Nga: Marsela Sinani/ Trupat e pajetë të 8 viktimave të masakrës së Ridvan Zykajt, janë përcjellë për në banesën e fundit. Në fshatin Resulaj ka pllakosur zia. Opinioni publik e ka përjetuar këtë gjëmë sikundër familjarët, e jo të paktë kanë qenë komentet negative në rrjetet sociale, e jo vetëm. Shumë qytetarë janë shprehur se janë dakord për rikthimin e dënimit me vdekje, ndërsa të tjerë janë në dilemë. Heqja e dënimit me vdekje ka qenë një kërkesë e hershme e Komunitetit Ndërkombëtar dhe veçanërisht Bashkimit Evropian.
Këtë çështje mjaft sensitive nuk mund ta linim pa marrë mendimin e një sociologeje, e cila na bën të reflektojmë më shumë se çfarë traumash po përjeton shoqëria shqiptare. “Tirana Today” ka pyetur sociologen Entela Binjaku, se çfarë efekti mund të ketë dënimi me vdekje në Shqipëri.
“Po të bënim një sondazh dhe të ftonim njerëzit të shpreheshin pro apo kundër dënimit me vdekje, besoj se një shumicë do të ishte pro këtij dënimi. Por shtetet që kanë ratifikuar protokollin e Konventës Evropiane të të Drejtave dhe të Lirive Thelbësore të Njeriut, kanë firmosur bashkë me të, për një përjashtim të plotë të dënimit me vdekje të njeriut, në çfarëdo lloj rrethane qoftë ajo, edhe situatë lufte.
Sipas nenit 3 të kësaj Konvente, asnjë shtet anëtar i BE-së apo i Këshillit të Evropës, nuk mund të aplikojë dënimin me vdekje. I vetmi shtet evropian që e aplikon këtë dënim është Bjellorusia, që nuk është as anëtare e Këshillit të Evropës, dhe as e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në Shqipëri, të fundit të dënuar me vdekje kanë qenë dy djemtë që u vranë në Libofshë, në fillimet e viteve ‘90.
Prandaj çdo diskutim mbi këtë formë dënimi, nuk mund të jetë përveçse teorik, sepse ka një pengesë ligjore që e përjashton këtë mundësi. Dhe nuk janë vetëm organizmat evropiane që nuk e lejojnë, por asnjë Kushtetutë nuk e lejon këtë. Kjo sepse në Kushtetutën e një vendi thuhet se të gjitha Konventat ndërkombëtare të nënshkruara në fushën e të Drejtave të Njeriut, prevalojnë mbi ligjet e brendshme. Ndaj protokolli i kësaj Konvente ka vlerë superiore ndaj cilitdo ligj shqiptar. Argumenti kryesor në favor të këtij dënimi është se ai mund të ketë një efekt parandalues, pra një ndikim të fuqishëm psikologjik mbi njerëzit që do të donin të kryenin akte të atilla që sanksionohen me vdekje.
Por ka statistika që nuk e dëshmojnë këtë. Shkalla e kriminalitetit nuk është më e vogël në ato shtete ku është e ligjëruar dënimi me vdekje. Edhe Amnesty International ndan të njëjtin qëndrim. Sipas tyre, shumë krime ndodhin në situatat kur njeriu nuk i mendon pasojat, pra ka situata kur nuk është se autori mendon: “mos e bëj këtë, se dënohesh me vdekje”, jo! Sepse edhe kur ndodh, më shumë autori mendon a do kapet apo jo, sesa për dënimin”.
Sociologia nënvizon se sa i takon këtij rasti, ky krim mund të ishte ndalur nëse nuk do të kishte pasur akses te arma. Kjo lidhet ngushtësisht edhe me fushatën e bërë vite më parë të mbledhjes së armëve, ku nuk arriti të japë efektin e pritshëm.
“Çdo shoqëri ka identitetin e vetë dhe kulturën e vetë. Edhe mënyra sesi një shoqëri përballet me problemet e veta, është e lidhur me këtë identitet dhe këtë kulturë. Problemet që ka shoqëria jonë, nuk janë të ndryshme nga shoqëritë e tjera që kanë jetuar tranzicionin, por në dallim nga shtetet evropiane e më gjerë, ne ndjehemi të plogësht në shumë drejtime. Kjo nga njëra anë sepse edhe institucionet që ne kemi ndërtuar janë të atilla që nuk u përgjigjen problemeve apo dukurive.
Në rastin konkret, ky krim mund të ishte ndalur nëse nuk do të kishte pasur akses te arma. Por edhe fushata e disa viteve më parë e mbledhjes së armëve, nuk arriti të depërtojë e të japë atë efekt që sot të mos kishim më të tilla në duar. Nga këtu del një tjetër problem kulturor yni: ai i bërit të punëve; “bëjmë sikur”.
Përpos problematikave të tjera, Entela Binjaku shprehet më tej për “Tirana Today” se ne vuajmë nga shërbimet psiko-sociale në komunitet. Këtu del në pah problemi i mosbesimit tek insitucionet.
“Nëse ky individ ka pasur probleme të traumës së disa viteve më parë, që mund të ketë ndikuar në shëndetin mendor, kush e di si është trajtuar dhe çfarë shërbimi mund te marrë dikush në kushtet e shtëpisë, apo e aq më tepër në atë varfëri? Nga këtu del një tjetër problem: mungesa e shërbimeve psiko-sociale në komunitet.
Nëse ai individ është përdorues i substancave narkotike: sa shërbime ofrohen për ata të rinj, truri i të cilëve pëson çrregullime të atilla që sjellin edhe çrregullime sjelljeje?
Nese ai gjuante dhe herë të tjera në ajër, e askush nuk e merrte seriozisht, kjo tregon se as te policia nuk ka besim shoqëria, se denoncimi do të merret në konsideratë. Pra një tjetër problem që vjen nga shkëputja e shoqërisë nga institucionet, ose institucione të dobta që nuk ngjallin besim për tu drejtuar.
Probleme që lidhen me edukatën e ulët të të rinjve, ose me të rinj që jetojnë të izoluar ose që zhvillohen pak kulturalisht, kjo sepse edhe aksesi në institucionet që edukojnë në mënyre qytetare është i pakët.
Nëse ai individ ka pasur konflikte dhe është rrahur disa javë më parë, këtu del një tjetër problem, si duhen shmangur këto situata? Sa të sigurtë janë qytetarët që mund të jenë pre e një konflikti familjar? Në cilat nivele qëndron toleranca mes njerëzve? Si edukohet kjo tolerancë? Cilat janë pasojat e një intolerance?
Dhe një problem tjetër që thuajse nuk e njohim është identikiti i një vrasësi, pak e njohim profilin e tij sepse edhe nga institucionet shqiptare të izolimit njihen pak”, përfundon ajo.
Kjo mund të konsiderohet si tragjedia më e rëndë e ndodhur vitet e fundit në Shqipëri. Pamjet që vijnë nga tre banesat e fshatit Resulaj në Selenicë shkojnë përtej imagjinatës. Tetë arkivole kanë dalë njëri pas tjetrit nga tre shtëpi, të cilave iu kanë mbetur vetëm tre anëtarë.
Aktualisht, Kodi Penal në Shqipëri nuk parashikon dënimin me vdekje, për asnjë lloj vepre penale. Ky dënim është hequr tërësisht me vendim të Gjykatës Kushtetuese në vitin 1999. Ekzekutimi i fundit me vdekje (varje) në Shqipëri është bërë më 25 qershor 1992. Dënimi i fundit me vdekje në vendin tonë është dhënë më 15 mars 1995.
Pothuajse të gjitha vendet në botë e ndalojnë ekzekutimin e individëve të cilët ishin nën moshën 18 vjeç në kohën e kryerjes së krimit. Ekzekutimet e këtij lloji janë të ndaluara sipas ligjit ndërkombëtar.
Tirana Today