Zhvillimi turistik i rajonit të jugut është kthyer këto ditë në një kryefjalë për të gjithë subjektet dhe kandidatët e përfshirë në garën elektorale të 25 qershorit. Të gjithë oratorët drejtues të partive dhe kandidatët e listave, në takimet dhe mitingjet elektorale në qarkun e Gjirokastrës, premtojnë që këtë aktivitet ta kthejnë në një industri të konsoliduar të turizmit kulturor, historik, natyror, sportiv, aventuror, rural, kulinar tradicional dhe agroturizëm fitimprurës.
Krahas premtimeve për një të ardhme me prioritet investimesh në përmirësimin e infrastrukturës, restaurime dhe rijetëzime në monumentet e kulturës, për investime afatshkurtra dhe afatgjata,si dhe për një burim punësimi e të ardhurash, kandidatët janë përfshirë gjithashtu në një garë të heshtur në organizimin e aktiviteteve dhe eventeve që motivojnë dhe nxisin turizmin.
Kjo vëmendje e dedikuar ndaj turizmit, së pari qeverisë dhe të gjithë kandidatëve të të gjithë spektrit në garë, jo vetëm që mban gjallë shpresën për një zhvillim të të vetmes alternativë zhvillimi ekonomik e social të këtij rajoni me hemorragjinë më të madhe të shpopullimit, por duhet pranuar se ka ndikuar edhe në gjallërimin e vetë sezonit turistik aktual.
Në këto ditë të nxehta të majit dhe qershorit, kandidatët për deputetë i gjen, jo vetëm në takimet e tyre “të qarkuara” ku oratorët mbyllen brenda rrathëve të formuar nga elektorati dhe militantët, por nuk lënë rast për të qenë të pranishëm edhe në mjaft evente kulturore të lidhura ngushtë me turizmin. Për të bërë më shumë përshtypje, kandidatët në këto ditë fushate nuk ngurojnë; të heqin vallen pogonishte, të këndojnë labçe, të gatuajnë gjellë tradicionale në panaire, të veshin fustanella e xhubleta, të luajnë me djemtë e fshatit futboll, të vizitojnë muze e monumente, të mbjellin e shpërndajnë saksi me lule, e lloj-lloj sjelljesh të tjera të pazakonta.
Ndërkaq, edhe stafet e tyre mbështetëse, gjatë këtyre ditëve kanë shpalosur tërë fantazinë dhe përkushtimin e tyre prej militanti për të organizuar lloj-lloj eventesh. Ndërkohë, edhe kalendari i eventeve të organizatave të shoqërisë civile, çuditërisht në këto dy muaj para zgjedhjeve ka qenë tepër i ngjeshur me festivale, panaire, përkujtimore, promovime, e ngjarje të tjera të larmishme kulturore.
Lugina e Drinos dhe Vjosës, qytetet e Gjirokastrës, Përmetit, Këlcyrës, Tepelenës dhe disa krahina me tërheqje turistike si; Lunxhëria, Libohova, Bënja, Carshova, Dropulli, Kurveleshi, Petrani, Pogoni, Kardhiqi, Zagoria, të pasurinë resurset e tyre historike, kulturore dhe natyrore dhe të njohura për mikpritjen dhe gatimet e shkëlqyera tradicionale, këto ditë gëlojnë, jo vetëm nga turistët dhe vizitorët, por edhe nga prania e atmosferës së fushatës elektorale që duhet thënë se deri tani ka përvijuar me jashtëzakonisht shumë veprimtari politike e kulturore, por edhe jashtëzakonisht e qetë dhe me kulturë.
Jo vetëm kandidatët socialist, Bledi Çuçi, Mirela Kumbaro dhe Flamur Golemi që kandidojnë për herë të parë në këtë qark që nxjerr pesë deputetë, por edhe kandidati i LSI-së Vangjel Tavo që kërkon në këto zgjedhje mandatin e tij të gjashtë, në krye të ligjëratave të tyre për turizmin si prioritet, sjellin si dëshmi të vëmendjes së qeverisë uljen e TVSH për subjektet e turizmit nga 20 në 6 për qind.
Ndërkaq, qendrat e disa qyteteve në këtë rajon, si Gjirokastra, Përmeti, Tepelena, etj., në përvijim të projektit qeveritar të “rilindjes urbane” janë në kulm, apo përfundim të investimeve në qendër të tyre. Njëkohësisht, në përfundim janë edhe investimet e rrugëve në shërbim të komuniteteve dhe turizmit si ajo e Kurveleshit, Labovës së Kryqit, hyrja e qytetit dhe rikonstruksioni i Pazarit të Gjirokastrës, etj., investime që u japin dorë dhe u çelin gojën kandidatëve të subjekteve që qeverisën mandatin në mbyllje e sipër.
Nuk mbeten pas me retorikën që lidhet më turizmin edhe kandidatët e listës së PD, Tritan Shehu e Roland Bejko, por krahas premtimeve, kandidatët e opozitës nuk kursejnë edhe konstatimet dhe kritikat për ato që ata i konsiderojnë si premtime të parealizuara, paaftësi dhe abuzime të qeverisjes katërvjeçare të aleancës PS-LSI. Në fokus të kritikave të tyre janë problematikat që lidhen me ruajtjen e trashëgimisë kulturore në përgjithësi dhe të Gjirokastrës në UNESCO në veçanti.
Mes dukurive negative dhe abuzive, dyshja demokrate Shehu – Bejko rendit: mosndërhyrjen për eleminimin e më shumë se 300 ndërhyrjeve të paligjshme në zonën e mbrojtur historike të Gjirokastrës, për largimin e rreth 230 objekteve nga lista e monumenteve në Gjirokastër, ndërhyrjet restauruese në zonën e Pazarit në pikun e periudhës së sezonit turistik që ka shtuar ndotjet dhe rrezikun për jetën e turistëve, projektin e pastudiuar dhe kundërshtuar të By Pass-it në zonën historike të Gjirokastrës, mungesën e masave dhe planeve menaxhuese për zhvillimin turistik etj.
Ndër veprimtaritë që shoqëruan fushatën elektorale në këtë rajon janë shënuar së pari “Dita e Evropës” me prezencë të kryeministrit Edi Rama, organizuar nga ambasadorja Vlahutin e Delegacionit Evropian në kështjellën e Gjirokastrës. Me tej nga LSI dhe kandidati i saj Tavo u organizua n “Dita Evropiane e Parqeve” në Parkun Kombëtar të Sotirës.
Në vijim në NJ.A. Antigone u rihap pas 7 vitesh punishtja “Artizanet e Antigonesë”, falë mbështetjes së Ministrisë së Kulturës.“E nisëm në Antigone, ku modelin e gjetëm të gatshëm, në këtë qendër të krijuar disa vite më parë, por që për vite të tëra ky lloj aktiviteti ishte ndërprerë. Në këtë projekt përfshihen rreth 30 gra e vajza nga kjo krahinë, të cilat do të mundësojnë tek brezi i ri përvetësimin e punës artizanale të punimit në avlëmend” u shpreh Ministria e Kulturës kandidatja Mirela Kumbaro.
Edhe gjatë vizitës në fshatin Vllaho-Psilloterë, fshat i banuar nga minoritarë grekë në rrethin e Përmetit, kandidatja për deputete e PS-së në qarkun Gjirokastër Mirela Kumbaro dha një lajm dhe premtim të mirë për projektin e ndërtimit të rrugës nga Tre Urat deri në Përmet. Në javën e fundit të majit u mbajt edicioni i 15-të i Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Përmeti Multikulturor 2017”. Pothuaj në të njëjtën javë, në skenën e njohur të festivaleve në Kështjellën e Gjirokastrës u zhvillua Festivali “Fustanella Festival”, që është festivali më i ri në Shqipëri, por që ka për qëllim rikthimin e fustanellës, një nga veshjet tradicionale të shqiptarëve .
Ky festival realizuar nga Remont Kapital me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës se Shqipërisë, zgjati tri ditë-net me muzikë nga Shqipëria, Greqia, USA, UK, Italia, Indonezia, Maroku dhe organizatorët pretendojnë që ta përfshijnë në kalendarin dhe hartën turistike të rajonit si një ofertë turistike. Nën kujdesin e kryetares së bashkisë së Gjirokastrës Zamira Rami dhe kandidatit për deputet të LSI-së Vangjel Tavon në Gjirokastër u organizua Ceremonia e Çeljes së sezonit turistik të verës, ku kandidatët Tavo, Kumbaro, Çuçi dhe Golemi u bashkuan në nismën për të mbjellë e falur lule për të gjithë qytetarët, investitorët dhe biznesmenët që kanë kontribut në rrjetëzimin dhe kthimin në shtëpi pritëse për turistët të banesave monument kulture. Në kuadër të kësaj dite u përurua përfundimi nga bashkia i rikonstruksionit të Muzeut Etnografik dhe u organizua një koncert i orkestrës së harqeve “Muzikë dhe Monumente”.
Veprimtaritë dhe premtimet dedikuar turizmit kanë qenë të shumta në këto ditë të nxehta elektorale. Shumë vizitorë e turistë vendas dhe të huaj janë bërë pjesë e këtyre eventeve. Është folur shume për turizmin, por ka ende disa tema qe nuk janë prekur nga kandidatët në garë; nuk është folur çdo të bëhet për aeroportin e Gjirokastrës, për koncesionet e hidrocentraleve në Benjë dhe Kardhiq, për rrugën e Zagorisë dhe Pogonit, për fatin e projektit të Bay-Pass-it në zemër të zonës historike.
Ndërkohë që mbeten pa përgjigje edhe disa pyetje: A do të vazhdojë ky intensitet eventesh edhe pas 25 qershorit? A do të materializohet në vijim të sezonit “përgjërimi” për turizmin i kandidatëve që do të ulen në karrigen e deputetit? A do të realizohen gjithë investimet e premtuara sot me bujë e entuziazëm? A do të ndodhë si me deputetët paraardhës që pasi futën në xhep mandatet nuk e kthyen kokën mbrapa? Gjithsesi, turizmi konsiderohet kryefjala e kësaj fushate elektorale për të gjithë subjektet dhe kandidatët në garë./ Engjëll Serjani
(TIRANA TODAY)