Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për rajonin Shkodër-Lezhë ka ekzekutuar sot masat e sigurisë për një punonjës policie dhe tre punonjës të IMT-së në Vaun e Dejës.
Ndaj punonjësit të policisë A.D. dhe inspektorëve të IMT-së D. LL., J.H., M.L., është caktuar masa “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Ndaj këtyre punonjësve është ngritur dyshimi për shpërdorim detyre.
NJOFTIMI
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër – Lezhë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksioni të Përgjithshëm Shkodër, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal me karakter ndalues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar në nenin 234 të Kodit të Pr. Penale, për një punonjës policie dhe tre punonjës të IMT-së, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.
A.D., me detyrë N/Specialist i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Vau i Dejës.
D. LL., me detyrë Inspektor pranë IMT-së, Bashkia Vau i Dejës.
J.H., me detyrë Inspektore pranë IMT- së, Bashkia Vau i Dejës.
M.L., me detyrë Përgjegjës pranë IMT-së, Bashkia Vau i Dejës.
Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur nga veprimet hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, pas sigurimit të informacionit nga AMP se disa shtetas po ndërtonin në mënyrë të paligjshme duke u favorizuar nga punonjësit e policisë dhe IMT-së.
Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë veprimtari kriminale.















