I sulmuar kohët e fundit nga një dokumentar i RTSH mbi rebelimin e famshëm të Qafë Barit dhe nga një seri publikimesh ku etiketohet si “vrasës” dhe “xhelat”, madje edhe si “organizator” i vrasjes së disa ditëve më parë të një ish-të burgosuri politik për borxhe, Edmond Caja vendos të thyejë heshtjen dhe të replikojë nga emigrimi ku ndodhet prej gati 3 dekadash.
Çfarë thotë për Agron Tufën, Bedri Blloshmin, Visar Zhitin, mesazhet me Hajredin Fratarin dhe emra të tjerë të njohur ish-të burgosurish të para ‘90-s.
Një histori që lidh të djeshmen dhe të sotmen nëpërmjet një dëshmitari unik: “Kam heshtur shumë gjatë në respekt të dënimeve që vuajtët. Por disa nuk dinë t’i respektojnë as vetë vuajtjet e tyre” – shkruan ai në një letër të gjatë dërguar në Dita, e cila do ta botojë atë në dy numrat në vijm.
Më poshtë, pjesa e botuar sot:
*****
Nga Edmond Caja/ Kohët e fundit qëllimisht personaliteti dhe dinjiteti im është baltosur me shpifje e gënjeshtra nga më monstruozët. Jam i obliguar në radhë të parë para vetes, familjes sime dhe njerëzve që me njohin që këtyre shpifjeve, më së fundi, t’iu dal përballë për t’i përgënjeshtruar e hedhur poshtë si të paqena e pa asnjë lidhje me personin tim:
Me të mbaruar shkollën e lartë, jam caktuar për të punuar në administratën e Repartit të Riedukimit 311 në Qafën e Barit që kur u krijua në 1982, e deri në vitin 1988, nga funksioni Oficer Pune, Komandant Policie; deri si Komandant i Repartit. Urdhri i Ministrit për mua si oficer i ri ishte diskriminues “Oficer Pune” në Repartin Nr .311, Qafë e Barit!
Të gjithë bashkëkohësit në shkollën e Ministrisë e dinë se emërimi im ishte poshtërues në raport me nivelin që kisha, ishte ndëshkues për andrallat që në vite ju kisha hapur si zë kritik, ishte riedukues.
Reparti 311 që ishte një repart riedukimi, sa ishte hapur dhe i mungonte çdo gjë. Emërimi këtu ishte një shok i vërtetë për mua. Dy hektarë qiell, thellë në pyjet e Munellës, Repart riedukimi, punë me të dënuar, dhe këto për një djalë të ri 23 vjeçar, nga Tirana, gjimnazist i “Qemal Stafës”, që dikur luante piano e violinë, dhe luante plot pasion basketboll.
Në vitin 1993 u largova familjarisht nga Shqipëria, në emigrim pasi s’kisha asnjë shans për të jetuar normalisht. Pa pune, pa shtëpi e pa asnjë të ardhur. Me largimin nga vendi mbylla një kapitull dhe hapa një kapitull të ri si çdo emigrant e ndërkohë, kisha vendosur që të mos merresha fare me sharlatanë, ish të dënuar apo jo, që aty këtu shkruajtën apo dolën në publik duke me atakuar padrejtësisht.
Pas 27 viteve në emigracion, në një dokumentar të Monika Stafes, jashtë çdo principi gazetaresk, e cila as që denjoi të merrte informacione nga të gjitha palët, apo të konsultonte dokumentacionin rigoroz të kohës, me një pasion të shfrenuar dezinformimi, shfaqur në RTSH që ju kushtua Rebelimit në Qafen e Barit, e që në thelb ishte si një përbaltje ndaj personit e personalitetit tim, ku me etiketuan disa herë si kriminel, më nxorën me foto pa asnjë autorizim (madje në një foto familjare pas një ceremonie mortore kunatin tim e prezantojnë si një koleg pune të asaj kohe – shif foton më poshtë).
Intensivisht përflitem, afishohem në gazeta me foto, akuzohem e përbaltem në mënyrë të paskrupullt e jashtë çdo norme bashkëjetese. Emërtohem kriminel, pa qenë i tille. Më akuzojnë për krime e për raste, apo persona, që janë thjesht fantazi e sëmurë. Një denigrim i çmendur, një kurajo psikopatësh, një protagonizëm fals duke treguar situata pa qenë fare aty, një kor korbash kundër personit tim që s’besoj se ka arsye të tjera, jashtë arsyes se makutërisë dhe hakmarrjes.
Në këto 28 vjet aty këtu kam rënë në dijeni me shkrime ose dëshmi të disa ish të dënuarve për krime kundër shtetit, por edhe nga njerëz që as i njoh e as me njohin. Dikush ka bërë edhe romane, por që në tërësinë e tyre kane një gjë të përbashkët: GËNJESHTRËN.
Efekti i këtij dokumentari u ndje edhe këtu ku jetoj, sepse policia kriminale e Gjermanisë e vëmendshme për shtetasit e saj me thirri dhe më vuri në dijeni midis të tjerash edhe për një email plot urrejtje e akuza, që zonja Mira Dine kishte dërguar në bashkinë e zonës ku unë punoja. Fakti që s’e njihja dhe kurajo prej injoranteje që shfaqte, më detyroi t’i bëja akuzë për shpifje në prokurori.
Prokurori që e hetoi e pushoi si çështje, pasi ishte i vështire hetimi i fakteve në një territor jashtë Gjermanisë si dhe u prezumua se M.D. kishte reaguar nga bindja e krijuar dhe jo se me dashje donte të shpifte.
Kjo zonjë që kërkonte të bënte drejtësinë e gjyshit të vrare në vitin 1944 (kolaboracionist nuk besoj që ka qenë), nëpërmjet personit tim, pasi kishte bërë thirrje disa herë me ndihmën e Agron Tufës në media, për mbështetje dhe dëshmi, nuk vonoi të jepte edhe lajmin e gënjeshtërt se me mua kishte bërë gjyq ballë për ballë dhe unë kisha tërhequr padinë. Bile tani që ka edhe shumë prova e dëshmitarë do bëj gjyqin e Nürenbergut shqiptar. Xhelatin e ka sajuar, tani po përgatit dëshmitarët, vetëm se ka mos përputhje në kohë e në fakte.
Haxhi Baxhinovski u vra tek Liqeni Artificial dhe M.D. në histerinë e saj e në kor me Agronët, pa ju ftohur gjaku të ndjerit, lëshuan lajmin tjetër të rremë, se vrasjen e ka bërë sigurimi i shtetit me urdhër të Mond Cajës i cili jeton madje mijëra kilometra larg Tiranës.
Agron Tufa ky mashtrues ordiner që as më njeh e as e njoh ka marrë flamurin për të denigruar dinjitetin e personalitetin tim. Edhe tani në konfliktin e rradhës me zotin Braho, bredh nëpër ekranet e televizioneve me teorinë, se zoti deputet e sulmoi për shkak se ky e paska akuzuar si kriminel Edmond Cajën. Vëreni në pak kohë se çfarë sajon, pa iu dridhur syri. Unë kam urdhëruar ish-sigurimin e shtetit për të vrare Haxhi Baxhinovskin?! Unë paskam vënë në lëvizje deputetin për të sulmuar Agronin, që tashmë edhe jetën e ka në rrezik?! Të tëra këto i shpif sot në sy të të gjithëve, edhe pse policia thotë se H.B. u vra për arsye borxhesh, le pastaj të mendosh se sa teren pa fund i krijon vetes, për të shpifur për ngjarje që kane ndodhur këtu e mbi 30 vjet më parë.
Unë thjesht e pyes publikisht A. Tufën: A ke familje mor zotëri, a ke dinjitet, a ke së paku respekt për veten tënde?
Agron Tufa ndoshta edhe për të justifikuar detyrën që bën në Institut, del në emisione televizive kundër meje si ata që parashikojnë motin ku i mungon një shkop në dorë, se në sfond e ka hartën metereologjike me resmen time. Dhe është aq i sigurt për krimet e mia, sepse unë kam qenë me punë në Repartet e Riedukimit të Socializmit, njësoj sikur unë, pasi kam dëgjuar për të se ka studiuar në Rusi me burse falas ruse, të mbroj me stoicizëm akuzën se Agron Tufa është agjent Rus.
Më thonë kriminel, kriminelët. Shikojani dosjet dhe do vëreni se rrugën drejt dënimit për krime kundër shtetit e kanë nisur duke vrarë, vjedhur e shpërdoruar si kontigjent ordiner. Sot ka prej tyre që s’janë me, pikërisht se nuk hoqën dorë nga të qenit kriminel, si psh N.P.
Bedri Blloshmi mban flamurin e kur flet për mua për t’u bërë më i besueshëm merr rolin e Priftit e me keqardhje e hidhërim thotë para ekranit: “Aq i ri e aq kriminel”.
Ky është ai Bedriu që mbesa e vet E.V.B e etiketon si matrapaz, si të pafytyrë, që e bëri gati të vdekur për leke, duke përbaltur gjakun e vëllait etj. Ky Bedri s’ka nevoje për demaskimin tim se ja bën njeriu familjes që e njeh akoma më mirë. Ende s’ka sqaruar rolin e vet në dënimin e të vëllait. Edmond Caja ka thyer në mes Sandër Sokolin është gati të dëshmojë edhe pse në kohën e rrjedhjes së ngjarjeve të rebelimit, ai s’mund të ishte aktiv e as kishte mundësi të kishte dijeni mbi ngjarjen sepse ka qenë duke punuar si minator në hapjen e vrimave.
Edhe Poeti i persekutuar, ish-ministri e ambasadori Visar Zhiti kështu më quan kriminel.
Dëshmitar Visar Zhiti, po si nuk hoqe dore nga dëshmitë a derëzi, se derëbardhë s’te them dot. Kur erdhe në Qafe Bari nga Spaçi kam pasur debat me një kuadër, sepse s’donte që ti të punoje në minierë, ju duheshe në ofiçinë pa qene mekanik për një kombinacion operativ. Unë refuzoja sepse mendoja edhe për jetën tënde. Poeti në Ofiçinë si mekanik, s’mund të ishte gjë tjetër veçse syri dhe veshi i Partisë dhe hakmarrja s’do vononte. Veshin do të kafshonin në mes të natës bashkëvuajtësit. Ky kam qenë unë që i kushtoja rëndësi çdo hollësie, deri në detaj për të siguruar edhe jetën tënde edhe veshin tënd (mendo të të kishin damkosur atëherë se çfarë Visari do kishim sot).
Lexova një intervistë tënden tek “Bota Sot” me Nebil Çikën ku gënjen nga fillimi deri ne fund. Gënjen kur thua se miniera e Qafe Barit nuk mund të punohej me forca njerëzore. Pyesni Kosta Barkën, ish-ministër për Çështjet Sociale në qeverinë e PD, që në atë kohë ka qenë inxhinier miniere i prodhimit të bakrit direkt në Qafë Bari dhe jo vetëm në kohën që fuqia punëtore u zëvendësua me punëtorë të detyruar, por edhe 6-7 vjet të tjera më parë. Miniera nuk u hap më të burgosurit, por ekzistonte me vite dhe shfrytëzohej me punëtorë të lirë, por ngaqë minerali ishte i pasur e me interes ekonomik kombëtar dhe zona kishte mungesa në fuqi punëtore u vendos të sigurohej prodhimi me fuqi punëtore të detyruar ku duhet theksuar se 6 muajt e parë ishin të dënuar ordinerë të ardhur nga burgu i Bulqizës që u mbyll në ato kohë.
Ti edhe kur gënjen s’di të gënjesh, por shpreson, se s’do vihet re pasi beson te stili poetik në të treguar. Je aq i verbër në hakmarrje sa jo rrallë humbet fillin dhe lidhjen e ngjarjeve.
Thua se ju bënim kontrolle kur shkonit në miniere? Po ç’kontrolle o dëshmitar duheshin bërë kur dilje nga reparti për në minierë, ndoshta anasjelltas po. Por ty të duhet të fusësh kontrollin që pastaj ta dramatizosh situatën se gjoja policët e dogjën me cigare, njërin që i ra të fiket, për të parë a ishte gjallë apo jo. Kur lexoj këto fantazi edhe pse e quaj atë kohë si një periudhë ku humba pjesën më të bukur të jetës, them se prapë qe fat, qe rastësia nuk çoi në formulën që ti të ishe komandant e unë të isha i burgosuri yt.
“Mbaj mend-gënjen ti, që më ka thënë Sandër Sokoli, i cili kishte shkuar në Kinë për specializim dhe më pas u burgos. Kur ai kishte qenë në Kinë, specialistet atje ishin habitur nga shqiptarët duke i thënë se nuk kishin nevojë për specializim pasi ishin mjaft të përgatitur. Ata i kishin thënë se shqiptarët ishin më mizorë në tortura”.
E këtu fillon të shfryjë fantazia jote sadiste poetike e arkivolit ku futej personi i gjallë dhe bashke me të një pemë bambuje (e pyjeve të Munelles) e cila rritej 5 cm në ditë duke e ç’puar për së gjalli të torturuarin?
Ti s’ke as respekt e as njerëzi ndaj Sandër Sokolit që edhe për së vdekuri abuzon me djallëzi mbi tregimet e tija për Kinen, ku paska shkuar të mësojë si të torturosh?
Kulmin e rrëfimit tënd e arrin kur Nebil Çika, pasi e kishit biseduar më parë edhe pyetjen dhe përgjigjen të pyet: Visar, në një dëshmi të Bedri Blloshmit, vëllai i Vilson Blloshmit, thotë se drejtori i burgut bashkoi dy stola gjatë revoltës dhe ka thyer në mes Sandër Sokolin… e ti o bashkëpunëtor dhe me dreqin, që e pe gjithçka nga ofiçina, matanë kodrës, dëshmon: “Është e vërtetë ajo që thote Bedriu. Edmond Caja ishte komandant i policisë… “Domethënë më akuzon si VRASËS. Komentet janë të tepërta, unë thjesht po jap një korrespodencë timen në mesenxher, me Hajredin Fratarin, mikun tonë të përbashkët.
Hajredin Fratari me shkruan: “Më vjen mirë që je rregulluar dhe që nuk i shkëput lidhjet me Atdheun, të kam dërguar të fala me Vëllai (Ing).Të fala Hajredini”.
Në 22 dhjetor 2015 në orën 20:43 i shkruaj unë:
“Zoti Fratari, historia jote e suksesit më ka krijuar gjithmonë një shijë të mirë dhe e kam vlerësuar veçanërisht si një dëmshpërblim për vitet e padrejta të dënimit me burg…Koha e komunizmit qe një përvojë e hidhur e tragjike për mijëra shqiptarë që vuajtën direkt apo indirekt shtypjen e diktaturës…
Unë shpreh respekt për vuajtjet e tyre! Ndërkohë më duhet të të shkruaj se fati e solli që unë të isha në kohën dhe në vendin e një roli që direkt apo indirekt vuajtjet tuaja i kushtëzoi…sot është fare e lehtë që rolin tim nga këndvështrimi juaj ta kthesh si të duash deri ta besh kokë turku, por për respekt të vuajtjeve që kaluat nuk është e moralshme të trillohet e gënjehet që disa të bëhen heronj e disa kriminelë…ajo periudhë nuk përbën lavdi për asnjë individ…që një periudhe fatkeqe për ne si brez!
Ti shkruaj këto Zoti Fratari sepse sot rashë në kontakt me një intervistë të Visar Zhitit, i cili ka kohë që merret me personin tim por që me intervistën e sotme duke u bazuar në një dëshmi të Bedri Blloshmit më bën vrasës të Sandër Sokolit…Bedri Blloshmi, luanin e minierës së Qafë Barit, minatorin që thyente rekordet, e keni njohur ju më mirë në atë kohe dhe e njeh gjithë Shqipëria sot për bëmat e tij dhe këtij personi i referohet Z. Zhiti për të bërë të vërtetë një gënjeshtër…një shpifje…
Unë gjithmonë kam heshtur, deri tani kam heshtur sepse kam respektuar ata që vuajtën dhe e mirëkuptoj edhe dufin deri në urrejtje të disave syresh, por ndihem shumë keq kur bie në kontakt me gënjeshtra e shpifje…apo me epitetin e kriminelit…”
Ndërsa në 26 mars 2017 ora 7:15 i shkruaj: “Zoti Zhiti tani që edhe me punë është kaq pranë Zotit shpresoj ta ketë kuptuar se mëkatet në mos lahen, paguhen në këtë botë…Edhe pse tmerrësisht ka gënjyer e shpifur në librin e sponsorizuar prej jush, unë përmbahem për të mos dalë publikisht e për t’i bëre dy pyetje: Pse u transferua nga Spaçi në Qafë Bari…dhe pse në Qafë Bari punoj në ofiçinë … (Ju bashkëngjis foto nga korrespodenca).
“Komunistet kishin një parim makabër. Ata donin që të plotësohej norma e punës ose në të kundërtën të nxirrnin shpirtin”, dëshmon ti o Visar dëshmitari, ti që punoje në ofiçinë pa normë. Asnjëherë s’kam dëgjuar a lexuar që të pohoni se duke bërë normën paguheshit, paguheshit aq sa dikush edhe familjen e ndihmonte, fitonit kush punonte edhe deri në 5 ditë liri, në muaj. Ato kanë qenë ligjet e udhëzimet e kohës, ndërsa ti tregimet e tua i reflekton si situata të ndodhura sot, a thua se atëherë zotëria jote kur rrëfehej tek operativi, për të mos rënë në sy, komunikonte me celular.
Unë e ti në atë kohe pinim të njëjtin ujë e thithnim të njëjtin ajër. Çdo njëri prej nesh kishte aty një status që s’ja kishim caktuar vetvetes. E quaj të mallkuar atë ditë që m’u komunikua urdhri i Ministrit për të punuar në një Repart riedukimi. Unë rrija deri në tre turne në minierë, bëja detyrën. Ju bënit detyrimin që ju kishte përcaktuar statusi i të dënuarit, si punëtorë të detyruar.
Meqë shkruan se kishe zbuluar pseudonimet e atyre që të denoncuan, pse nuk del hapur e të thuash edhe pseudonimin tënd. Në romanin tënd për Ferrin me fantazi perverse, mua ma vë një pseudonim “MONDA”. Besoj të kujtohet Brigada e të rinjve që e krijuam, për të mbrojtur dhe për t’ju hequr ju perversëve grabitqare nga thonjtë tuaj, të burgosurit e moshave të reja? Ndoshta nga ajo kohe jam bërë edhe hasmi yt.
Kam heshtur gjatë, shume gjatë, 28 vjet. Kam heshtur në respekt të dënimeve që vuajtët. Heshtje që më nderon mua, por që është abuzuar nga disa që as vuajtjet e tyre nuk respektojnë. Burgu është vend i mbijetesës, ishte kështu e kështu do jetë, në jetë të jetëve.
Heshtja ime në thelb ka të bëjë me këtë fakt, me faktin që për të mbijetuar jo të gjithë ishin në gjendje t’i përmbaheshin disa normave morale për të mos spiunuar, vjedhur, plagosur bashkëvuajtësit. Kam respektuar vuajtjet e shumë të dënuarve politikë dinjitoz që i njoha nga afër e me të cilët ndava edhe unë vitet e rinisë sime. Vasil Kati, Sherif Merdani, Nuro Hoti, Jani Konomi, Nuredin Skrapari, Sokol Ngjela, Minella Bala, Namik Ajazi, Ilmi Spata, Hajredin Fratari, Dalip Zhabolli, Ded Gjoka, Hasan Basha, inxhinierë, ekonomistë, arsimtarë, ushtarakë, njerëz me edhe pa profesione, me shkollë por edhe deri analfabetë e shumë, qindra të tjerë, që në Qafë Bari gjeten pas kalvarit të gjatë të vuajtjeve, korrektësinë e drejtësinë në kryerjen e dënimit me heqje lirie.
Sigurisht që dënimi është dënim, është izolim dhe ka shumë privime. Edhe sot po ky konceptim është, veçse sot në demokraci të drejtat dhe liritë njerëzore kanë një kuptim real dhe detyrim kushtetues. Në atë kohë çdo gjë rregullohej me urdhra ministri dhe me një rregullore kopje e sistemit bolshevik sovjetik.
Lexova rastësisht një intervistë të B.D. për kalvarin e vuajtjeve të tij dhe në mesenxher i shkruajta si vijon: “Gëzohem që të shoh mirë…lexova intervistën tënde dhe shpreh keqardhje pasi edhe pse thua do jesh i drejt i shmangesh të vërtetës…të kujtohet një komandant që kujdesej që ti të lije duhanin sepse rrezikoje jetën…Të paktën të pranoje se kalvari i vuajtjeve për ty u mbyll në Qafë Bari…Megjithatë gëzohem shumë që ke një familje për të cilën krenohesh…të uroj shëndet e jetë “. (Bashkëngjitur një foto nga mesenxher).
Rasti ishte i tillë. Doktori i burgosur H.B. më vë në dijeni se B.D. kishte tuberkuloz dhe rrezikonte jetën nëse vazhdonte pirjen e duhanit. Sa herë e shihja, ca me humor e ca seriozisht e kontrolloja në xhepa a kishte apo jo cigare. Në fund nga cigarja hoqi dorë dhe sot jeton jetën me të dashurit e tij të zemrës. Këto kishim në dorë e këto bëmë.
Unë e kisha me gjithë mend kur jepja intervistë tek gazeta Bashkimi që në 1991 “Burgjet turpi dhe ferri i diktaturës”. Kur shkruaja tek Zëri i Popullit “Ta fitojmë njeriun” e në atë kohë duhej guxim të thoje konceptime të tilla e të denoncoje. Atëherë për çudi nuk pata atakime nga udhëheqja e Ministrisë (xhelozi po), ndërsa nga ish të burgosur u sulmova.
Veçoj një rast dhe nxirrni vetë konkluzionin. Kastriot Çaushi lirohet dhe pasi familja nuk e pranonte shkoi të strehohej tek një mik fëmijërie, tek Pëllumb Tare, në Kinostudio. Aty i tregon mikut të vet për jetën në Burg në Qafë Bari ku midis të tjerash tregon me superlativa mbi mirësinë time, zgjuarsinë e inteligjencën, korrektësinë e ndershmërinë etj.
Zoti Tare që është mik me familjen e motrës sime, të nesërmen i tregon motrës sime, i gëzuar për fjalët e mira që kishte dëgjuar. Dallkauku Çaushi në më pak se tre muaj boton në një gazetë më duket “Liria” një artikull me bëmat dhe krimet e mia e kur PD erdhi në pushtet ju shpërblyen shpifjet duke e futur në Gardën e Republikës si Oficer me detyrë sigurimi i Kryeministrisë.
Akuzat dhe shpifjet përpiqen t’i lidhin me rebelimin në Qafë Bari, me 22 maj 1984, madje Baxhinovski në një intervistë të tij me djallëzi thotë se revoltën (siç e quan ai) e ka bërë Mond Caja, domethënë i porsa mbushuri 25 vjeç Edmond Caja nxiti, organizoi, shtypi dhe vrau?!?!?! Në një kohe që Edmond Caja ishte thjesht një komandant policie e mbi vete kishte shefa të tjerë me kompetenca vendimmarrëse. Nga strukturat e burgjeve pozicioni im atë kohë ishte i shkallës më të ulet si funksion. S’kisha asnjë rol të drejtpërdrejtë vendimmarrje.
Por le te themi edhe një të vërtetë të padiskutueshme dhe lehtë të verifikueshme që me dashje studjuesit e tipit Tufa e Dervishi (ky hajdut dosjesh), tinëzisht e anashkalojnë. Rebelimi ndodhi dhe do të ndodhte jo për arsyet që sot publikohen rëndom se gjoja që reagim ndaj dhunës policore etj.. Shikoni një fakt të thjeshtë. Vetë tregojnë se policia atë ditë donte të nxirrte përsëri në pune pas turnit të tretë Ndue Pishën sepse ky s’kishte bëre normën. Domethënë do e nxirrnin në punë e jo e rrahën pse s’bëri normën. Dhe për të dalë në punë si punëtor i detyruar sigurisht do përdorej edhe forca. Ishim në një institucion ku kryhej dënimi me heqje lirie dhe punë të detyruar, jo kamp pushimi.
Me thoni një burg sot s’ka rëndësi se ku, edhe në vendin me demokraci nga më të konsoliduarat që rebelimin e zgjidh duke ju lutur e duke bërë premtime rebeluesve. Sigurisht që me ta mund të negociohet. Por në fund shteti tregon fuqinë e vet brenda ligjeve dhe rregulloreve të kohës duke u munduar që të minimizojë dëmet dhe të ruajë jetët e njerëzve dhe palëve, deri sa ta shuajë si rebelim e të rimarrë situatën nën kontroll. Pati nga të dënuarit në rebelim që i ngulen thikën një oficeri në bark. Lexojeni, i nguli thikën Oficerit, edhe pse ky i fundit ishte nga ata oficerë që u angazhuan të negocionin, të bindnin, të qetësonin situatën, dhe të kërkonin mirëkuptim.
E vërteta e shkaqeve të rebelimit mund të ketë qenë krejt tjetër. Kujtoj se në analizat që u bënë pas ngjarjes së rebelimit, u fol edhe për një ndërhyrje dhe nxitje nga jashtë të disa personave që morën pjesë në rebelim ku numri i përgjithshëm nuk ishte më shumë se 15 vetë. Nëse rebelimi do të ishte shkaktuar për shkak të sjelljes tonë të keqe dhe negative karshi të dënuarve, patjetër që do të ishin marrë masa edhe ndaj nesh.
Rebelimi pasi ne nuk mundem ta vinim ne kontroll edhe sepse s’donim të vinim jetë në rrezik si nga personeli dhe nga të dënuarit në rebelim, u mor nën kontroll nga udhëheqja e ministrisë që erdhën me helikopter si dhe nga forcat speciale sampiste të ardhuar nga Tirana.
Unë pata kurajon dhe formimin njerëzor edhe duke qenë i bindur në pafajësinë e tyre që Hajredin Fratarin e ndonjë tjetër ta merrja në mbrojtje. I bie sipas sigurisë të dëshmitarit Zhiti që në të njëjtën kohe kam vrare një person (Për Sandër Sokolin ka një ekspertizë mjeko-ligjore nga mjekë të Pukës që vërtetojnë vdekjen dhe arsyen e vdekjes së të ndjerit. Edhe vajzës së Sandër Sokolit ja kam thënë në sy pozicionin tim lidhur me të jatin tek restorant Vollga që në 1992), e po në të njëjtën kohë dikë tjetër e kam mbrojtur.
Zoti Fratari sot hesht. Kur mendoj ato biseda që bënim në një kafene tek Pallatet Agimi kur Zoti Fratari e Zoti Zhabolli ishin tashmë të lirë, e unë i hedhur rrugëve nga pushteti demokratik përpiqem të kujtoj mirësinë, mirënjohjen e korrektësinë e tyre dhe kjo ma lehtëson zhgënjimin e faktit që ai hesht.
E kuptoj dhe ambientin mbytës për mendimin e paanshëm që është krijuar aty. Njerëzit që polarizojnë kanë influencë edhe në mediat. Shpifarakët atakojnë e sulmojnë për të mbuluar horrllëqet e tyre, pasi i kanë bërë çorap dosjet nëpër arshiva e tani që kane pastruar veten, s’ju dridhet qerpiku i syrit kur ujkun ta shesin për qengj e anasjelltas…. /Dita