E hënë, 24 Janar, 2022
-3.5 C
Tirana

U shua poeti i dashurisë/“Tani si hëna në të gdhirë, jam gati në të ikur!”

Disa kohë më parë, si duket në parandjenjën e poetit, Arben Duka do të shkruante: “Në deje gjaku më ka ngrirë / Qiriri në të fikur. / Tani si hëna në të gdhirë, / Jam gati në të ikur.” Dhe iku në këtë dhjetor, pak ditë pasi kishte bërë 64 vite!

Iku edhe Ben Duka, nxituar për në Parajsë. E kush mund ta dinte se, miku ynë i mirë, poeti lirik si pak kush tjetër, shpirt-hapur dhe përherë i revoltuar, njeriu i ndjeshëm, që e kishte mundur vetëm dashuria, do të ikte në këtë mes dhjetori si shtërgu i dimrit të kohës së turbullt.

I qartë si pak kush në vetëdijen e tij si poet, labovit i bindur se kjo trevë e kishte bërë të tillë: “Në ato viset e mia, Në Labovë e në Odrie, Ku dhe guri, ku dhe druri, Flasin fjalë dashurie”; njeriu i ndjeshëm i vargjeve mrekullibërëse, me një pjesë të jetës si ushtarak dhe tjetrën si autor i mbi tre mijë tekste këngësh, iku duke lënë pas mbi 50 vëllime poetike të botuara dhe të ribotuara disa herë për shkak të kërkesave, si pak kush tjetër në këtë botë poetësh.

Shikoni portretin e njohur të tij, që ngjan kaq befasisht me Heminguejn. Është pamja e njeriut që mbetet gjithmonë i mprehtë dhe i qartë, vështrimi i njeriut të mençur dhe të fortë, që, pasi ka bërë paktin e madh me ndërgjegjen e tij, ka forcën e një kollosi. Ai nuk tkurret nga tragjeditë që e përshkojnë jetën e tij; pamja e Ben Dukës është ajo e një luftëtari mendimtar.

Askush nuk ka mundur t’i bëjë ballë vështrimit të tij, ka qenë e pamundur të fshihesh, pasi, mbi gjithçka, ishte vështrimi i një njeriu thellësisht të ndershëm, dhe, askush, nën këtë vështrim nuk guxon të mashtrojë. Ai vetë, i pastër si fëmijë dhe dashuronjës i marrë, deri në dhimbje, përjetoi gjithë çfarë ndodhte rreth e rrotull tij, gjente fjalët miradie për jetën që e prekte gjithandej; trishtohej e nuk lëkunden, sepse i tillë është misioni i poetit; na la lirikat e tij ngazëlluese e, në të njëjtën kohë, poezitë satirike, fishkëlluese.

Ai është edhe poeti i dashurisë. Dhjetra vëllime e kanë brujtur ndjenjën e tij të pamatë, askush tjetër nuk ka këto përmasa dashurie; sjell kristale rrëzëlluese, gjithë flakë dhe pastërti të pashoqe, dhe, asgjë nuk është e pamundur për të. Ai nuk është poeti që thjeshtë dashuron – dashurinë, ndjenja e Arben Dukës është e prekshme, thellësisht njerëzore, e kapshme dhe në të njëjtën kohë e pamatshme; nuk ngurron të dashurojë dhe të shpallë dashurinë e tij përmes vargut brilant, që kaq herë më ka ngjarë me baladat e Bernsit, sjellë në shqip nga Poradeci.

Me Arben Dukën, si ndodh me figurat e mëdha të botës së artit, mund të ishe në një mendje ose të kundërshtoje gjithë ditën e gjithë natën, të ishe i bindur se kishte të drejtë apo të mendoje se rruga e tij nuk ishte ajo që do të doje, por dy gjëra nuk mund të shkëputeshin nga kontakti me të: ai nuk mund të lihej në heshtje dhe poezitë e tij ishin të atij lloji që domosdo do i riktheheshe.

Pasionant i pashoq, ai e trumbeton poezinë si bardët e lashtësisë. Atdhetar i shkallës sipërore, ai do të jetë poeti “non grata” për shovenistët grekë; jugor i thekur, lab i dorës së parë, i shpallur “Nderi i Qarkut Gjirokastër“, “Nderi i Lunxhërisë“, zemra e tij pikon për Mitrovicën, Mollën e Kuqe që ndan kufijtë e përkohshëm në Bjeshkët e Gjakovës; i pakompromis me të vërtetën, megjithëse zemra i rreh nga e majta, ai bëhet trumbetar i denoncimit të korrupsionit të saj përmes satirave të njohura.

Arben Duka ishte poeti me të cilin mund të diskutoje ditë të tëra për lirikat e Eseninit, Bllokut, Cvetajevës, Berns, Poradecit, të cilëve i ngjante, megjithëse në shpirt kishte tramundanë. Është e çuditshme se si në një poet janë unisuar vargu melodioz, si rrjedhë e këngës labe dhe revolta, si zgalemi i njohur i Gorkit; se si në një të vetëm ndjehen disa të tjerë në të njëjtën kohë dhe përsëri, është i njëjti; është e pabesueshme krijimtaria e tij si volum, por edhe koloriti që nuk është i përsëritshëm; secili libër nuk i ngjan tjetrit dhe të gjithë bashkë krijojnë korpusin e madh të poezisë së Arben Dukës.

Ai është i vetëm në llojin e tij dhe zë i veçantë në lirikën shqipe. Me të drejtë për poezinë e Arben Dukës kanë shkruar: “Librat e Arben Dukës kanë zënë vend në raftet e bibliotekës sonë si shtresat gjeologjike, njëri pas tjetrit, të pangjashëm, të mëvonshmit të lidhur me pararendësin, pa mohuar asgjë, por duke kërkuar forma të reja shfaqjeje, duke rendur pas një muze më të menduar, pas një muzike poetike të kompozuar, si Hajdeni i famshëm, që krijonte një melodi të denjë për çdo instrument, duke na dhënë të tërën e përkorë”.

Një gjë e re së fundmi, që nuk e kemi hasur në botimet e mëparshme, ishte një tis i hollë trishtimi apo melankolie. Njerëzisht është e kuptueshme; poetikisht, kjo është shenjë e epërme; një cilësi dhe përftim mendimi që të shpie në poezinë e vërtetë, atë autoktone, që mungon te shumë të tjerë.

Ja një poezi e mrekullueshme nga libri “Heroi i dashurisë” që duhet rilexuar kur rrjedha e trishtimit të shpie në fundin e tunelit të një shprese pa dritë: “Dhe kur këmbët të rëndohen porsi shkëmbi / Dhe një hap të mos hedhësh dot si njeri / Dhe kur gjer në shpirt dhimbja të të dhëmbi / Ti mos u dorëzo përsëri.”

Një gjë është e sigurtë: Arben Duka si poet, analist, polemist i dorës së parë është diskutuar më shumë se cilido nga brezi i tij. E në të njëjtën kohë njihet më mirë prej nesh nga kushdo tjetër.

Ne e njohim Arben Dukën edhe pa e takuar, ia njohim vrullet rinore në librat e parë dhe pjekurinë poetike në librat e mëpasëm, hovet dashurore dhe çastet tragjike që e shoqëruan, ia dimë tragjeditë familjare, sidomos të viteve të fundit me largimin nga jeta të vëllezërve të tij, Apostolit dhe Sofokliut; ia dimë veprimet e zakonshme dhe pasionet, sidomos për të vërtetën, sepse, mbi të gjitha ai ishte njeriu i hapur për të gjithë, që kurrë nuk bëri mundim të fshihej, të tjetërsohej, të bëhej i panjohur.

Ne njohim çdo hap të jetës së tij, sepse i ka dhënë në librat e tij, e njohim fizikisht dhe ia dimë shpirtin, e përfytyrojmë atë të rebeluar dhe të qetë, pranë familjes, Pranverës dhe fëmijve, por edhe në jetën e tij ushtarake, në bashkëbisedim me lexuesit, por edhe i menduar në praninë e cigares së tij.

Pushoi jeta e një poeti, vepra e tij mbetet. Rrallë ndonjë poet ka qenë më i sinqertë se Arben Duka. Jo kushdo mund të pohojë lirinë e vet në botën e tij. Rrugët janë të caktuara e shpesh herë plot me labirinthe, qëllimet janë të fiksuara, rendi i gjërave shpesh herë është i dhënë ose përcaktohet nga koha. Për njeriun e lëkundur, poetin rrëshqitas, mund të zgjidhet rruga e konformizmit, por kjo nuk ishte kurrë rruga e Arben Dukës.

Arben Duka ishte që nga fillimi njëri ndër bashkëpunëtorët e përditshëm të gazetës DITA; anëtar kolegjiumi i saj, i kërkuar nga të gjithë, ndaj largimi i tij do të lërë një vend të boshtë në rubrikat e gazetës, por, në të njëjtën kohë ai do të jetë edhe më tej i pranishëm. Ashtu si ndodhi me Andrea Stefanin, me Moikom Zeqon, si ndodh zakonisht me njerëzit e vyer dhe vlerat e tyre.

Disa kohë më parë, si duket në parandjenjën e poetit, Arben Duka do të shkruante: “Në deje gjaku më ka ngrirë / Qiriri në të fikur. / Tani si hëna në të gdhirë, / Jam gati në të ikur.” Dhe iku në këtë dhjetor, pak ditë pasi kishte bërë 64 vite!

Pusho në paqe, mik i dashur! /Redaksionale DITA

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Mungonin avokatët, GJKKO shtyn seancën ndaj Fatos Tushes

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë në datën 2 shkurt seancën në ngarkim të Fatos Tushes, ish-kryetarit të Bashkisë Lushnje dhe...

Rama: Presidentin e ri do ta zgjedhim ne, do i kthejmë dinjitetin asaj zyre

Kryeministri Rama tha sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar, se Partia Socialiste do të nisë punën për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës...

Mbyllja e shkollave për 3 ditë/Aktivistët: Ministrja bën meteorologen

Për tre ditë, shkollat do jenë të mbyllura për shkak të motit të acartë. Lidhur me këtë vendim, aktivistë të Qëndresës Qytetare kanë protestuar...

“E mbyllim në shkurt”/Rama mbledh Grupin Parlamentar të PS, ja çfarë do ndodhë

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar, kreu i qeverisë Edi Rama iu është drejtuar socialistëve të angazhohen seriozisht në procesin e këshillimit kombëtar. Ai vuri...

Basha: Berisha po vë interesat e tij personale mbi ato të demokratëve!

Në Shqipëri zgjedhjet e pjesshme, të parakohshme lokale, më 6 mars, për të zëvendësuar kryetarët e gjashtë bashkive, që iu ka mbaruar mandati, priten...