga hetuesit. Piloti pranoi se ata kishin shpesh zënka mes tyre e se Caroline donte të ndahej. Sipas ‘newsbomb.gr’, piloti 32-vjeçar ka rrëfyer para hetuesve se ai nuk kishte bashkëpunëtorë në krim, por çdo gjë e ka kryer vetë. Ai ka treguar se ka lidhur veten e tij, në mënyrë që të dukej sikur e kishin lidhur ‘grabitësit’.
Autori i vrasjes së 20-vjeçares u përball me dy oficerë të Departamentit të Vrasjeve për orë të tëra, për të dhënë shpjegime në lidhje me të dhënat e reja që policia kishte në duart e tyre. Ai tregoi se nuk kishte planifikuar asgjë, dhe se pas asaj që ndodhi, ai u përpoq të mbulonte gjurmët e tij. Ky është shpjegimi për “drejtimin” në skenën e vrasjes, i cili përfshin varjen e qenit të familjes, heqjen e kartës dixhitale nga regjistruesi i shtëpisë, madje edhe faktin që ai u gjet i lidhur …
“Në një moment hodha fëmijën në krevat. E mbyta dhe sajova grabitjen”, ka thënë ai para policisë.
Pas një dëshmie maratonë, Charalambos Anagnostopoulos pranoi se kishte vrarë gruan e tij, pasi kjo e fundit i kishte pohuar se do të largohej bashkë me vajzën e tyre 11-muajshe. Në celularin e Carolinës u zbuluan mesazhet e fundit që ajo kishte shkëmbyer me bashkëshortin.
20-vjeçarja donte të largohej nga banesa bashkë me foshnjen 11-muajshe, për shkak të zënkave dhe kjo konfirmohet edhe nga mesazhet. Sipas televizioneve greke, natën e 11 majit kishte tension mes çiftit. Të dy shkëmbenin SMS me njëri-tjetrin brenda të njëjtës shtëpi, por ishin në dhoma të ndara. Mesazhi i fundit i 20-vjeçares së ndjerë ishte “stupid” (budalla nga anglishtja). Ishin provat që kishte siguruar policia greke dhe dëshmitë kontradiktore që kishte dhënë 32-vjeçari ato që nuk bindnin hetuesit. Kjo për shkak se në celularin e tij kishte një aplikacion që llogariste hapat.
Çfarë kishte ndodhur mes tyre?
Caroline Crouch kishte bërë gati letrat që të depozitonte në gjykatë kërkesën për tu divorcuar nga bashkëshorti i saj, piloti 32-vjeçar që tashmë është vënë në pranga. 20-vjeçarja, kohët e fundit donte të largohej nga shtëpia bashkë me vajzën, dhe se ishte vënë në kërkim të një hoteli. Edhe mesazhet e zbuluar në telefonat e të dyve, kanë treguar se Caroline dhe i shoqi janë grindur vetëm pak orë para krimit të rëndë.
Si tentoi të manipulonte vrasjen
Duke iu referuar dëshmisë së rreme të bashkëshortit të saj, tre persona, të cilët shkuan për të grabitur një shtëpi në Greqi, përfunduan duke vrarë 20-vjeçaren britanike, qenin e familjes dhe duke torturuar edhe vetë atë. 20-vjeçarja u gjet e vrarë në papafingo të shtëpisë, pranë krevatit të fëmijës së saj 11 muajsh, ndërsa burri i saj 32-vjeç, kishte krijuar një skenë sikur ishte i lidhur në një karrige në dhomën e gjumit. Ishte ai që njoftoi policinë duke i rënë telefonit me hundë (sipas tij), por bashkëshortja kishte ndërruar jetë prej kohësh.
Caroline u vra në të gdhirë të 11 majit. Bashkëshorti i së ndjerës tha se tre autorë të maskuar thyen një dritare të shtëpisë së tyre, dhe hynë brenda ku po flinin çifti dhe foshnja e tyre 11 muajshe. Ata lidhën 32-vjeçarin, ndërsa në përpjekjen për të neutralizuar 20-vjeçaren që po rezistonte, e mbytën. Sipas 32-vjeçarit, autorët e krimit kanë marrë 15.000 euro që ishin në një kuti. Dyshimet u shtuan për policinë, pasi autorët nuk kishin lënë asnjë gjurmë dhe as nuk morën celularët e çiftit.
Gjatë periudhës së ndërhyrjes, drejtuesit e Sigurimit dhe Drejtorisë së Hetimeve Kriminologjike kërkuan tërësisht brendësinë e shtëpisë, pa gjetur ndonjë gjetje që konfirmon praninë e grabitësve. Ata gjithashtu kërkuan dëshmi dhe video nga kamerat e sigurisë për të provuar praninë e grabitësve në shtëpi dhe për të zbuluar provat e arratisjes së tyre. Madje bashkëshorti i viktimës tha se njëri nga grabitësit fliste gjuhën shqipe. Pas kërkimeve nuk u zbulua asgjë dhe provat e tjera sollën më pas përmbysjen e gjithë ngjarjes.
Vrasësi kishte planifikuar të arratisej në Turqi
Një ditë më parë, policia lëshoi njoftimin se Anagnostopulos po shqyrtohej si i vetmi dëshmitar okular i vrasjes, dhe se “provat nuk mund të prisnin”. Pasi u dërgua në Gada me helikopter, Babis u arrestua për vrasjen e të shoqes. Ai kishte planifikuar të arratisej për në Turqi, ndaj hetuesit u kujdesën të mos binin në sy, se kishin arritur të zbardhnin ngjarjen dhe rolin e tij në vrasjen e të shoqes. /TIRANA TODAY